Kadare: Dosjet, politikanët po mbajnë peng shoqërinë
Dy dekada pas rënies së komunizmit, shqiptarët jetojnë njëherazi me frikën dhe kuriozitetin e hapjes së dosjeve të policisë sekrete mbi jetën e civilëve, të cilat janë mbajtur të mbyllura që nga rënia e regjimit të vjetër. Agjencia franceze e Lajmeve, AFP shkruan se megjithëse disa politikanë kanë kërkuar që të vetëdemaskohen dhe të hapen dosjet, rezulton se vetëm aty për aty, pak dosje të personave të njohur janë bërë publike. “Sa herë që përmendet çështja e hapjes së dosjeve, është ndrydhur me shpejtësi me idenë se arkivat janë shkatërruar ose janë manipuluar nga politikanët”, - thotë për AFP-nëBedri Coku, i cili ka vuajtur 34 vite në burgjet dhe kampet e komunizmit. “Vazhdohet me këtë terror për hapjen e dosjeve”, - thotë me tej Coku në lidhje me Shqipërinë. Sipas burimeve jozyrtare, përmend AFP-ja, rezultojnë se rreth 20 për qind e shqiptarëve kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete komuniste dhe kanë informuar për aktivitetet e “dyshimta” të shokëve, fqinjëve, kolegëve apo edhe të anëtarëve të familjes.
Sigurimi fuqiplotë për shumë kohë i diktatorit Hoxha u vendos që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të zbulonte të gjitha tentativat opozitare apo protestat antikomuniste. Burimet e Shërbimeve Sekrete Perëndimore besojnë se më shumë se 10 mijë vetë kanë punuar në shërbimet e fshehta shqiptare. Pas rënies së regjimit në vitin 1991, gjashtë vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës, Sigurimi u shndërrua dhe u zëvendësua nga Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK).
“Mediat shqiptare në mënyrë të rregullt kanë botuar dosje të bashkëpunëtorëve për figura publike, pa u përmendur emrin, por vetëm pseudonimin, të cilët kishin punuar për Sigurimin. Thashethemet vazhdojnë akoma të qarkullojnë për ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, që janë në politikë apo anëtarë të Kuvendit”,- shkruan më tej AFP-ja. “Ligjet e deritanishme nuk kanë mundur të mbyllin këto spekulime, me disa përjashtime, dhe të përjashtojnë nga jeta publike ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit”, - citohet nga kjo agjenci Kastriot Dervishi, drejtori i Arkivave në Ministrinë e Brendshme shqiptare. Parlamenti pritet të bëjë një tjetër draft ligjor, për të përjashtuar nga jeta politike ish-funksionarët e policisë sekrete. Por debati mes qeverisë dhe opozitës ka lënë shumë të pabindur përsa i përket konkretizimit të kësaj nisme. “Në vend që të ndihmojnë të vërtetën që të dalë jashtë, morali i politikanëve ka manipuluar prej vitesh çështjen dhe ka ndihmuar politikanët shqiptarë që të mbajnë shoqërinë peng”, - tha për AFP-në shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare. “Vetëm fundi i këtyre spekulimeve do të bëjë të mundur që politika dhe shoqëria shqiptare të pastrohen nga ethet dhe errësira e dosjeve”, - tha më tej Kadare.
Ramiz Alia, i cili zëvendësoi Hoxhën dhe ishte Presidenti i fundit komunist në Shqipëri, është shprehur në favor të hapjes së dosjeve, por paralajmëron se ky proces: “nuk mund të sjellë ndonjë gjë të dobishme”. “Ka një nevojë të hapen dosjet”, - tha Ramiz Alia, por që këmbëngul se “arkivat janë shkatërruar, selektuar dhe manipuluar nga të gjitha qeveritë pas rënies së komunizmit”. Burime të pakonfirmuara nga Shërbimi Sekret Shqiptar thonë se zyrtarët komunistë nisën shkatërrimin e arkivave më herët se në vitin 1991, duke dashur të eliminojnë mundësitë e bashkëpunimeve, një praktikë që, sipas burimit, kanë vazhduar në vijim nga të gjitha qeveritë demokratike. Në vitin 1997, gjatë rebelimit civil të armatosur, pas rënies së piramidave, disa dosje u gjeten lehtësisht të ruajtura afër bodrumeve të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë. Grupet e armatosura, me shpresën se mund të gjenin rezerva shtetërore të floririt, u dëshpëruan që nuk i gjetën dhe i hodhën dokumentet që gjetën në lumë. “Vetëm rreth 30 mijë dosje kanë mbetur në arkivë, shumë prej të cilave u përkasin vetëm pak njerëzve të njohur apo ish-bashkëpunëtorëve që tashmë kanë vdekur. Rreth 500 emra nga pjesa më aktive e ish-bashkëpunëtorëve janë fshirë me kujdes nga regjistri i ish-Policisë Sekrete... Ekspertë të huaj e kishin të pamundur të verifikonim më shumë se 20 prej tyre”, - thotë më tej Dervishi. Media shqiptare ka raportuar se mendohet që janë zhdukur midis 27 mijë deri në 60 mijë dosje sekrete në dy dekadat e kaluara. Ekzistenca e dosjeve vazhdon të jetë frika e shumë shqiptarëve dhe tepricat që kanë mbetur mund të përdoren për manipulime apo për shantazhe.
Ismail Kadare
“Në vend që të ndihmojnë të vërtetën që të dalë jashtë, morali i politikanëve ka manipuluar prej vitesh çështjen dhe ka ndihmuar politikanët shqiptarë që të mbajnë shoqërinë peng. Vetëm fundi i këtyre spekulimeve do të bëjë të mundur që politika dhe shoqëria shqiptare të pastrohen nga ethet dhe errësira e dosjeve”
Ramiz Alia
Presidenti i fundit komunist në Shqipëri është shprehur në favor të hapjes së dosjeve, por paralajmëron se ky proces: “nuk mund të sjellë ndonjë gjë të dobishme”. “Ka një nevojë të hapen dosjet, por arkivat janë shkatërruar, selektuar dhe manipuluar nga të gjitha qeveritë pas rënies së komunizmit”-ka thënë Ramiz Alia për AFP-në
Kastriot Dervishi
“Vetëm rreth 30 mijë dosje kanë mbetur në arkivë, shumë prej të cilave u përkasin vetëm pak njerëzve të njohur apo ish-bashkëpunëtorëve që tashmë kanë vdekur. Rreth 500 emra nga pjesa më aktive e ish-bashkëpunëtorëve janë fshirë me kujdes nga regjistri i ish-Policisë Sekrete”
Më shumë sesa një proces vetëpastrimi, hapja e dosjeve është përdorur për presion politik
Zvarritja e hapjes së dosjeve, vullnet i munguar i politikës
TIRANË- Megjithëse ka ngërthyer prej vitesh debatin politik në Shqipëri, hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit duket ende një realitet i largët në këtë vend. Drafti i propozuar nga Partia Demokratike është parashikuar sërish në kalendarin 3-javor të Kuvendit, por s’do të thotë se së shpejti mund të kemi një zgjidhje të kësaj çështjeje të shumëdiskutuar. Kjo është hera e tretë që Kuvendi parashikon kalimin e draftit për “pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, por deri më sot, as Partia Demokratike dhe as ajo Socialiste nuk kanë pasur vullnetin të diskutojnë mbi draftin ekzistues të dorëzuar në Kuvend. Prej vitesh, dy forcat e mëdha politike janë duke shigjetuar njëra-tjetrën për hapjen e dosjeve, pasi këtë çështje, PD e ka shfrytëzuar për të akuzuar publikisht kundërshtarët politikë se janë trashëgimtarë të Partisë së Punës, ndërsa PS e gjen të pavend kohën e zgjedhur për këtë proces, pak muaj larg zgjedhjeve të pritshme të vitit 2009.E ndërsa ka një reagim të përgjithshëm publik se dosjet e ish-Sigurimit duhet të hapen, ekspertët kanë pohuar shumë herë se një pjesë e mirë e tyre janë asgjësuar, djegur apo zhdukur gjatë viteve të para të demokracisë. E ndërsa debati vazhdon, Shqipëria mbetet i vetmi shtet i ish-Bllokut komunist që nuk i ka hapur dosjet e policisë sekrete, duke ngritur shumë pikëpyetje mbi klasën politike që ka zëvendësuar komunistët, që pas viteve ’90.