E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipoteka, dokumenti që mban peng qindra banesa në Tiranë

Miliona euro pasuri të paluajtshme, janë të bllokuara si pasojë e shkeljeve të lejeve të ndërtimit. Banorët nuk shesin dot shtëpitë

Rreth 110 apartamente presin lejen e shfrytëzimit. Bashkia thotë se do të kalojnë në sitë të gjithë subjektet me shkelje

Të kesh një strehë në kokë, por të dyshosh në është apo jo çatia që ke ëndërruar një jetë të tërë. Ndodh pikërisht në kryeqytet, por jo vetëm. Me qindra qytetarë ankohen se, megjithëse kanë blerë prej vitesh një banesë, po prej kaq kohësh nuk gëzojnë hipotekën, e cila u mundëson të gëzojnë me të drejta të plota ligjore objektin ku kanë derdhur një pjesë të mirë të të ardhurave të mbledhura me mund gjatë jetës. Shkak për mungesën e hipotekës së banesës, janë shkeljet e lejes së ndërtimit nga subjektet operuese, gjë që ka detyruar Bashkinë e Tiranës të mos u japë abuzuesve lejen e shfrytëzimit të objekteve, në këtë rast pallateve. Situata është mëse kritike. Pa një shifër të saktë, burime pranë Hipotekës deklarojnë se janë miliona euro pasuri të paluajtshme, të cilat janë bllokuar në treg. Ata që vuajnë më shumë nga kjo gjendje janë qytetarët, të cilët nuk kanë mundësi të kryejnë asnjë veprim ligjor në banesën që ata presupozojnë se është e tyre.

Janë 115 objekte të përfunduara, të cilat kanë dorëzuar dokumentacionin pranë Bashkisë së Tiranës, në pritje të procesit të shqyrtimit për t’u pajisur me lejen e shfrytëzimit. Këto shifra vijnë nga Drejtoria e Kontrollit të Zhvillimit Urbanistik dhe Territorit në Bashkinë e Tiranës. Është pikërisht Sektori i Kontrollit të Zbatimit të Lejeve, i cili merr në shqyrtim këtë dosje. Sipas kësaj drejtorie, përveç 115 ndërtimeve që kërkojnë të pajisen me lejen e shfrytëzimit, rezultojnë dhe 71 aplikime, të cilat i janë nënshtruar më parë procesit të legalizmit pranë Agjencisë së Legalizimit. Shumica e këtyre objekteve janë pallate të reja. Pasi këto ndërtime përfundojnë së ndërtuari dhe fillojnë të popullohen, ato përgatisin dhe dokumentacionin e duhur për ta dorëzuar atë më pas në zyrat e institucionit vendor. Megjithatë, numri i ndërtimeve, të cilat kanë përfunduar dhe nuk kanë aplikuar për këtë leje është shumë herë më i lartë se numri i ndërtimeve që kanë aplikuar për t`u pajisur me këtë leje. Sipas Bashkisë, ndër arsyet kryesore që i pengon këta ndërtues t`i drejtohen kësaj zyre për t`u pajisur me leje dhe më pas për t`u hipotekuar, janë pikërisht mosrespektimi i kushteve teknike gjatë ndërtimit të tyre.

Këto pallate nuk mund të dorëzojnë relacionin, ku të reflektojnë përputhjen e planimetrisë me projektin e miratuar. Nga Sektori i Kontrollit të Zbatimit të Lejeve, shpesh evidentohen shkelje, si dhe shumë punime të maskuara. Ndër më kryesoret mund të përmenden devijimi nga planimetria fillestare, hedhja e kateve jashtë projektit, ndryshimi i strukturave të brendshme, mosrespektimi i distancave me objektet përreth, etj. Ndërkohë, nëse evidentohen ndryshime në vendosje, në përmasa, volum dhe në arkitekturë, apo mungesa në dokumentacion, sanksionet fillojnë nga gjobat dhe arrijnë deri në prishje. Gjithsesi, ata që dalin të humbur në këtë mes janë banorët e këtyre banesave, të cilët pa këtë leje jo vetëm që nuk i kanë në pronësi këto pasuri, por edhe nuk mund kryejnë veprime imobiliare, pasi mospajisja me lejen e shfrytëzimit sjell automatikisht dhe mos hipotekimin e banesave të tyre.

Qytetarët banues në këto pallate ankohen shpesh se, megjithëse kanë disa vite që kanë blerë hyrjet nga firmat e ndërtimit, akoma nuk u është dorëzuar dokumenti i pronësisë. Në rast se Bashkia nuk has shkelje gjatë verifikimit të dosjes, me kërkesën e zotëruesit të sheshit të ndërtimit, zyra përkatëse urbanistike i përcjell zyrtarisht zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në juridiksionin e së cilës ndodhet objekti, konfirmimin zyrtar të përfundimit të punimeve të ndërtimit të objektit, në përputhje me ligjin, projektin dhe kushtet urbanistike të miratuara për sheshin e ndërtimit. Me paraqitjen e këtij dokumentacioni, zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme kryen veprimet përkatëse të regjistrimit të objektit dhe lëshon certifikatën e pronësisë të të interesuarit. Momentalisht, Bashkia nuk mund të japë një shifër të saktë të ndërtimeve që do të pajisen me këtë leje, pasi dosjet e aplikantëve janë ende në shqyrtim. Me dhënien e lejes së shfrytëzimit, Bashkia hap rrugën dhe për hallkën e fundit ligjore, atë të hipotekimit.

PritjaHipoteka, të thinjesh duke pritur në rradhëPallatet e pa hipotekuara janë bërë tashmë pjesë e jetës së një numri të madh qytetarësh në Tiranë. Ata ankohen se për faj të ndërtuesve, nuk janë në gjendje të shesin apo të japin me qira pronën e tyre. Mangësi nga më të ndryshmet bëjnë që Bashkia të mos japë lejet e shfrytëzimit për ndërtuesit dhe pasojat më të mëdha për këtë i vuajnë qytetarët. Pavarësisht lejes që kanë marrë në fillim të projektit, ata mund të kenë devijuar nga projekti fillestar, çka ka sjellë edhe anullimin dhe mosdhënien e lejes përkatëse. Shumë qytetarë ankohen për problematikën që i shqetëson drejtpërdrejt këta njerëz, e cila konsiston në heqjen e të drejtës së tyre të pronës. Ata kanë shpenzuar shuma marramendëse për t’i blerë këto shtëpi, por deri më tani nuk janë pronarë të tyre. Pritje kjo, që mund të shkaktojë probleme sociale për një pjesë të tyre. Shumë prej ndërtuesve nuk janë të interesuar për të përfituar të mira materiale që nuk lidhen drejtpërdrejt me qytetarët. Burokracitë midis institucioneve të ndryshme, bëjnë që problemi të kalojë drejtpërdrejt tek qytetari i thjeshtë, pa marrë parasysh pasojat që mund të shkaktojë. Megjithatë, problemet sociale që shkaktojnë ndërtesat e reja janë nga më të ndryshmet. Një banor ankohet se nuk mund ta shesë dyqanin e tij, por edhe garazhin e tij. “Asnjë nuk pranon që ta blejë pronën time të pahipotekuar”, - shprehet ai. Konflikti tjetër që është ndikues drejpërdrejt mbi popullin, është edhe konflikti midis ndërtuesit dhe pronarit të tokës. Shumicës së pronarëve të tokave nga ndërtuesit, u premtohet një shumë e konsiderueshme parash, apo një numër i caktuar apartamentesh dhe dyqanesh. Megjithatë, pavarësisht këtyre premtimeve, pas ndërtimit të objektit, një pjesë e tyre devijon. Kjo sjell edhe bllokimin e hipotekimit të apartamentit, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë tek të gjithë pjestarët e një kompleksi banimi. Devijimi nga projektet fillestare është bërë një praktikë e njohur për shumicën e ndërtuesve. Ata kërkojnë të përfitojnë nga vakumet që krijon ligji dhe të përfitojnë nga ligji i legalizimeve. Shumë pallate kanë bërë shtesa nga më të ndryshmet, për të përfituar natyrisht nga ky ligj. Hapësirat që krijohen kështu, bën që të mbahet pezull, për një kohë të gjatë, çështja e hipotekimit të komplekseve ndërtimore. Mangësitë në legjislacion kanë bërë shkaktarë dhe pësues, drejtpërdrejt popullin që ka harxhuar shuma të majme parash për t’i blerë ato dhe në këto momente të mos jenë në dispozicion të tyre për t’u përdorur. G.Ç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›