E Diel, 1 Nëntor 2026

Si janë manipuluar shifrat e deficitit buxhetorNga Erion BraçeLigjvënësi prej 19 vitesh i ka krijuar rregulla qeverisë për të administruar ligjërisht paratë e të mirat publike, normuar në ligjin “Për Buxhetin e Shtetit”. Çdo fund viti ligjvënësi seci

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Si janë manipuluar shifrat e deficitit buxhetorNga Erion Braçe

Ligjvënësi prej 19 vitesh i ka krijuar rregulla qeverisë për të administruar ligjërisht paratë e të mirat publike, normuar në ligjin “Për Buxhetin e Shtetit”. Çdo fund viti ligjvënësi secilit rregull të përgjithshëm buxhetor i vendos dhe kufijtë monetarë, të detyrueshëm për t’u zbatuar gjatë vitit financiar në nisje. Për të kontrolluar ligjshmërinë në zbatimin e ligjeve buxhetore vjetore, ligjvënësi ka krijuar dhe dy filtra kontrolli, njeri si ligj - “Për Buxhetin Faktik”, tjetri që e shoqëron, raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi Buxhetin Faktik - si instrument kontrolli i ligjshmërisë financiare të qeverisë gjatë vitit ushtrimor.

Kuvendi i Republikës është institucioni që administron këto dy dokumente kontrolli. Por Kuvendi i zonjës Jozefinë vuan prej kohësh nga “hernia ligjore”, ashtu siç drejtuesja e tij në “ngrysje politike” vuan nga “hernia diskale” duke limituar funksionet jetike e kthyer detyrimet parlamentare në farsë.

Megjithatë, dokumentet janë bërë publike dhe ne ende kemi lirinë të gjykojmë mbi to.

Kujtesë

Për zbatimin e ushtrimit financiar të vitit 2008, qeveria dhe ligjvënësi nxorën disa akte ligjore në fund të vitit 2007, si dhe gjatë vitit 2008. Kështu, në një praktikë të pagjetur kund në shtete serioze e me qeveri të përgjegjshme, financa të konsoliduara, për të administruar financat publike të vitit 2008 kemi tri dokumente ligjore: ligjin nr. 9836, datë 26.11.2007 “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2008”, ligjin nr. 9969, datë 24.07.2008 “Për disa ndryshime në ligjin për Buxhetin e Shtetit 2008”, Aktin Normativ nr. 10048, datë 24.12.2008 “Për disa ndryshime në ligjin për Buxhetin e Shtetit të vitit 2008, të ndryshuar”. Secili prej këtyre akteve ligjore ka vendosur kufij monetarë të detyrueshëm për qeverinë për t’u zbatuar. Si në çdo rast tjetër, shkelja e këtyre kufijve të materializuar në nene të këtyre ligjeve, përbën shkelje të ligjit, në këtë rast edhe më të rëndë për shkak të pasojave në ekonominë e vendit.

Shkelja e ligjit

Viti financiar 2008 ishte i një rëndësie të veçantë për shkak të krizës ekonomike botërore që po pushtonte muaj pas muaji vende të ndryshme të botës, nga Amerikat, Azi e në Evropë, sektorë të tërë të ekonomisë, nisur nga ai financiar. Kudo ku kriza u shfaq e nisi të prodhonte pasoja, disiplina financiare u shqua si jetike për të përballuar krizën. Në Shqipëri jo.

Raporti i KLSH mbi Buxhetin faktik të vitit 2008 dëshmon se qeveria e Sali Berishës vetëm disiplinë financiare nuk ka pasur duke shkelur ligjin.

Kështu, KLSH ka të provuar se në zërin e të ardhurave, referuar neneve të posaçme për kufijtë monetarë të të ardhurave publike, materializuar në tri aktet ligjore të sipërcituar janë kryer këto shkelje të ligjit:

- Nuk janë realizuar të ardhurat në vlerën e 6.9 miliardë lekëve të rinj; pra në arkën e shtetit në kundërshtim me ligjin e buxhetit, mungojnë 6.9 miliardë lekë.

- Nuk janë realizuar të ardhurat tatimore në vlerën e 6.5 miliardë lekëve të rinj; pra në arkën e shtetit në kundërshtim me ligjin e buxhetit, si dhe ligjeve respektive fiskale, mungojnë nga tatimet e doganat 6.5 miliardë lekë.

- Nuk janë realizuar të ardhurat jo-tatimore në vlerën e 2.1 miliardë lekëve të rinj; pra në arkën e shtetit në kundërshtim me ligjin e buxhetit të shtetit, mungojnë 2.1 miliardë lekë.

- Borxhi tatimor është shtuar në vlerën e 2.6 miliardë lekëve të rinj; pra në arkën e shtetit nga moszbatimi i ligjit për buxhetin e shtetit dhe ligjeve specifike fiskale mungojnë 2,6 miliardë lekë.

- Borxhi doganor është shtuar në vlerën e 1 miliard lekëve të rinj; pra në arkën e shtetit nga moszbatimi i ligjit për buxhetin e shtetit dhe ligjeve specifike fiskale mungojnë 1 miliard lekë.

KLSH ka të provuar se në zërin e shpenzimeve, referuar neneve të posaçme për kufijtë monetarë të shpenzimeve publike, materializuar në tri aktet ligjore të sipërcituara janë kryer këto shkelje të ligjit:

- Nuk janë realizuar shpenzimet në vlerën e 5.7 miliardë lekëve të rinj; pra ekonomisë së vendit në kundërshtim me ligjin për buxhetin e shtetit i mungojnë 5.7 miliardë lekë.

- Nuk janë realizuar shpenzimet korente në vlerën e 7.4 miliardë lekëve të rinj; pra ekonomisë dhe sektorëve jetikë të shërbimeve sociale në kundërshtim me ligjin për buxhetin e shtetit i mungojnë 7.4 miliardë lekë.

- Nuk janë realizuar shpenzimet kapitale në vlerën e 0.2 miliardë lekëve të rinj; pra ekonomisë së vendit në kundërshtim me ligjin për buxhetin e shtetit i mungojnë 0.2 miliardë lekë.

KLSH ka të provuar se në zërin Deficiti i Përgjithshëm, referuar neneve të posaçme për kufijtë monetarë të shpenzimeve publike, materializuar në tri aktet ligjore të sipërcituara janë kryer këto shkelje të ligjit:

- Është tejkaluar limiti i deficitit të përgjithshëm në vlerën e 1.2 miliardë lekëve të rinj; pra në kundërshtim me ligjin për buxhetin e shtetit është shkelur kufiri i financimit të deficitit buxhetor për 1.2 miliardë lekë.

- Është tejkaluar kufiri i financimit të brendshëm në vlerën e 1.6 miliardë lekëve të rinj; pra në kundërshtim me ligjin e buxhetit të ardhurat nga privatizimi janë arkëtuar 1.4 miliardë lekë më pak, kufiri i huamarrjes së brendshme është kaluar me 2.2 miliardë lekë.

Në referencë të ligjit dhe provave të KLSH, shkeljet e ligjit deri në dëm financiar, mungesat në ekonominë e vendit dhe shërbime jetike për taksapaguesit arrijnë në 17.4 miliardë lekë të rinj ose 190 milionë dollarë.

Kaosi

Ana tjetër e disiplinës financiare ka të bëjë me mirëmbajtjen e llogarive të qeverisë. Këtu natyrisht që elementët garantues duhet të jenë që nga planifikimi profesional, që nuk lë shkak për ndryshime të herëpashershme të kufijve monetarë të buxhetit. Paqëndrueshmëria ka shpërthyer në kaos. Kjo edhe për shkak të moszbatimit të ligjit në administrimin e të ardhurave publike, ato tatimore e doganore më së shumti. Por për shkak të disa privatizimeve të rëndësishme edhe të të ardhurave prej tyre. KLSH sjell prova të mjaftueshme se paratë nga to nuk janë arkëtuar në kohën e përcaktuar nga ligji duke sjellë vështirësi në administrimin e buxhetit. Por “tri buxhete” brenda vitit, si shprehje e harbimit politik të Sali Berishës, janë thelbi i kaosit buxhetor.

Janë “pesë palë” shifra brenda një viti buxhetor ato që dëshmojnë se kaosi buxhetor ka bërë të paadministrueshme llogaritë e qeverisë. KLSH, në referencë të tri akteve buxhetore të miratuara gjatë vitit, rregullimeve në një plan përfundimtar me ndryshime sipas Ministrisë së Financave dhe në fund, të dhënave faktike të thesarit jep këtë pamje kaotike të treguesve fiskale të vitit 2008. Gjithnjë në shkelje të plotë të ligjit.

- Sipas ligjit nr. 9836, date 26.11.2007 “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2008”- Të Ardhurat janë 283.6 miliardë lekë; në ligjin nr. 9969, datë 24.07.2008 “Për disa ndryshime në ligjin për Buxhetin e Shtetit 2008”-Të ardhurat bëhen 303.7 miliardë lekë; në Aktin Normativ nr. 10048, datë 24.12.2008 “Për disa ndryshime në ligjin për Buxhetin e Shtetit të vitit 2008, të ndryshuar”- Të Ardhurat ribëhen 298.2 miliardë lekë; sipas Planit përfundimtar me ndryshime të Ministrisë së Financave- Të Ardhurat janë 298.2 miliardë lekë; sipas raportimeve të thesarit -Të Ardhurat faktike janë 291.2 miliardë lekë.

- Sipas ligjit nr. 9836, date 26.11.2007 “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2008”- Shpenzimet janë 369 miliardë lekë; në ligjin nr. 9969, datë 24.07.2008 “Për disa ndryshime në ligjin për Buxhetin e Shtetit 2008”- Shpenzimet bëhen 360.2 miliardë lekë; në Aktin Normativ nr. 10048, datë 24.12.2008 “Për disa ndryshime në ligjin për Buxhetin e Shtetit të vitit 2008, të ndryshuar”- Shpenzimet ribëhen 354.7 miliardë lekë; sipas Planit përfundimtar me ndryshime të Ministrisë së Financave- Shpenzimet janë 357.2 miliardë lekë; sipas raportimeve të thesarit - Shpenzimet faktike janë 351.4 miliardë lekë.

Sipas ligjit nr. 9836, date 26.11.2007 “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2008”- Deficiti i Përgjithshëm është 85.3 miliardë lekë; në ligjin nr. 9969, datë 24.07.2008 “Për disa ndryshime në ligjin për Buxhetin e Shtetit 2008”- Deficiti bëhet 56.4 miliardë lekë; në Aktin Normativ nr. 10048, date 24.12.2008 “Për disa ndryshime në ligjin për Buxhetin e Shtetit të vitit 2008, të ndryshuar”- Deficiti ribëhet 56.5 miliardë lekë; sipas Planit përfundimtar me ndryshime të Ministrisë së Financave- Deficiti është 59 miliardë lekë; sipas raportimeve të thesarit- Deficiti faktik është 60.2 miliardë lekë. Ky kaos ka bërë që askush, po e përsëris, askush nuk di se cila është gjendja e llogarive të qeverisë në 31 dhjetor 2008, ditë kur veprimet kontabël në buxhet e sipas ligjit mbyllen. Por ky kaos, më anë tjetër, quhet vlerë. Kryeministri ynë mburret që në 4 vitet që ndau me FAMILJEN pushtetin politik të shpërdorur, futi praktikën e tre buxheteve të tilla që ndryshe nisin e ndryshe përfundojnë. Pa sjellë zhvillim apo mirëqenie. Sidomos dy vitet e fundit.

Manipulimi i shifrave

Por kjo është mënyra më e mirë për të administruar llogaritë qeveritare, të mirat publike, paratë publike, si pará xhepi apo si ato të FAMILJES.

KLSH tashmë ka të provuar se paratë e llogaritë e qeverisë janë administruar në mënyrë të paligjshme. Madje llogaritë janë manipuluar, siç ndodh rëndom kur do të fshehësh abuzimin, favorin e paligjshëm apo vjedhjen. Më pas, më qartë 5 muaj më pas, 5 muaj larg nga dita kur ligji thotë se veprimet në buxhet mbyllen, 31 dhjetori 2008, bëhet fjalë për deficitin, financimin e tij, të brendshëm e të huaj, të ardhurat nga privatizimi, huamarrjen e brendshëm e të huaj, totalin e borxhit. Manipulimi i shifrave ka ndodhur në këto zëra. Është bërë thjesht me shkresë.

Siç tregova më lart, Akti Normativ i datës 15.12 2008 është dokumenti i fundit ligjor që përcakton kufijtë monetarë në buxhetin e shtetit. Sipas tij kufiri i fundit i deficitit buxhetor është 56.4 miliardë lekë, financimi i brendshëm në kufirin 21.8 miliardë lekë, të ardhurat nga privatizimi në kufirin 2 miliardë lekë, huamarrja e brendshme në kufirin 19.8 miliardë lekë, financimi i huaj në kufirin 34.6 miliardë lekë. Këto duhet të ishin numrat me të cilat duhej të mbylleshin llogaritë e qeverisë më 31.12.2008. Nuk ka asnjë dokument të provojë që ka ndodhur kjo. Përkundrazi, ka dyshime të forta se këto numra janë tejkaluar nga moszbatimi i ligjeve fiskale, ligji për privatizimin e ARMO-s, veçanërisht në aspektin e arkëtimit të parave, si dhe janë tejkaluar shpenzimet e tjera, kryesisht ato të financimit të huaj për segmentin patriotiko-elektoral Rrëshen-Kalimash. Pikërisht këta elemente të shkeljes hapur të ligjit kanë shtyrë qeverinë që 5 muaj më pas të manipulojë shifrat.

KLSH dëshmon se treguesit fiskale të buxhetit janë ndryshuar më 21 maj 2009. Pa asnjë akt ligjor si në 2 raste të tjera, me ligj apo akt normativ. Thjesht me një shkresë formale në Drejtorinë e Buxhetit në Ministrinë e Financave. Nuk ka ndodhur kurrë më parë kjo. Kaq hapur të shkelësh Kushtetutën, ky është guxim prej të marri.

Pra me një shkresë, të ardhurat nga privatizimi janë rritur në maj 2009, për vitin 2008, në 6.9 miliardë lekë nga 2 miliardë që ishin në aktin e fundit ligjor; huamarrja e brendshme është ulur në 17.3 miliardë lekë nga 19.8 miliardë që ishte në aktin e fundit ligjor; huamarrja e huaj është tejkaluar me 1.5 miliardë lekë; deficiti buxhetor është rritur në 59 miliardë lekë nga 56.5 miliardë që ishte në aktin e fundit ligjor.

Nuk mbaron këtu, por dhe llogaritë në përmbyllje të manipulimit i kanë bërë gabim. Në referencë të neneve 5 e 7 të Aktit Normativ duhej që huamarrja e brendshme të ulej respektivisht me 2.4 e 1.5 miliardë lekë, si efekt i financimit nga paratë e privatizimit dhe tejkalimi i rimbursueshëm i huamarrjes së huaj. Pra duhej të ishte në nivelin e 15.8 miliardë lekëve, kur faktikisht rezulton në thesar me 18 miliardë lekë. Më shumë 2.2 miliardë lekë.

Nuk mbaron sërish. Efekti i manipulimit dhe llogaritjes gabim dhe në manipulim është dhënë në borxhin e përgjithshëm, i cili është tejkaluar me 7.2 miliard lekë. Këtu mbaron. Ajo që ka ndodhur është e rëndë. Me një shkresë formale janë ndryshuar kufijtë e miratuar tri herë me ligj. Dhe kjo ndodh 5 muaj pasi është mbyllur me ligj viti buxhetor. Nuk mjafton kaq, por treguesit llogariten gabim duke e bërë edhe më të dukshëm manipulimin e shifrave. E gjitha është shkelje e rëndë e ligjeve në fuqi. Madje klasifikohet si krim. E shtyrë nga nevoja ekstraligjore, interesash personale, të klaneve nën FAMILJEN që na qeveris, por dhe nga nevoja jetike elektorale për pará elektorale. Viti 2008 ishte paradhoma e 6 muajve të fortë elektoralë. Ndaj çdo gjë e ndaluar me ligj ndodhi si të ishte e ligjshme. FAMILJA, “gjithçka e bëri të lejueshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›