E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: PS nuk futet në Parlament pa kushte

Kreu socialist ka rikonfirmuar në Shkodër vendimin për të mos hyrë në Kuvend pa u plotësuar kushtet



Dy kandidatët për kryetar partie, Rama dhe Lakrori, kanë vijuar dje përballjen e tyre para socialistëve në Shkodër

Partia Socialiste është e vendosur t'i shkojë deri në fund betejës së saj për të rikthyer normalitetin demokratik që, sipas saj, është cenuar nga manipulimi i zgjedhjeve të 28 qershorit. Ka qenë kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që ka konfirmuar edhe një herë nga Shkodra, vullnetin e kësaj force për të mos lejuar që anormaliteti që prodhuan zgjedhjet parlamentare të ligjërohet me Parlamentin e ri. Për rrjedhojë, ai ka deklaruar se grupi parlamentar socialist, pavarësisht presioneve dhe debateve mediatike, nuk do futet në Parlament pa u plotësuar më parë kushtet që kjo forcë i ka vendosur mazhorancës, si një mundësi për të korrigjuar deformimin e votës së shqiptarëve. Deklarata e Ramës është bërë në Shkodër, ku ai dhe rivali i tij për kreun e PS-së, Maqo Lakrori, kanë zhvilluar takimin e tyre të radhës, në kuadër të fushatës së brendshme elektorale.

Rama
Kreu ende në detyrë i PS-së, Edi Rama, duke paraqitur platformën e tij për drejtimin e kësaj force për katër vitet e ardhshme, i është përmbajtur sërish në fjalën e vet edhe para socialistëve shkodranë shpjegimit të arsyeve të qëndrimit refuzues ndaj njohjes së rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe institucioneve që dolën prej tij. Kështu, Rama ka parë të arsyeshme që më shumë sesa të flasë për vizionin e tij për të ardhmen e PS-së, të përqendrohet në debatin e momentit, atë të legjitimitetit të zgjedhjeve, duke sqaruar anëtarët e thjeshtë të PS-së së Shkodrës se vendimi për të mos njohur zgjedhjet dhe institucionet që dolën prej tij, ka ardhur për shkak të deformimit të vullnetit të shqiptarëve nëpërmjet asaj që ai e konsideroi si makina shtetërore e Sali Berishës. "Ne jemi këtu jo për t'u dorëzuar, por për të luftuar, pasi ne nuk mund t'i falim liritë e të drejtat tona duke falur 28 qershorin. Ne nuk do hymë në Parlament pa kushte, pasi ai është produkt i këtyre zgjedhjeve me rezultat të deformuar dhe ka krijuar një shumicë që nuk ka marrë votën e popullit për të qenë shumicë që qeveris, por është deformuar nën presionin makinerisë shtetërore", - tha Rama. Duke u ndalur tek sfidat që e presin Partinë Socialiste në këtë situatë, Rama ka theksuar se misioni i socialistëve është ai i ndarjes me të shkuarën dhe me politikën, si një zanat që thotë tjetër gjë dhe bënë gjithçka ndryshe. Kreu socialist u ka kthyer përgjigje dhe të gjithë atyre kritikëve që e kanë konsideruar klimën brenda PS-së si mbytëse të mendimit ndryshe dhe demokracisë, duke bërë të ditur se vetë fakti që në të ka debate, tregon se ajo është një forcë ku ekziston mendimi alternativ. "Fakti që më 26 shtator do kemi zgjedhje tregon se jemi partia më demokratike në vend, me vizione, ide e propozime, sado divergjente, por në funksion të përmirësimit të punës në PS dhe rritjes së impaktit të saj", - tha Rama. Gjithashtu, ai nuk ka lënë pa komentuar edhe deklaratat e një pjese që mendojnë ndryshe në PS dhe që e kanë konsideruar garën me Lakrorin si një farsë, duke u shprehur se bëhet fjalë për një konkurrim të dy njerëzve që mendojnë krejt ndryshe për atë çka duhet të përfaqësojë PS-ja. "Jemi dy njerëz me mendime të ndryshme në këta katër vjet, që kanë parë ndryshme të ardhmen e PS-së, por që i kanë respektuar forumet e PS-së", - tha Rama.

Lakrori
Kandidati tjetër Maqo Lakrori në prezantimin e platformës së tij për drejtimin e PS-së ka evidentuar pikat kryesore për mënyrën sesi ai e mendon drejtimin e kësaj force, duke evidentuar si më thelbësore zhvillimin e demokracisë së brendshme dhe respektimin e normave statutore. Maqo Lakrori ka premtuar se në rast se socialistët do t'i besojnë atij drejtimin e partisë në katërvjeçarin e ardhshëm, ai do të bëjë të mundur ringritjen e PS-së, ardhjen e së majtës demokratike në pushtet dhe qeverisjen sipas standardeve euroatlantike. Gjithashtu, ai ka mbrojtur idenë e provokimit të zgjedhjeve të parakohshme si një mënyrë për të shkurtuar vuajtjet e shumicës së shqiptarëve që, pavarësisht se më 28 qershor votuan të majtën, sot gjenden sërish në opozitë. Lakrori ka paraqitur dhe propozimet për 10 ndryshime në statut, të cilat, sipas tij, duhet të realizohen në një kongres pas disa muajsh. Këto ndryshime, sipas Laktorit, përfshijnë rikonfirmimin e PS-së si parti e majtë me në qendër solidaritetin njerëzor, ndarjen nga kulti i individit dhe ndalimi i çdo veprimtarie partiake që i shërben krijimit të kultit të kryetarit, që ai e ka quajtur një histori të hershme dhe të afërt në PSSH, përcaktimi i ndërprerjes së mandatit në rast humbjeje të zgjedhjeve të përgjithshme.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›