Në birucë për një pasaportë..
TIRANË- Mungesa e një dokumenti identifikimi, jo pak qytetarëve u ka kushtuar disa orë në komisariat. Punonjësit e policisë thonë se kryejnë detyrën e tyre, duke ndaluar gjatë orëve të natës persona sipas tyre të dyshimtë, të cilët lëvizin në rrugë, por deri më sot, askush nuk u ka thënë shqiptarëve se nuk duhet të lëvizin pa pasaportë në xhep. Një pjesë e mirë e tyre deklarojnë se i kanë harruar në shtëpi,duke dhënë gojarisht gjeneralitetet për të cilin betohen se janë të vërteta, por pa mundur të bindin forcat e policisë të cilët i shoqërojnë ata në komisariat dhe i mbajnë deri në verifikimin e identitetit të tyre. Janë mbi 40 persona që shoqërohen çdo natë në komisariatet e policisë së Tiranës. Nuk e dinë se nëse nuk kanë dokument identifikimi shoqërohen për nga policia për verifikim, apo harrojnë të mbajnë me vete këtë dokument? Burime nga policia thonë se kur përballen me patrullën e policisë, qytetarët nuk ngurojnë të tregojnë se ku banojnë dhe gjeneralitetet e tyre, por dokument identifikimi nuk kanë me vete, për shkak se harrojnë, ndërsa një pjesë tjetër nuk kanë dijeni se mungesa e këtij dokumenti të kushton disa orë në komisariat.
“Nëse një person nuk ka dokument identifikimi me vete, shoqërohet në komisariat. Pasi verifikojmë gjeneralitetet e tij, personi lihet i lirë. Kjo gjë bëhet pasi personat që lëvizin gjatë orëve të natës mund të jenë edhe të kërkuar nga policia, gjë e cila mund të vërtetohet vetëm me anë të një dokumenti identifikimi”,- thonë për “Shekullin” zyrtarë të policisë. “Një person që ndalohet natën vonë në lagjen “Ali Demi” në Tiranë dhe banon në një qytetet tjetër, kur pyetet nga uniformat blu se çfarë kërkon në këtë lagje me mundim të sqaron gjë e cila ngre dyshime të policët, ku dhe mungesa e dokumentit bën që ai të shoqërohet e të mbahet disa orë në komisariat deri në përfundim të verifikimit”,- shtojnë më tej burimet policore. Fundjava çon më shumë qytetarë në rajonin e policisë. “Shpeshherë përballemi me persona të dehur dhe për të shmangur ndonjë incident ata shoqërohen” -tregojnë më tej burimet nga policia. “Shënjestra” e furgonit të patrullës janë personat që nuk banojnë në Tiranë. Për arsye nga më të ndryshmet, ata gjenden në kryeqytet por mungesa e dijes se mund të përfundosh në komisariat nëse nuk mban dokument identifikimi bën që shumë prej tyre të qëndrojnë me orë të tëra në qeli, deri në përfundim të procedurës.
Ata ndalohen vetëm për t’u identifikuar, por nuk janë të pakta rastet që përfundojnë me pranga në duar pas sherrit me efektivat blu. “Me ç’të drejtë më ndalon. Unë nuk kam kryer asgjë të dyshimte dhe nuk mund të më shoqërosh në komisariat se kam harruar të marr me vete një dokument identifikimi”. Pas këtyre deklaratave të qytetarëve që nuk e dinë se përfundojnë në qeli në mungesë të një dokumenti identifikimi, nis dhe sherri me efektivat blu. “Nuk janë të paktat rastet kur qytetarët i bëjnë rezistencë policisë. Duke kundërshtuar punonjësit e policisë ata përfundojnë në komisariat madje rrezikojnë edhe prangosjen”,- tregojnë më tej zyrtarët, të cilët nuk dinë t’i gjejnë një zgjidhje këtij problemi. Por ndryshe nga policia e cila deklaron se kryen detyrën e saj, qytetarët e revoltuar thonë se ndalohen pa të drejtë. “Unë sapo kisha mbaruar punën dhe po kthehesha në shtëpi. Ishte ora rreth 12:00 e natës, kur një furgon policie ndaloi para meje dhe dy inspektorë më kërkuan dokument identifikimi. U thashë se nuk kam me vete dhe e kam shtëpinë afër, ndaj mund të shkoja dhe ta merrja. Por kjo gjë nuk u pranua nga policët duke bërë që të më çojnë në komisariat dhe të dal prej andej pas rreth katër orësh”,- ankohet për “Shekullin” një 30-vjeçar.
Ligji për policinë e Shtetit
Neni 102
Kontrolli i Identitetit
1-Punonjësi i policisë bën kontrollin e identitetit të personave kur:
janë të pranishëm ose në afërsi të drejtpërdrejtë me vendngjarjen dhe kur janë dëshmitarë të mundshëm të veprës penale.
Ekzekutohet një urdhër i organeve përkatëse
Kërkohen personat e dyshuar për cenim të rendit publik
Ata hyjnë ose dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë
Për rrethana të kohës dhe vendit dyshohet se personi është përfshirë në veprime të jashtëligjshme
Për një identifikim të besueshëm të personit, punonjësi i policisë bazohet në dokumentet ligjore të identifikimit.
Reagimi
Hysi: Policia bën detyrën, qytetarët të informohen
“Policia ka të drejtë të ndalojë çdo person për të kontrolluar identitetin e tij. Kështu çdo qytetar duhet të mbajë me vete një dokument identifikimi, gjë e cila procedohet në të gjitha vendet e tjera. Por duket se qytetarët nuk janë të informuar se mungesa e një dokumenti identifikimi u kushton atyre shoqërimet në komisariat”,- u shpreh për “Shekullin” Vasilika Hysi, kryetare e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Sipas saj, policimi në komunitet por edhe media duhet të ndikojë në sensibilizimin e qytetarëve për të mbajtur një dokument identifikimi me vete. “Ka raste kur janë aksidentuar persona dhe për shkak se nuk kanë pasur asnjë dokument identifikimi me vete, identiteti i tyre është zbuluar me vonesë. Për çdo rast jo vetëm për përballjen me policinë qytetarët duhet të mbajnë një dokument identifikimi me vete” ,-shtoi më tej Vasilika Hysi.
VERIFIKIMI
Policia vonon procedurën
“Personat që nuk kanë dokument identifikimi me vete, shoqërohen në komisariat dhe pasi familjarët e tyre sjellin një dokument identifikimi, apo për personat nga rrethet bëhet identifikimi mes homologëve atëherë qytetarët lihen të lirë”. Por ndryshe nga policia, qytetarët të cilët kanë provuar komisariatin për këtë shkak tregojnë se procedura nuk është kryer kaq thjesht. Megjithëse me ligj policia ka të drejtë të mbajë në qeli një të shoqëruar për rreth 10 orë, qytetarët tregojnë se nuk është e nevojshme të mbahen aq gjatë kur janë ndaluar vetëm pak metra larg banesës së tyre. “Unë po shkoja në shtëpi, policia më ndaloi e më kërkoi një letër identifikimi, u thashë se cili jam dhe ku banoj. Ata nuk u bindën. U tregova banesën me qëllim që të shkoja të merrja një dokument e t’ua tregoja. Sërish nuk u bindën, por më çuan në komisariat. Bashkë me mua ishin edhe tre persona të tjerë. Në komisariat munda të lajmëroja familjarët se ndodhesha në polici por jo arsyen gjë e cila alarmoi jo pak ata. Kam qëndruar disa orë në komisariat dhe pasi inspektorët kryen verifikimin jam lënë i lirë”, -tregoi për “Shekullin” një qytetar.