Foshnjat, 20 nëna kanë zgjedhur tu ruajnë qelizat
Mjekja: Ja si marrim materialin embrional nga kordoni i kërthizës.
Për herë të parë në vendin tonë mbledhja dhe dërgimi i qelizave burimore për tu ruajtur në një bankë të specializuar u përdor në vitin 2009. Një kompani greke nisi ta aplikojë këtë teknikë në bashkëpunim me maternitetin Koço Gliozheni, por pas një viti u tërhoq. Asokohe u aplikua në 12 lindje. Prindërit kanë kodet e tyre të materialit gjenetik dhe do të mund ti përdorin qelizat burimore kur tu duhen. Prej gati një viti, një kompani belge ka nënshkruar marrëveshje me maternitetin, i cili ofron vetëm shërbimin e mbledhjes së këtyre qelizave. Më pas, nga vetë kjo kompani materiali gjenetik kodifikohet dhe dërgohet për tu ruajtur jashtë vendit në bankat e specializuara. Deri tani, në total 20 nëna kanë kërkuar që fëmijës së tyre tu ruhet materiali embrional i kërthizës. Sipas mjekëve të maternitetit, kërkesat po rriten, pavarësisht se kostoja është e lartë për një familje shqiptare. I gjithë shërbimi kushton rreth 1800 euro. Ne kryejmë vetëm mbledhjen e këtyre qelizave staminale në momentin që lidh foshnja. Për pjesën tjetër, materniteti është jashtë kësaj procedure, vetë prindërit nënshkruajnë me noter marrëveshjen me kompaninë përkatëse, sqaron mjekja gjinekologe, Mirela Rista. Sipas saj, mjekët e maternitetit kanë fituar eksperiencë në mbledhjen e këtyre qelizave. Placenta e nënës e lidhur me kordonin kërthizor ka qeliza të tilla. Pa dalë ende e gjithë placenta thithet gjaku nga muret e mitrës dhe ruhet në të njëjtin flakon që ruhet gjaku. Ky proces nuk ndikon aspak në etapat e lindjes dhe nuk dëmton as nënën, as foshnjën, thota Rista. Sipas saj, qelizat e mbledhura prej kordonit kërthizor në çastin e lindjes janë një mundësi që jepet vetëm njëherë në jetë. Pas lindjes, ndërsa ne rritemi, grupet e qelizave staminale të gjetura në fillim në kordonin kërthizor nisin të ndryshojnë. Për këtë arsye, çasti i lindjes është një mundësi, që të jepet vetëm një herë në jetë, për të vjelë këto qeliza unikale, thotë Rista. Sipas saj, ruajtja dhe magazinimi i këtij materiali bëhet për shumë vjet dhe është gati për përdorim në çdo kohë në të ardhmen. Interesi është rritur, pasi prindërit e kuptojnë që është një investim për shëndetin e fëmijës së tyre në të ardhmen dhe jo vetëm të tij, thotë Rista.
Qelizat burimore, çfarë i dallon nga të tjerat
Trupi i njeriut përbëhet nga më tepër se 200 lloje qelizash Secila ka nga një funksion të dallueshëm dhe të specializuar. Qofshin ato qeliza të muskulit të zemrës, që rrahin në mënyrë ritmike, apo rruaza të kuqe të gjakut që shpërndajnë oksigjen në çdo pjesë të trupit tonë, të gjitha qelizat punëtore të specializuara kanë rolin e tyre për të lozur. Qelizat staminale ose burimore janë ndryshe prej qelizave tona punëtore, të maturuara: ato kanë një aftësi të mahnitshme që, jo vetëm të shtojnë vetveten, por gjithashtu të krijojnë inde të reja kur ato ndahen dhe zhvillohen. Kjo është mënyra se si ne i bëjmë të gjitha qelizat funksionale të trupit. Zbulimi i qelizave burimore ishte njëra prej arritjeve më të shkëlqyera të mjekësisë moderne. Me këtë aftësi qelizat staminale luajnë një rol thelbësor gjatë zhvillimit të trupit të njeriut pas koncepcionit, thonë specialistët. Sidoqoftë, qelizat nuk zhduken të gjitha, pasi trupi i njeriut të jetë zhvilluar plotësisht. Disa prej tyre mbeten në trupin tonë si një rezervë dhe janë kritike për shërimin e indeve të dëmtuara apo atyre të plakura. Aftësia e tyre për të prodhuar lloje të ndryshme qelizash të specializuara i bën ato kaq unike dhe të fuqishme për terapinë mjekësore.
ZIRINA LLAMBRO