Fotaq Zaharia në gjyq për pengmarrje
I tmerrshmi i Vlorës, Fotaq Zaharia, do të gjykohet për një grabitje me armë dhe pengmarrje të kryer në vitin 2001
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, zbardh autorin e dytë të ngjarjes së kryer këtu e tetë vite më parë të ndodhur në fshatin Poro të rrethit të Vlorës, ku u grabitën me armë zjarri vodhën dhe më pas rrëmbyen një nga pjesëtaret e familjes Janku, duke kërkuar pesë milionë lekë të reja për lirimin e saj.
Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët konfirmuan se autori i dytë i kësaj ngjarjeje, përveç të dënuarit me 25 vite burg, Ermir Habili, është i "tmerrshmi" i Vlorës që tashmi është dënuar me dy vendime gjykate, 49- vjeçari Fotaq Zaharia.
Sipas këtyre burimeve, dosja penale në ngarkim të Zaharisë tashmë ka përfunduar dhe ndodhet në kryesekretarinë e Gjykatës së Krimeve të Rënda, në pritje të caktimit të gjyqtarëve që do ta gjykojnë me short elektronik.
Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga prokurori Adnan Xholi, ngjarja e vjedhjes me armë dhe më pas rrëmbimit të shtetases M.J. ka ndodhur pesë muaj pasi i pandehuri Zaharia bashkë me katër shokët e tij është arratisur nga dhomat e paraburgimit të Vlorës.
"Më datë 17 qershor 2001, i pandehuri Fotaq Zaharia, së bashku me të dënuarit Ermir Habili dhe shtetasit Armando Bega e Haxhi Hoxha janë arratisur nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Vlorë, ku ndodheshim me masë sigurimi "arrest në burg" të dyshuar se kishin kryer disa vepra penale, si "vjedhje" dhe "rrëmbim personash me qëllim përfitimi".
Më pas, i pandehuri Zaharia bashkë me të dënuarin Habili janë ndarë nga dy shokët e tjerë dhe janë strehuar në fshatin Bishan të rrethit Vlorë, tek një ish-shok qelie që për 25 ditë kishte qëndruar bashkë me Zaharinë në dhomat e paraburgimit.
Pas qëndrimit disa ditor në pronat e shokut të qelisë, ky i fundit me kërkesë të të pandehurit Zaharia i ka treguar shtëpinë e të dëmtuarit S.J. në fshatin Poro si të përshtatshme për ta grabitur.
Të nesërmen, dy të arratisurit pasi janë njohur me zonën dhe vendin ku ndodhej banesa e të dëmtuarve janë larguar për tu kthyer aty më 19 nëntor 2001 rreth mesnatës.
Dy të arratisurit nga burgu Zaharia e Habili të maskuar dhe me armë ndër duar futen me dhunë në banesën e të dëmtuarit S.J. duke shfrytëzuar shkallët e jashtme të katit të dytë.
Nën kërcënimin e armëve, dy grabitësit kanë kontrolluar të gjithë banesën për lekë, por, pasi nuk kanë gjetur sasinë e pretenduar kanë marr peng bashkëshorten e kryefamiljarit, shtetasen M.J. Rrëmbyesit, të cilët kishin shkuar tek banesa me një motor të drejtuar nga Zaharia, në ikje ata marrin makinën e të dëmtuarve që ndodhej në oborrin e banesës së tyre të tipit "Foristradë" me targa "VL 1133 B" që do drejtohet nga Habili, ndërsa, vetë Zaharia e ndjek makinën nga pas me motorin e tij.
Në ikje e sipër, Zaharia ka marrë në telefon kryefamiljarin S.J. duke i kërkuar në këmbim të lirimit të bashkëshortes së tij pesë milionë lekë të reja.
Pas kësaj telefonate, kryefamiljari lajmëron forcat e rendit, të cilët në hyrje të qytetit të Vlorës ndalojnë dhe arrestojnë pengmarrësin Habili duke liruar kështu pengun e tyre. Ndërsa, Zaharia mundi të ikë pa u zbuluar se kush ishte dhe pa u arrestuar prej tetë viteve"- thuhet në kërkesën për gjykim.
Në atë kohë, për këtë grabitje dhe rrëmbim u dënua vetëm shtetasi Ermir Habili me 25 vjet burg, për krimin e kryer në bashkëpunim, me personin e identifikuar vetëm pak muaj më parë, Fotaq Zaharia.
Identifikimi i tij është kryer nga familjarët e rrëmbyer vetëm pas dënimit të Zaharisë me 23 vite burg për veprat e kryera në vitin 2005, ku qëlloi me granatë ish-shefin e krimeve të Vlorës dhe kreu dy grabitje me dhunë.
Edhe gjatë kësaj faze hetimore, i pandehuri Zaharia nuk ka pranuar të mbrohet nga avokat të caktuar nga familja apo gjykata, por ka preferuar ta bëjë vetë mbrojtjen.
ARRESTIMI I PARË
Më 2 nëntor 1999, efektivët e policisë, pasi liruan fëmijën e marrë peng, arrestuan Fotaq Zaharinë bashkë me tre shokët e tij, duke i akuzuar për "rrëmbim personi me qëllim fitimi"
ARRATISJA
Më 17 qershor të vitit 2001, bashkë me katër të paraburgosur të tjerë arratiset nga dhomat e Komisariatit të Policisë së Vlorës, duke kryer më pas një sërë veprash penale.
DËNIMI I PARË
Më 29 janar 2003, Gjykata e Lartë deklaroi fajtor Fotaq Zaharinë dhe e dënoi me 25 vjet burg për akuzën e "rrëmbimit dhe mbajtjes peng të një të mituri me qëllim fitimi", në bashkëpunim me tre persona, po të dënuar për këtë vepër penale.
Pasi më 24 tetor 1999, rreth orës 18:00, në afërsi të njësisë tregtare të shtetasit Pajtim Xhelaj në Vlorë kanë rrëmbyer fëmijën e këtij të fundit, Denis Xhelaj, i moshës 6 vjeç, duke i kërkuar të paguante 18 milionë lekë. Më pas me ndërhyrjen e policisë, fëmija është liruar me datë 2 nëntor 1999.
ARRESTIMI I DYTË
Më 18 janar 2007, rreth orës 16:00 të pasdites është arrestuar nga forcat speciale të RENEA-së, shtetasi Fotaq Zaharia në banesën e tij, në lagjen "10 Korriku", të Vlorës pasi e kanë plagosur fillimisht pasi tentoi të ikte
DËNIMI I DYTË
Më 24 prill 2009, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda deklaroi fajtor Fotaq Zaharian dhe e dënoi me 23 vjet burg, për akuzat e "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të mbetur në tentativë" ndaj ish- shefit të krimeve të Vlorës, Gentian Musabelliu, "vjedhjes me armë" në tre raste dhe "armëmbajtje pa leje"