E Diel, 1 Nëntor 2026

Johnny Depp, aktori i famshëm që ëndërron muzikën

Kinematografia, për të ishte një devijim i rastësishëm që ai pati nga rruga që kishte zgjedhur në moshën 20-vjeçare. “Unë vërtet që nuk kisha asnjë interes për aktrimin, fare

Kishte ca kohë që nuk kishim lexuar ndonjë gjë me vlerë për “të mirësjellshmin” Johnny Depp. Më në fund, diçka interesante. Ai është këtë muaj në kopertinën e “Vanity Fair”, intervistuar nga Patti Smith. Në brendësi të numrit, foto të papara të aktorit kontraversial. Subjekti i intervistës varion nga roli i tij si kapiteni Jack Sparrow te “Pirates of the Caribbean”, deri te puna me Angelina Jolie në filmin “The Tourist”. Depp zbuloi se kur reklama e “Pirates” po shpërndahej, disa nga Disney Folks e urrenin portretin e tij të kapitenin Sparrow, që e konsideronin si “të dehur, teveqel”. Pati madje edhe një grua që pyeti nëse Sparrow ishte homoseksual. Ai iu përgjigj: A nuk e dije ti që shumica e roleve që unë interpretoj janë homoseksualë?! Po kështu, drejtori i Disney-t në atë kohë, Michael Eisner, tha që Depp po e shkatërronte këtë film. Me siguri, ai person do t’i ketë “ngrënë” fjalët mbrapsht, pasi që me lançimin e parë, “Pirates of the Caribbean” ishte dhe vazhdon të jetë një sukses i vërtetë. Sipas Depp, personazhi i Sparrow personifikon atë pak Bugs Bunny që ndodhet në secilin prej nesh. Po të ndalemi te momenti kur ai u takua me aktoren seksi Angelina Jolie, me të cilën do të luante në filmin “The tourist”, Depp e përshkruan këtë takim si një “surprizë të këndshme”. Ai tregon gjatë intervistës se zbuloi që Jolie ishte një “person normal, me një sens të mrekullueshëm humori”. Po kështu, Depp tregon se dyshja ra dakord që të mos flisnin apo të rrinin pranë njëri-tjetrit në publik, sidomos kur pranë tyre kishte paparacë, të gatshëm të hedhin në shtyp lloj-lloj spekulimesh. “Të mjerët ata, ajo dhe Brad Pitt , së bashku me fëmijët e tyre. Nuk e kuptoni dot sesa qesharake është jeta, kur çdo ditë ti del nga shtëpia, ndërsa një tufë paparacësh të presin te porta”, - shton Depp, duke treguar më tej për vështirësitë që patën në realizimin e këtij filmi dhe sidomos për të qenë sa më diskretë me njëri-tjetrin. Ai e krahason Angelina-n me një tjetër zonjë të famshme. “Kam pasur nderin dhe kënaqësinë të njoh Elizabeth Taylor për disa vite. Ajo është e mahnitshme, kaq e thjeshtë dhe Angie ka të njëjtën sjellje dhe afri me njerëzit”. Po pse e tërhoqi roli i një matematikani te “The Tourist” të madhin Depp?! “Gjithmonë më kanë tërhequr personat që duken krejtësisht normal, pasi ata janë më të çuditshëm nga të gjithë”, - shpjegon Depp. I pyetur sesi i kategorizon sipas rëndësisë rolet e komplikuar dhe shpesh eskentrikë që ka interpretuar, ai thotë se ata janë si sirtarët. “Ed Wood është njëri prej tyre, Hatter është një tjetër, Duargërshëri një tjetër e kështu me radhë”, - tregon ai. Diku gjatë intervistës, Depp i rrëfen intervistueses Patti Smith simpatinë që ka pasur për hitin e grupit të pop-it të viteve ’60, “Monkees” “Daydream Beliver”, karrierën muzikore që ai ka pasur, pasi drejtimi i aktrimit ishte një devijim i rastësishëm që ai pati nga rruga që kishte zgjedhur në moshën 20-vjeçare. “Unë vërtet që nuk kisha asnjë interes për aktrimin, fare. Unë isha një muzikant, kitarist, dhe kjo ishte ajo që unë doja të bëja në jetën time”, sqaron ai që është shndërruar në një nga aktorët më të mirë 40-vjeçarë që Hollywood-i ka sot. Ndoshta ai thotë që ka lindur në epokën dhe vitet e gabuara, pra vitet ’60. (Johnny ka lindur më 9 qershor të vitit 1963). Gjithsesi, tani 47-vjeçari është në udhë të mbarë për të interpretuar rolin e vampirit Barnabas Collins, në filmin “Dark Shadows”, me regjisorin Tim Burton, me të cilin punoi edhe për “Alice in Wonderland”. Filmi bazohet në mucial-in e viteve ’60, me vampirë, ujqër, fantazma dhe zombie. Xhirimet nisin në prill.

I “çmendur” pas Keith Richards të “Rolling Stones”

Çdo person e di që Johnny Depp është një fans i madh i Keith Richards dhe që ai e bazoi karakterin e rolit të tij prej kapiteni, Jack Sparrow, te kitaristi legjendar i Rolling Stones. Por a e dini gjithashtu që ai nuk është shumë i dhënë pas filmave fiction, në të cilët interpreton?! “Unë jam i fiksuar pas dokumentarëve. I adhuroj”, - thotë aktori hollivudian. Ndoshta për shkak të këtij entuziazmi, vetëm pak kohë më parë, Depp ka realizuar një dokumentar për Richards, madje ai edhe aktualisht është duke u marrë me të. “Do të dalë diçka e shkëlqyer”, - thotë aktori, i cili ka marrë për herë të dytë frenat e drejtimit të filmit në dorë, pas eksperiencës në dramën e vitit 1997 “The brave”. Sipas tij, deri tani puna ka qenë mjaft intensive, janë kryer plot 35 orë xhirime. “Ne të dy ulemi në divane duke pirë diçka dhe nisim të flasim shumë për Keith. Kjo është një pjesë e intervistës që do të jetë në këtë projekt”, - shpjegon Depp. Pjesë e filmimeve do të jenë gjithashtu materiale ku Keith Richards performon, po kështu anëtarë të bendit të tij “X-Pensive Winos”, si dhe shumë të ftuar të tjerë të famshëm. “Kishim Patti Smith, që ishte thjesht e mrekullueshme, Norah Jones, por do ketë edhe të tjerë personazhe në dokumentar”, vijon më tej Dep, sipas së cilit, së shpejti nis procesi i montimit. Ky dokumentar do të vulosë bashkëpunimin e tretë mes Depp dhe Richards. Së bashku ata u paraqitën në vitin 2007, në “Pirates of the Caribbean”, si dhe në një tjetër projekt që del në maj. Edhe pse dokumentari për Richards nuk ka ende një datë promovimi, Depp thotë se një do të ketë një lloj shfaqjeje teatrale, shumë shpejt. Fotograf i filmit është i mirënjohuri Dariusz Wolski, kinematograf i “Pirates of the Caribbean”, që sipas Depp ka krijuar diçka midis Padrinos dhe një pikture të piktorit të famshëm italian të shekullit të 17-të, Caravaggio-s. “Keith në këtë atmosferë është diçka me të vërtetë që nuk duhet humbur”, pohon aktori.

Johnny Depp, ndër më të pasurit, ia kalon vetëm Cameron

Regjisori James Cameron and Johnny Depp kryesojnë listën e njerëzve më të paguar në Hollywood për vitin 2010. Cameron, i cilësuar me këtë rast nga revista “Vanity Fair” që ka bërë edhe renditjen e 40 personazheve, si “Mbreti i botës”, ka fituar 157 milion dollarë nga suksesi i paparë i “Avatar”, të cilin ai e shkroi, drejtoi dhe prodhoi. Filmi fitoi nga arkëtimet e kinemave plot 2.8 miliard dollarë, duke u shndërruar kështu në një nga prodhimet më të suksesshme në para, të gjithë historisë së kinematografisë. Sa i takon aktorëve të Hollywood, lista kryesohet nga Johnny Depp, fitimet e të cilit vetëm për filmi “Alice in Wonderland” (“Liza në botën e çudirave”) kapën vlerën e 40 milionë dollarëve, 35 milionë të tjera nga “Pirates of the Caribbean” dhe 20 milionë dollarë nga “The tourist”. Lista vijon me Christopher Nolan me 71,2 milionë dollarë dhe Leonardo DiCaprio me 62 milionë dollarë, të cilët duhet t’i jenë falënderues filmit “Inception” që ngriti ndjeshëm të ardhurat e tyre. Surpriza e këtij viti janë edhe trioja e “The Twilight Saga, Eclipse love”, Taylor Lautner, Robert Pattinson dhe Kristen Stewart, të cilët kanë fituar përkatësisht 33,5 milionë dollarë; 27,5 milionë dollarë dhe 28,5milionë dollarë. Sa i takon Johnny Depp, do jenë pikërisht këto fitime kolosale që e kanë shtyrë atë të mendojë për një rezidencë në Venecia të Italisë, pas së cilës u dashurua ndërsa luante në “The tourist”. Çifti zotëron një pronë prej 50 akrash në Jug të Francës, si dhe një super-rezidencë në Hollywood, që dikur i përkiste Bela Lugosi. Në fakt, i lindur nën shenjën e Binjakëve, Johnny Depp i dashuron ndryshimet. I zgjuar dhe tepër seksi, ai karakterizohet nga një kuriozitet konstat në lidhje me kulturat e botës, ndaj i pëlqen të lëvizë shumë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›