E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha s’mbajti asnjë premtim

• Kreu socialist Edi Rama prishi dje "armëpushimin" me Sali Berishën, duke e akuzuar atë për demagogji.Aristir Lumezi"Zoti Kryeministër mori shumë angazhime, po deri në çastin që flasim nuk ka mbajtur absolutisht as edhe një të vetëm. Asgjë nga ato që ai na premtoi nuk gjendet në paketën e re fiskale, e cila në këto dy vitet e fundit vetëm i ka shteruar burimet tona të financimit", tha Rama. Këtë deklaratë, Rama e bëri në "Debatin Vjetor për Mirëqeverisjen Vendore", të organizuar dhe drejtuar nga Fondacioni "Qemal Stafa", me pjesëmarrjen e të zgjedhurve vendorë socialistë. Duke folur për pengesat që pushtetit vendor i krijohen nga qeverisja qendrore, Rama tha se qeveria aktuale nuk ka parashikuar asgjë nga ato çka i premtoi Kryeministri në emër të decentralizimit. "Asgjë nga ato që Kryeministri na premtoi nuk gjendet as në buxhetin e vitit 2008, ku vijohet me skema të fantazuara grantesh konkurruese që nuk gjenden në asnjë vend tjetër të botës demokratike, sepse janë shpikja shqiptare e radhës, me të cilat, disa të ashtuquajtura komitete, bëjnë ndarjen e fondeve sipas shijeve e orekseve elektorale e korruptive dhe jo sipas nevojave të komuniteteve", tha Rama. Duke folur për shkëputjen dhe injorimin e pushtetit vendor nga ekzekutivi, Rama solli shembullin e ministrit të Mjedisit, Xhuveli. "Madje, më lejoni të ndaj me ju bindjen se ky vend duhet të jetë absolutisht i vetmi vend në botë, ku ministri i Mjedisit dora vetë, në rastin tonë banori i kryeqytetit Lufter Xhuveli, nuk paguan tarifën e pastrimit, megjithëse kjo tarifë në Tiranë është qesharake, vetëm 2100 lekë në vit për familje! Por kryeqytetasi agraro-ambientalist Lufter Xhuveli nuk paguan as taksën e gjelbër. E cila është edhe më qesharake: 200 lekë në vit për familje"! tha Rama. Por në fjalën e tij, Rama kërkoi nga të zgjedhurit vendorë socialistë që të jenë sa më bashkëpunues me aleatët, por dhe kundërshtarët politikë në këshilla dhe bashki në funksion të shërbimeve që duhet t'i ofrojnë qytetarëve. "E di që ndër ju nuk janë të paktë ata që mund të mbajnë fjalime të tëra për vështirësitë e bashkëpunimit e të bashkëqeverisjes, për sjelljen e papërshtatshme, bllokuese apo abuzive, të një aleati në këtë bashki apo të një aleati tjetër në atë komunë, për mungesën e shpeshtë të një sensi të përbashkët të detyrimeve ndaj komunitetit si detyrime që janë mbi çdo detyrim partiak apo personal", tha Rama. Në takimin e djeshëm, Fondacioni "Qemal Stafa" u shpërndau të zgjedhurve vendorë "Kodin e praktikave të mirëqeverisjes në pushtetin vendor", mbi të cilin ata do të mbështesin të gjithë principet e punës së tyre.Sajmir TahiriDrejtoi ekzekutiv i Fondacionit "Qemal Stafa", i cili organizoi edhe debatin e djeshëm, i pari i këtij lloji, tha se "hartimi i Kodit të Praktikave të Mirëqeverisjes në Pushtetin Vendor sigurisht përbën një hap pozitiv në këtë drejtim, por sigurisht që implementimi si një standard i detyrueshëm i parimeve që ai përmban, është sfida e vërtetë që kemi përpara".Guido RhodioRaporteri për Shqipërinë në Kongresin e Autoriteteve Vendore dhe Rajonale në Këshillin e Evropës, Dr. Guido Rhodio, njëkohësisht edhe Kryetari i Bashkisë së Skuillancës, Itali, në fjalën e tij këmbënguli në rëndësinë që ka për pushtetin vendor demokratizimi i tij, i cili sjell mirëqeverisje. Sipas tij, nëse nuk ka një demokraci lokale të vërtetë, nuk mund të ketë një demokraci të plotë".Kujdes me aleatët!Kreu socialist Edi Rama kërkoi nga të zgjedhurit vendorë të tregohen të kujdesshëm me aleatët. "Asgjë nuk e justifikon reagimin ndaj sjelljeve të papërshtatshme të cilitdo aleati me sjellje të papërshtatshme nga ana jonë. Me aleatët nuk jemi një parti, por bashkohemi në politikën e re që po ndërtojmë për të ndryshuar vendin e fëmijëve tanë", tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›