Milloshi dhe Piter Pani i Evropës
Edicioni i pestë i "Poetekës" i kushton tri mbrëmje Ballkanit rreth: A është Ballkani si Piter Pani i Evropës?,
A munden ballkanasit të qajnë dhe të qeshin për njëri-tjetrin? Homazh edhe nobelistit polak, Ceslav Milosz
Nga data 21 deri më 27 shtator, në qytetet e Durrësit, Beratit, Elbasanit dhe Tiranës, mbahet edicioni i pestë i festivalit "Poeteka". Marrin pjesë 22 poetë nga 15 shtete të Evropës. Takimi i parë i kushtohet nobelistit polak, Çeslav Millosh (Czeslaw Milosz) në 5-vjetorin e vdekjes.
Prej tij kemi në shqipe shkrimet politike të përmbledhura në librin "Mendje të robëruara", por "Poeteka", siç e ka bërë traditë tashmë njohjen e autorëve nëpërmjet veprës, boton "Qyteti pa emër", përmbledhje poetike nga Milloshi. Po më 21 shtator janë të pranishëm në ceremoninë e hapjes, shkrimtari amerikan Tom Sleigh dhe poetesha libaneze Joumana Haddad.
Aty prezantohen: libri me poezi arbëreshe: "Ogni volta che ti vedo divento di neve", i cili mban emrat e autorëve: Aldo Dramis dhe Cosimo Cerigone Regione; dhe "Tespihet prej floriri" i autorit Jovan Nikolaidis. Në lidhje me këtë edicion të pestë, flet për "Shekulli"-n drejtori i festivalit Arian Leka.
"Poeteka V" u kushton tri mbrëmje temave për Ballkanin. Konkretisht për çfarë bëhet fjalë?
Ajo që do të bisedojnë poetët e ftuar këtu ka të bëjë me këtë mënyrë të jetuari ballkanike që ne kemi krah njëri-tjetrit dhe brenda njëri-tjetrit.
Bisedat janë fokusuar në tri tema të përgjithshme, që lidhen me komplekset e Ballkanit: A është Ballkani si Piter Pani i Evropës? A e shohin ballkanasit veten si të tillë? A kanë një kompleks të tillë dhe bëjnë vazhdimisht lojë luftërash, prishje kufijsh, shtëpish.
Të katër të ftuarit e parë do të hedhin në tavolinë tezën: A e kanë këtë kompleks qoftë edhe kulturalisht dhe, nëse po, si duhet sjellë. Për këtë, do të merret si shembull ilustrues libri i shkrimtarit malazez, Jovan Nikolaidis, "Tespihet prej fosfori". Të ftuar janë vetë autori, Bogumil Gjuzel nga Maqedonia, Ales Debeljak nga Sllovenia dhe nga Shqipëria Fatos Lubonja.
A munden ballkanasit të qajnë dhe të qeshin për njëri-tjetrin?
Në Ballkan kanë ndodhur kaq shumë ngjarje që ballkanasit i kanë përjetuar si një tel me gjemba. U shemb Bosnja, u vranë mijëra e mijëra njerëz, por a klithën grekët si për veten e tyre? A e përjetuan bullgarët apo sllovenët atë që ndodhi në Kosovë?
Paneli i të ftuarve, i përbërë nga Edi Shukriu (Kosovë), Demostenes Agrafiotis (Greqi), Kim Memeti (Maqedoni) dhe Tomislav Bilosniç (Kroaci) do të bisedojnë rreth temës: "A janë ballkanasit të gatshëm të këlthasin për dhembjen e tjetrit dhe të gëzohen për gëzimin e tjetrit?".
Unë mendoj se kjo është një nga temat që ia vlen të bisedohet. Këto nuk janë panele që do të zgjidhin çështje, por që publiku të mendojë se shqiptarët paskan ftuar ca njerëz me të cilët duan të bisedojnë.
I referohemi një teme tjetër që ju keni caktuar për diskutimet rreth Ballkanit për të pyetur pse këtë udhëtim të rajonit përmes varrezave... drejt plazheve pa kujtesë...
Për këtë temë janë ftuar shkrimtarë të rinj, të cilët sjellin opinionin e njerëzve që nuk e kanë përjetuar dramën e luftës, të ndarjeve. Çështja është kjo: "Të lajmë hesapet me atë histori dhe të gjejmë se s'bën fajtorët?
Duhet të mbetemi tek një e tashme, e cila gjykon të shkuarën, apo të rendim drejt plazheve, sepse e kaluara nuk na shqetëson më, nuk është kujtesë e dhembshme për ne?" Të ftuar janë poetja boshnjake Hana Stoic, poeti turk Onur Caymaz, rumuni Julian Tanase dhe poetja bullgare Cvetanka Elenkova.
A arrin "Poeteka" t'u përgjigjet kërkesave për njohjen e poetëve ballkanas në shqipe dhe poetëve shqiptarë në gjuhët e Ballkanit? Çfarë është bërë deri tani?
Nuk mendoj që letërsia ballkanike është e panjohur. Të gjithë kombet që përbëjnë Ballkanin janë të përfaqësuar me antologji të plota. Ka pak kohë që Mali i Zi botoi antologjinë e poezisë shqipe.
Ky është rasti më konkret që kanë filluar të komunikojnë kulturat. Kjo antologji është një nga botimet shumë dinjitoze, sepse është nën përgjegjësinë e Akademisë së Arteve, është nën kujdesin e njërit prej poetëve më të shquar malazez, Jevrem Brkoviq, të cilin e kemi pasur të ftuar dhe fitues në festivalin "Poeteka" të vitit të kaluar.
Brkoviq ka punuar intensivisht për dy vjet për përpilimin e këtij libri, zgjedhjen e autorëve. Nuk mendoj se letërsia shqipe është e panjohur në Ballkan dhe ajo ballkanike e panjohur në Shqipëri.
A mjafton kjo?
Aspak nuk është e mjaftueshme. Epokat e antologjive janë epoka tranzicioni kur ti njeh një pjesë të një kulture dhe krijon një përfytyrim të plotë se ç'është kjo kulturë. Mendoj se ky hap duhet kaluar sa më shpejt për të shkuar tek autorë të veçantë.
Shtëpia botuese "Ideart" sapo ka mbyllur një kontratë për disa autorë ballkanas që do të botohen në Shqipëri brenda këtij viti; Edo Popoviç (Kroaci), Emir Imamoviç (Bosnje), Tomas Salamun (Slloveni), Georgi Gospodinov (Bullgari), Alek Popov (Bullgari), Vladimir Arsenijeviç (Bosnje) dhe Renato Baretic (Kroaci).
Për këtë arsye nuk mund të themi që çdo gjë është e panjohur dhe po e panjohur do të mbetet. Në kuadër të po kësaj iniciative, 10 autorë shqiptarë do të përkthehen për t'u botuar në kulturën përkatëse. Ky projekt quhet "Tradukis" dhe do jetë një bashkëpunim midis shtëpisë botuese "Ideart" dhe 5 shteteve të Ballkanit.
Këtë vit ju i kushtoni homazh nobelistit polak C. Millosh. Çfarë prezantimi do t'i bëhet këtij personaliteti pak të njohur tek ne edhe si poet?
Në këtë edicion janë dy shtete në fokus: Polonia dhe Amerika. Polonia, për nder të 5-vjetorit të vdekjes së kolosit të poezisë së shek XX, Çeslav Milloshit. Prej tij sjellim në shqip "Qyteti pa emër" dhe do të referojë për veprën e Milloshit, studiuesi Jaroslaw Mikolajewski.
Nga Amerika vjen poeti Tomas Sleigh. Jemi të kënaqur që kemi të pranishme poeten nga Libani Joumana Haddad. Ajo do të ketë një pasdite të sajën me lexime, intervista dhe performancë.
Është një person tepër aktiv në atë vend, me disa vepra të botuara në gjuhët e botës. Haddad ka realizuar disa bashkëbisedime me personalitete të kulturës evropiane, Umberto Eco-n, Peter Handke-n. Është gjithashtu aktore dhe gazetare me një kontribut në të drejtat e femrës në vendin e saj.
Struktura e tretë e festivalit është organizimi i një master classi, i ndarë në tri pjesë mbi poezinë sonore dhe atë vizuale.
"Ku poezia takon me muzikën dhe ku poezia takon me pikturën", me Americo Rodrigues dhe Domesthenes Agrafiotis, një mënyrë për t'i bërë më të pranishme këto dy shprehje poetike, pak të lëvruara në Shqipëri.
Dy librat që do të promovohen në këtë edicion janë: "Tespihet prej floriri" nga Jovan Nikolaidis dhe "Ogni volta che ti vedo divento di neve", i cili mban emrat e autorëve: Aldo Dramis dhe Cosimo Cerigone Regione.
Luani i Artë për filmin "Lebanon", të regjisorit izraelit Samuel Maoz
"Kam dashur gjithnjë ta tregoj luftën, por pa bërë një film politik: e dija që vetëm në këtë mënyrë do të fliste me zemër dhe jo me tru. Dhe tek shoh që ky mesazh imi qenka përcjellë, kjo më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme.
E di që mund të duket naive, por unë shpresoj që ky film mund të hapë mendjet e njerëzve dhe të kontribuojë për fundin e luftës." Këto fjalë tha regjisori izraelit Samuel Maoz, duke kërkuar falje për anglishten e tij jo të mirë për shkak të emocioneve nga ky triumf me "Luanin e artë" në Festivalin e 66-të të Venecies, për filmin e tij "Lebanon".
Një film që flet për luftën dhe del kundër gjithë luftërave. "Një zgjedhje e fortë dhe në një farë mënyre militante, nga ana e jurisë me kryetar Ang Lee", - shkruante dje shtypi italian.
"Luani i argjendtë" shkoi për "Gra pa burra" i pari film i gjatë i regjisores iraniane Shirin Neshat, e cila edhe në mbrëmjen e çmimeve ekspozoi shallin e gjelbër si një shenjë proteste kundër regjimit.
Çmimi special i jurisë iu dha regjisorit gjerman me origjinë turke Fatih Akin për komedinë "Kuzhina e shpirtit".
"Një çmim është si një terapi", tha regjisori i "Nuses turke". Për këtë "debutim" të tijin me komedi ai është shprehur: "Duhet një ndryshim, siç thotë Obama, ky është një film i rëndësishëm, sepse flet për verën, gratë, muzikën".
Çmimi për aktoren më të mirë i shkoi ruses Ksenia Rappoport. Ajo mori një "Coppa Volpi" për interpretimin në filmin "La doppia ora".
"Coppa volpi" për aktorin më të mirë iu dha britanikut Colin Firth për interpretimin e një profesori gay në filmin "Një burrë i vetmuar", e para vepër regjisoriale për stilistin amerikan Tom Ford.
Aktorja italiane Jasmine Trinca u vlerësua për interpretimin tek "Ëndrra e madhe" e M. Placidos, me çmimin "Mastroianni", çmim që jepet një aktor të ri premtues.
"Engkwentro" i filipinasit Pepe Diokno triumfoi në programin "Horizonte".