Mc Cain: Shqipëria duhet pranuar anëtare e NATO
• Kandidat favorit për president i SHBA-së nga radhët e republikanëve, Xhon Mc Cain me anë të një letre të hapur është pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO."Ka ardhur koha që ta nxjerrim Ballkanin dhe Kosovën së bashku me të nga e kaluara e '90-ës në drejtim të shekullit të 21-të, duke e njohur pavarësinë e saj", shkruan senatori amerikan Mc Cain, në një deklaratë të lëshuar dje në Mynih të Gjermanisë, ku mbahet Konferenca për Sigurinë. Sipas radio "Dojçe Vele" të seksionit shqip, kandidati republikan është një nga të ftuarit e rregullit të Konferencës së Mynihut, por këtë radhë nuk është i pranishëm për shkak të garës presidenciale në SHBA. Në deklaratën e tij, Mc Cain u shpreh edhe për zgjerimin e NATO-s, duke përfshirë tre vendet e Kartës së Adriatikut. "Samiti i Bukureshtit ofron një mundësi të mirë për të ankoruar demokracinë dhe qëndrueshmërinë në vendet fqinje, duke pranuar në Aleancën tonë Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë", thekson në letrën e tij Mc Cain. Sipas tij, tre vendet aspiruese për në NATO, e kanë demonstruar me reforma konkrete se janë të gatshëm për ditën e pranimit. Pro hyrjes së Shqipërisë në NATO, është shprehur edhe kandidatja e demokratëve për president të SHBA-së, Hilari Klinton. Në një intervistë dhënë për një gazetë shqiptare në Nju Jork, Klinton deklaroi se, "Vizioni im është një Evropë në paqe, e qëndrueshme dhe e sigurt dhe me Ballkanin, pra përfshi edhe Shqipërinë, të anëtarësuar në NATO dhe të integruar tërësisht në një radhë institucionesh euro-atlantike. Si demokracitë e tjera të reja që janë anëtarësuar në NATO në vitet e fundit, edhe Shqipëria duhet të bëhet pjesë e kësaj aleance të rëndësishme". Konferenca e Sigurisë në Mynih, këtë vit zhvillohet nën moton "Një botë e destabilizuar - ndryshime pushtetesh - strategji të paqarta". Në konferencë po marrin pjesë rreth 250 përfaqësues të lartë nga më tepër se 50 vende të botës, në mesin e tyre edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts dhe zëvendëskryeministri rus, Sergej Ivanov. Qeveria gjermane përfaqësohet nga ministri i Mbrojtjes, Franc Jozef Jung dhe ministri i Jashtëm, Frank-Valter Shtajnmajer, Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan. Përfaqësues i shtetit shqiptar në këtë konferencë është ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Temë qendrore në këtë takim do të jetë gjendja në Afganistan, kontrolli i armatimit dhe raportet mes Perëndimit e Rusisë. Pjesë tjetër e diskutimeve janë edhe stabiliteti i rajonit të Ballkanit, si dhe anëtarësimi në NATO i këtyre shteteve, si dhe statusi i Kosovës. Në këtë panel, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, inkurajoi Kroacinë, Shqipërinë, Maqedoninë në përpjekjet e tyre për anëtarësim. Shefer shpreson që në Samitin e Bukureshtit të jenë pjekur mundësitë për një ftesë për në NATO. Edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Gejts, gjatë takimit me Presidentin maqedonas është shprehur se, "Pozicioni i SHBA-së është se vendet e Kartës së Adriatikut - Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia, duhet të bëhen anëtare të plota të NATO-s, sepse me këtë vendim do të përforcohet stabiliteti rajonal dhe kapacitetet e përgjithshme të Aleancës".