E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Rritja e pragut kërkon pakt Rama-Berisha

• Reforma zgjedhore mund të realizohet nëpërmjet një pakti politik, ndërmjet dy drejtuesve të partive kryesore politike, Edi Ramës së PS-së dhe Sali Berishës të PD-së.Arritjen e një marrëveshje mes liderëve socialistë dhe demokratë, e hodhi dje bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami. "Kemi kërkuar një bashkëveprim politik me PD-në, i cili mund të bëhet në të gjitha nivelet. Deri në nivelin e dy kryetarëve, nëse do pranojë PD-ja, ne jemi të gatshëm për bisedime edhe në nivelin më të lartë", theksoi socialisti Islami. Ai u shpreh për nevojën e hartimit të një axhende të qartë veprimesh dhe një kalendari që mund të zgjasë deri në javën e parë ose të dytë të marsit. Marrëveshja mes dy krerëve të partive kryesore, Berishës dhe Ramës, shihet si një mundësi bashkëpunimi vetëm në rast të ndryshimit të sistemit zgjedhor, çka do të thotë rritja e pragut elektoral. Vetëm dy partitë e mëdha, me votat që zotërojnë në Kuvend, mund të realizojnë rritjen e pragut elektoral, çka do të sillte më pas edhe një reagim të partive aleate. PD-ja, si parti në pushtet, nuk ka dhënë ende një opsion të sajin për pragun elektoral dhe për sistemin, duke theksuar se "është pro çdo varianti që do të propozojë opozita për sistemin zgjedhor". "Ka një deklarim implicit, jo eksplicit në favor të një sistemi proporcional, jemi në këtë fazë ku do të përcaktohet fillimisht, cili nga sistemet e kësaj familjeje duhet të jetë dhe pastaj parametrat e tillë, siç janë listat e mbyllura apo listat me votë preferenciale dhe momenti tjetër, ai i përcaktimit të pragut elektoral", theksoi Islami. Vetë këto kushte duket se kërkojnë një vullnet më madhor se sa Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›