E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sakharov dhe dy shqiptarë mbi lirinë e mendimit

Sapo kapërcen sheshin “Leopold”, pak metra para hyrjes në godinën e Parlamentit Evropian, silueta të shumta e të ndriçuara peçikllazi me madhësitë e formën e trupave humanë të urojnë mirëseardhjen. Qëndrojnë në këmbë e të pozicionuara përqark një rrethi dhe duket sikur hedhin një valle të heshtur rreth qendrës së tij ku merr shtat një cilindër i lartë mbi të cilin është shkruar “Sakharov”. Është monumenti kushtuar një çmimi të rëndësishëm që prej vitit 1988 Parlamenti Evropian ia ka dedikuar shkencëtarit rus Andrei Sakharov. Çmimi “Sakharov” është çmimi për lirinë e mendimit e vlerëson çdo vit personalitete e organizata që ia kanë dedikuar jetën mbrojtjes së lirive të njeriut e lirisë personale. Janë njëzet e tri silueta peçikllazi, pa asnjë dallim mes tyre ku veç emri mbi gjoks i identifikon. Të gjithë fitues të çmimit “Sakharov” e mes tyre dy emra shqiptarësh: Adem Demaçi e Ibrahim Rrugova

Sfondi gotik i Grand Place nga njëra anë, ndriçimi superelektronik i Kullë së Zezë nga ana tjetër, e larmia e objekteve rreth tyre bën që Brukselin ta quash veç “shtëpia mes epokash”. Ndërtesat antike, pallatet shumëkatëshe high design prej xhami, ngjyrat, format, aromat, banorët, arti e historia performojnë në këtë qytet një realitet paqësor shumetnik e unik në Evropë. Në lagjen moderne të tij jo shumë larg qendrës historike të qytetit 23 silueta njerëzish ndriçojnë ditë e natë. Mbajnë mbi gjoks identitetin e tyre e një emër të përbashkët Sakhorvian-ët.

Rruga Mbretërore (Rue Royale) është një nga më kryesoret në qytetin e Brukselit. Zë fill me Pallatin Mbretëror, përfshin Parkun Qendror, Kopshtin Botanik e përfundon në Sheshin e Mbretëreshës (Place de la Reine). Janë orët e para të një pasdite dimri, dritat e sapo ndezura veshin trotuaret me një ngjyrë të portokalltë, nuancat e ngrohta të së cilës sfidojnë termometrin elektronik që lexon -3 gradë. Me pak distancë nga njëra-tjetra dyqane të vogla shumëngjyrëshe shpërndajnë kudo aromën e një kakao me vanilje e mbi banak kanë rreshtuar çokollata të çdo lloj forme e shije. Pranë tyre në këmbë turistë e vendas shijojnë gauffre-n belge, ëmbëlsirë tipike, servirur e ngrohtë e në formën e hojeve të bletës, me katrorë të vegjël të mbushur sipas dëshirës, çokollatë e zezë, e bardhë, me fruta o thjesht me sheqer pluhur. Në Rue Royale gjendet dhe pastiçeria e famshme “Mary Chocolatier” e një foto kujton se është vendi ku presidenti amerikan George W. Bush, gjatë vizitës në Bruksel, ndaloi për të blerë çokollatën belge. Në kryeqytetin Evropian çokollata është pjesë e jetës së përditshme e falë çmimeve të variueshme bëhet një kënaqësi e lejueshme për çdo klasë shoqërore. Në lokale estetikisht mjaft origjinale e të këndshme serviret birra vendase, ndërsa dyqanet e suvenireve mbajnë varur në vitrina punime karakteristike në grep. Prania e fortë shumetnike e banorëve vendas e vesh këtë qytet me një atmosfere akoma më folkloristike e tek-tuk mund të gjesh minimarkete ku shërbehen veçse prodhime arabe. Gjithkund përdoren dy gjuhë: frëngjisht e flamenge, në emërtime rrugësh, sheshesh, ndërtesash, që vështirësojnë pak më shumë kuriozitetin e turistëve. Etimologjia e fjalës Bruksel nënkupton “shtëpia mes kënetë”, por që gjen vend veç në orët e para të mëngjesit ku një shtresë e hollë mjegulle mbështjell si një shall i bardhë tërë qytetin. Në këtë pasdite dimri skenografia me sfondin gotik të Grand Place nga njëra anë, me ndriçimin superelektronik të Kullë së Zezë nga ana tjetër, bashkë me larminë e objekteve rreth tyre, të bën ta quash veç “shtëpia mes epokash”.

 Përfaqësuese dok e epokës moderne të këtij qyteti është lagja evropiane ku ndodhen zyrat e mjaft institucioneve të Këshillit të Evropës e ngrihet godina e Parlamentit Evropian apo siç e quajnë dashamirësisht belgët “Caprice des Dieux” (Kapriço e hyjnive - tip djathi i rafinuar), për shkak të formës ovale të ngjashme me të. Në këtë zonë bindesh se ndodhesh në zemër të Evropës e në kryeqytetin e saj.

Sapo kapërcen sheshin “Leopold”, pak metra para hyrjes në godinën e Parlamentit Evropian silueta të shumta e të ndriçuara peçikllazi me madhësitë e formën e trupave humanë të urojnë mirëseardhjen. Qëndrojnë në këmbë e të pozicionuara përqark një rrethi dhe duket sikur hedhin një valle të heshtur rreth qendrës së tij ku merr shtat një cilindër i lartë mbi të cilin është shkruar “Sakharov”. Është monumenti kushtuar një çmimi të rëndësishëm që prej vitit 1988 Parlamenti Evropian ia ka dedikuar shkencëtarit rus Andrei Sakharov. Çmimi “Sakharov” është çmimi për lirinë e mendimit e vlerëson çdo vit personalitete e organizata që ia kanë dedikuar jetën mbrojtjes së lirive të njeriut e lirisë personale. Janë njëzet e tri silueta peçikllazi, pa asnjë dallim mes tyre ku veç emri mbi gjoks i identifikon. Të gjithë fitues të çmimit “Sakharov” e mes tyre dy emra shqiptarësh: Adem Demaçi e Ibrahim Rrugova të bëjnë të ndjehesh vec mirë. Mbi kolonën qendrore të monumentit një biografi në pak rreshta flet për jetën e çdonjërit prej tyre e mbi historikun e shkurtër të aktivitetit të tij. Qe viti 1988 kur Parlamenti Evropian vendosi ta quante këtë çmim në nderim të shkencëtarit Andrej Sakharov. Fizikani rus qe pjesëmarrës në eksperimentimin e parë të fabrikimit të bombave termonukleare sovjetike. Si anëtar i Akademisë së Shkencave kundërshtoi me forcë përdorimin e eksperimenteve nukleare me qëllim luftarak. Shfaqet mjaft kritik ndaj regjimit represiv rus gjatë viteve ‘70 e krijon komitetin për mbrojtjen e të drejtave civile të të persekutuarve e të burgosurve. Më vitin 1975 nderohet me “Nobel” për paqen, të cilin nuk mundi ta tërhiqte dot. Në vitin 1980 ai arrestohet nga regjimi sovjetik e internohet në Gorkij. Rehabilitohet më 1884 pas ardhjes në pushtet të Gorbaçovit e në vitin 1986 zgjidhet deputet i Parlamentit rus. Vdes në moshën 68-vjeçare në dimër të po këtij viti.

 Sa më shumë mbrëmja errëson “Caprice des Dieux” aq më tepër siluetat “Sakharov” shkëlqejnë pranë tij. Lexon mes tyre Nelson Mandela, fituesi i parë i këtij çmimi, Aung San Suu Kyi, politikane birmane fituese më 1990 e që prej vitesh lufton për të drejtat civile në një shtet të shtypur nga diktatura ushtarake. Silueta në krah të saj mban emrin Adem Demaçi, fitues në vitin 1992, mbi cilindrin biografik është shkruar: “Politikan e shkrimtar kosovar që ka kaluar 32 vjet të jetës së tij i burgosur në Jugosllavi, pasi kishte kritikuar shtypjen e minorancave shqiptare në këtë vend”. Pak metra më tutje gjendet Ibrahim Rugova, lider politikan kosovar, fitues në vitin 1998 e një prej 215 nënshkruesve kundër vendimit të Millosheviçit për të ndryshuar statusin e Kosovës. Një mbështetës i paqes e i luftës jo të dhunshëm. Silueta e fundit e saposhtuar në arkitekturën e këtij monumenti mban emrin Guillermo Farinas. Ky disident kuban 48-vjeçarë mban mbi shpinë 23 greva urie, burg e proteste kundër regjimit kuban e dhunës së tij ndaj të drejtave të njeriut. Ai ende nuk e ka tërhequr çmimin e tij, ceremonia e vlerësimit të të cilit u krye para një emri e një karrige bosh. Çmimi “Sakharov” quhet çmimi i lirisë së mendimit. Kush ka lirë mendimin, ka të lirë idetë e tij, opinionet, veprimet, ka të lirë penën e aktivitetin social që mbetet i papërlyer nga ngjyra e slogane politike.

Në zemrën e lagjes evropiane të Brukselit, mes godinave të institucionit evropian gjendet dhe monumenti statuja e Evropës. Dhuruar nga artisti francez Bernard Romain, titullohet “Bashkimi i Paqes” e është punuar, gdhendur e pikturuar nga fëmijë të kombësive të ndryshme që vuajnë nga problematika e shikimit. Krahë shumëngjyrësh ngrihen drejt qiellit, duke mbajtur në duar një rruzull tokësor e ku gjen mbështetje një pëllumb i bardhë. Është ky një mesazh universal vëllazërie, tolerance e shprese i dëshirueshëm nga gjithkush.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›