E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet, shpresa që vjen nga qelizat burimore

Ethem Ruka

Biologu Ruka: Pse duhet të ketë çdo fëmijë materialin e tij gjenetik.

Mjekësia e sotme nuk gjen shkaqet e sëmundjeve.

Vitet e fundit po flitet gjithnjë e më shumë për qelizat burimore. Ato cilësohen si magjike apo çudibërëse në trajtimin e sëmundjeve që deri tani kanë qenë vdekjeprurëse. Mjekësia tek ne sigurisht është larg përdorimit të metodave të tilla moderne për të trajtuar pacientët. Por  hapat e parë kanë nisur, të paktën në mbledhjen dhe ruajtjen e këtyre qelizave që mund të përdoren pas 20 vjetësh për trajtimin e një sërë sëmundjesh. Por çfarë janë ato? Në intervistën e tij për gazetën biologu i njohur, profesor Ethem Ruka, sqaron përse duhen.
Profesor, për një sëmundje të caktuar ne sot trajtohemi me anë të mjekësisë aplikative apo tradicionale, ndërkohë që vitet e fundit po dëgjojmë gjithnjë e më shpesh për terapinë qelizore,  mund të na sqaroni çfarë është kjo lloj terapie?
Mjekësia e sotme merret me pasojat. Në ditët e sotme, pavarësisht progresit, nuk kemi arritur të zhdukim shkakun. Kemi një gamë të madhe sëmundjesh, që fillojnë që nga ato të trashëgueshme, të cilat janë 6000-7000 mijë. Dëmtimi i qelizave indeve dhe organeve gjithashtu shkakton një sërë sëmundjesh. Jemi në një terren, ku me gjithë progresin e madh që ka bërë mjekësia, skemi arritur të mundim dot vdekjen. Miliona veta humbin jetën nga sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe shumë lloje të tjera. Biologët janë ata që kanë ofruar mundësi të reja për mjekësinë aplikative. Këto teknologji të reja ofrojnë mundësi, të cilat çojnë në zhdukjen e shkakut të sëmundjes. Njëra prej këtyre mundësive është terapia qelizore, pra qelizat përdoren si medikament (nëse mund ta quajmë kështu) trajtues.
Çfarë janë këto qeliza të shpresës apo, nëse mund ti quajmë, magjike ?
Siç dihet, qeliza e vetme, zigota e pandarë, ka gjithë programin gjenetik për të ndërtuar një organizëm të tërë. Rruga nga një qelizë në disa miliarda qeliza nuk është thjesht një shtim numerik i qelizave, por njëkohësisht edhe një diferencim apo specifikim i qelizave për të kryer funksione të veçanta. Pra, një qelizë embrionale është e paspecializuar; në një kohë të dytë ajo specializohet për të marrë trajtën e një qelize që kryen një funksion të caktuar në organizëm. Sa më herët ti marrim qelizat nga embrioni, aq më i madh është kapaciteti i saj për tu shndërruar në çfarëdolloj qelize të trupit. Në këtë kuptim, zigota cilësohet e gjithëpushtetshme. Ajo mund të shndërrohet në çdo qelizë të organizmit tonë. Fazat e hershme të embrionit shërbejnë si një burim potencial qelizash, që quhen qeliza burimore.
Pse kanë tërhequr kaq shumë vëmendjen këto qeliza dhe ku mund të përdoren?
Këto lloj qelizash mund të përdoren për të zëvendësuar qeliza të dëmtuara të organizmit të njeriut. Në kushte laboratorike, me anë të tyre ndërhyhet për të zëvendësuar këto qeliza.
Ku i gjejmë qelizat burimore në trupin e njeriut?
Palca e kuqe e gjakut është burimi kryesor. Një rruazë e kuqe jeton 3 muaj maksimumi, qeliza burimore kemi gjithashtu në lëkurë, në aparatin tretës, inde të tjera, madje edhe në tru ka të tilla, çka është vërtetuar vitet e fundit. Por duhet një teknologji mjaft e avancuar për ti marrë këto qeliza, gjë që e bën të vështirë përdorimin e tyre. Mundësi tjetër është kordoni kërthizor ose qelizat . Ky është materiali që ruhet në bankat e gjakut për tu përdorur në një moment tjetër, ndoshta edhe pas 20 vjetësh. Ruajtja dhe depozitimi i qelizave burimore nga kordoni kërthizor menjëherë pas lindjes po merr një zhvillim mjaft të madh në Europë dhe më gjerë. Ato ruhen në laboratorë të specializuar (banka të posaçme) dhe përdoren atëherë kur është nevoja për trajtimin e një sërë sëmundjesh, që deri tani nuk kanë pasur shërim.
Jeni në dijeni që kjo teknikë përdorët edhe në vendin tonë në maternitet dhe dërgohen në banka jashtë për tu ruajtur, si e shihni si iniciativë?
Jam në dijeni dhe do të thosha se me zhvillimin që ka marrë shkenca sot, nuk ka asnjë arsye pse çdo fëmijë që lind të mos ketë materialin e tij gjenetik të ruajtur. Ndoshta është një kosto e lartë për një familje shqiptare, por po të mendosh vlerën e saj në një të ardhme, kjo kosto është e papërfillshme. Ky material gjenetik është individual dhe mund ti vijë në ndihmë fëmijës pas 20 vjetësh për një sëmundje mjaft të rëndë, që në kushte të tjera nuk do të kishte shpresë për tu shëruar.
Sipas jush, a ekziston mundësia që në vendin tonë të abuzohet me mbledhjen, depozitimin dhe përdorimin e materialit gjenetik?
Në fakt, ekziston si rrezik jo vetëm te ne, por në shumë vende. Tregu i materialit gjenetik është një treg i shtrenjtë dhe me mjaft interes në të gjithë botën. Për ti dalë përpara këtij risku, hartohen konventa dhe ligje. Iniciativa abuzive mund të ketë, nuk përjashtohen.

Sëmundjet që trajtohen
.    Kanceri
.    Skleroza multiple
.    Parkinson
.    Diabet
.    Indet e dëmtuara
.    Leucemi
.    Transplanti i kockave
.    Diabet
.    Sëmundjet e zemrës
.    Sëmundje të tjera të gjakut
.    Probleme të muskujve
.    Lezionet e shtyllës kurrizore

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›