Shpërndante drogë, pranga 48-vjeçarit
DURRËS – Policia vuri në pranga një 48-vjeçar nga Ishmi, të cilit iu gjetën me vete 473 gramë kanabis, si dhe 12 kapsolla shpërthyese. Uniformat blu të Durrësit u shprehën se Çesk Gjika, nga fshati Mizë i komunës së Ishmit u ndalua në lagjen 17 nga forcat e policisë. Në një kontroll të ushtruar në automjetin e tij, tip “Benz”, poshtë sediljes iu zbulua sasia e drogës, si dhe kapsollat, të cilat, duke qenë me profesion peshkatar, duket se i përdorte për të gjuajtur peshk. Si rrjedhojë, 48-vjeçarit iu bllokua automjeti dhe ndërkohë u njoftua posta e policisë në Ishëm. Në kontrollin e ushtruar në shtëpinë e Gjikës u zbuluan të mbjella në kopsht disa rrënjë kanabis. Gjithashtu, në banesë iu gjetën të tjera kapsolla shpërthyese, si dhe 1kg kanabis i presuar. Burime të policisë bëjnë të ditur se dyshohet se peshkatari merrej me shpërndarjen e drogës. Tregu i tij ishte në lagje të ndryshme të qytetit bregdetar. Ndalimi dhe kontrolli i 48-vjeçarit u bë pas informacioneve të marra në rrugë operative nga uniformat blu. Policia organizoi operacionin “Peshkatari” duke arritur të gjejë edhe provat për fajësinë e Gjikës.