E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrënjët e ngrehinës së vjetërNga Izet ShehuËshtë e vështirë të shkulësh nga rrënjët ngrehinën e vjetër. Mund t’i heqësh çatinë e kuqe. Mund t’i heqësh qerpiçin, blozën, dangat. Po gurët e themelit është e vështirë. Vetëgënjehesh, vetasfiksohesh nga i

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rrënjët e ngrehinës së vjetërNga Izet Shehu

Është e vështirë të shkulësh nga rrënjët ngrehinën e vjetër. Mund t’i heqësh çatinë e kuqe. Mund t’i heqësh qerpiçin, blozën, dangat. Po gurët e themelit është e vështirë. Vetëgënjehesh, vetasfiksohesh nga ideja se u rrëzua ngrehina e gjaktë. Ajo ka lënë jehonën e dhimbjeve, koret e plagëve, lagështirën e mëkatit, hijen e misterit. Në u kthye në gërmadhë, ajo ka lënë jashtë njërin sy e njërin vesh.

Gjithsesi, gjindja si kukuvajkat qajnë e këndojnë rreth saj. Pesëdhjetë vjet u desh që të ngrihej ngrehina prej qerpiçi, balte, gjaku e djerse. Po aq u dashka që të shembet.

Çfarë ka ndryshuar e çfarë duhet që të kishte ndryshuar në këto gati dy dekada? Bëjmë sikur punojmë. Bëjmë sikur ndërtojmë. Bëjmë sikur flatërojmë drejt qiellit. Por në fakt, bëjmë një qerthull rreth ngrehinës së mallkuar.

Jam i bindur që demokracia është gjetja më e mirë. Këtë bindje ma forcon ideja se një vend, sa më demokratik që të jetë, aq më i zhvilluar është. Jemi një popull i kapur peng, një ishull që hapemi midis demokracisë dhe anarkisë, në mes të Evropës dhe të varfër, në mes të Evropës dhe të korruptuar. Na mbetën sytë drejt saj.

Një e treta e popullsisë e ka braktisur atdheun. Të tjerët i mbajnë sytë nga Perëndimi, në kërkim të një jete më të mirë. Dikush mund të më pyesë: Kur qemë më mirë dje apo sot? Symbyllur i përgjigjem: Sot, edhe pse jemi të lirë si era. Por kurrë nuk ia lejoj vetes t’i them derrit dajë, të zezës të bardhë, dështimit triumf. Dështimin nuk ia vë mbi shpinë njërës apo tjetrës parti. Jo. Të dyja: të majtët tepër të majtë dhe të djathtët po aq të majtë, dhanë tashmë në mënyrë absolute provën se nuk janë të aftë ta bëjnë demokracinë në Shqipëri. (Në mos qoftë e vërtetë, se nuk e kanë as zellin për ta bërë atë). Janë njëmijë arsye që t’i japësh përgjigje këtij dështimi. Kryesorja: po heqim qerpiçin e ngrehinës së vjetër, por jo hijen e saj. Jo kthetrat e saj të ngulura thellë në lagështirën e kuqe. Gjithmonë kam votuar djathtas. Pse ta fsheh? Për të kam votuar. Edhe pse i quaj me bindje si pjesë alternative të lagështirës së kuqe në themelet e mbuluara me hije të zeza të ngrehinës së mbetur tashmë unikale në llojin e vet në tërë Evropën Lindore. Kërkohet si domosdoshmëri e kohës harmonizimi (për mendimin tim), heqja e mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Nëse duam ta rishikojmë historinë në baza shkencore, pa subjektivizëm, pa diktatin e fitimtarit, një gjë e tillë me patjetër do të bëhet, edhe pse kundërshtojmë egër zërat e lagështirës. Ndryshe, do të bjerë në kontradiktë fasada me brendësinë e Muzeut. Fasada dhe brendia të çlirohen nga brendia staliniste. Unë e shpreh si qytetar këtë mendim. Janë historianët e çideologjizuar ata që do ta zgjidhin këtë problem me rëndësi kombëtare. Kjo dukuri, tejet e dalë boje, shfaqet edhe në muzeumet lokale. Në vende të Evropës ish-komuniste punonjësit e këtyre muzeumeve janë përzgjedhur sipas kriterit: jo ish-komunistë e jo ish-agjentë e bashkëpunëtorë të sigurimit. Jemi tepër vonë në këtë përzgjedhje. Nëpër disa muze janë punësuar njerëz, që ende mbajnë në stenda “patriotë” që s’ekzistojnë në Arkivat e Shtetit. Largimi i nostalgjikëve është i domosdoshëm. Janë ata dhe hijet qark tyre që vënë dhe heqin emra të sajuar, që s’kanë ekzistuar kurrë në veprimtari madhore patriotike të vendit.

Në fasadën e Kryeministrisë është një basoreliev i ndarë në tri pjesë, vepër tipike e realizmit socialist: në krye Lufta Antifashiste, në mes klasa punëtore e në fund fshatarësia kooperativiste. A nuk stonon sot një basoreliev i tillë?

Duke e vlerësuar luftën kundër fashizmit dhe duke e dënuar diktaturën e egër komuniste, them se ai basoreliev është i papranueshëm për demokracinë e brishtë që duam të bëjmë. Bashkëpunëtorët e fashizmit dhe të komunizmit le t’i gjykojnë e vlerësojnë historianët duke pasur si kriter bazë qëndrimin ndaj Çështjes Kombëtare dhe jo hijet dhe zërat e lagështirës së kuqe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›