Foshnja shqiptare, 2 muaj peng i një siriani
Mateo Dullia është rrëmbyer në lagjen e tij. Policia greke, në kërkim të rrëmbyesit sirian
ATHINË- Dramë familjare për një çift emigrantësh shqiptarë në Greqi. Fëmija i tyre njëvjeçar është zhdukur në rrethana të mistershme dhe për rrëmbimin e tij ka dyshime të forta për një person me ngjyrë, klandestin nga Siria. Burime zyrtare nga Policia e Athinës konfirmuan se Mateo Dullia është emri i djalit të zhdukur, i cili ka ardhur në jetë më 28 shtator 2007 nga një çift emigrantësh shqiptarë me dokumente të rregullta në Greqi. Mateo u zhduk më datë 7 shtator 2007, mbi dy muaj më parë nga zona “Kukaki” në Athinë. Kërkimet e deritanishme të familjes Dullia, të afërmve e miqve të tyre, por edhe të policisë dhe qendrës kombëtare greke për fëmijët e zhdukur dhe dhunuar kanë rezultuar të pasuksesshme.
Rrëmbimi
Kur nuk kishte bërë ende vitin e ardhjes në këtë botë, Mateo u zhduk mistershëm duke lënë nën pezmatim të thellë familjen dhe miqtë e tyre. Pasditen e 7 shtatorit të këtij viti, fëmija asokohe 11-muajsh, Mateo Dullia, gjendej pranë banesës në lokalitetin Kukaki. Rreth orës 18.30 të kësaj dite,në një çast që fëmija ndodhej i vetëm është zhdukur në mënyrë të mistershme. Kur prindërit konstatuan humbjen e fëmijës së tyre, lëshuan alarm dhe në vendngjarje u mblodhën fqinjët si dhe kalimtarët. Brenda pak minutash,atje ka mbërritur një grup hetimor i policisë së Athinës. Nga dëshmitë e mbledhura, policia arriti në përfundimin se një burrë me ngjyrë kishte rrëmbyer fëmijën pranë shtëpisë së familjes Dullia, emigrantë të rregullt nga Shqipëria. Ditën që u zhduk, vogëlushi kishte të veshurbluzë ngjyrë portokalli dhe jeshile si dhe pantallona po ashtu në ngjyrë portokalli, ndërsa mbante në këmbë, një palë këpucë ngjyrë bezhë. Denoncimi në polici u bë nga babai i foshnjes, por edhe pse ka pasur kërkime intensive për Mateon, ende nuk dihet asgjë për fatin e tij.
I dyshuari
Personi që identifikohet nga policia si autor i rrëmbimit të fëmijës quhet Hasan Kerim, 34 vjeç, nga Siria, emigrant klandestin prej kohësh në Greqi. Vendbanimi i tij i fundit i identifikuar prej policisë është në zonën e Glifadhës në Athinë. “Fëmija është rrëmbyer nga 34-vjeçari i identifikuar me emrin Hasan Karim, 34 vjeç, shtetas sirian, emigrant i paligjshëm në Greqi”, -është deklarata zyrtare e lëshuar nga policia e Athinës.“Hasan Kerim është i paligjshëm në Greqi. Ai është i gjatë 167 centimetra dhe ka peshë 60 kilogramë”, - shtoi policia e kryeqytetit grek e cila theksoi se po investigon intensivisht për ngjarjen që ka sjellë trishtim të thellë në familjen Dullia. Megjithë kërkimet, ende nuk është siguruar asnjë informacion që mund të identifikojë vendndodhjen e emigrantit të paligjshëm sirian, i cili dyshohet se ka rrëmbyer Mateon. Kush është Mateo
Vogëlushi që tani duhet të jetë 13 muajsh, Mateo Dullia, është 70 centimetra i gjatë dhe peshonte ditën e humbjes dhjetë kilogramë. Ai ka flokë në ngjyrë gështenjë të hapur, kurse ngjyrën e syve e ka të gjelbër.
Kërkimet
Në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e fëmijës, media bashkohet me thirrjen e familjarëve dhe autoriteteve greke. Cilido person i cili mendon se ka të dhëna për vendndodhjen e fëmijës, mund të telefonojë menjëherë në numrin SOS 1056, që është një linjë e cila funksionon brenda Greqisë, apo në numrin tjetër, 0030 210 7609554.
Të dhënat:
Emri
Mateo
Mbiemri
Dullia
Vitlindja
28/9/2007
Ngjyra e flokëve
Gështenjë e hapur
Ngjyra e syve
Të gjelbër
Pesha
Dhjetë kilogramë
Dita e zhdukjes
7/9/2008
Mbante veshur:
Bluzë ngjyrë portokalli dhe jeshile
Pantallona ngjyrë portokalli
Këpucë ngjyrë bezhë