E Diel, 1 Nëntor 2026

Orgesa nga Zvicra: O sa mirë me ken në kurbet

Zëri i saj prej disa kohësh i ka munguar night club-eve në kryeqytet, me repertorin e pasur që nga muzika rock, pop, soul, blues, country, këngë të zgjedhura shqiptare etj. Kjo, pasi Orgesa Zaimi, me të vënë kurorë me të fejuarin e saj, Mentorin, u largua drejt Zvicrës për një periudhë relativisht të shkurtër kohore, pasi në qershor do të jetë sërish këtu. A do të sjellë të reja?! E pyetur nga “Standard” rock-girl Orgesa tregon se po punon për albumin e saj të parë në gjuhën angleze, ndërsa në lidhje me atmosferën artistike në Zvicër ajo thotë thjesht: “Këtu ka mundësi që në Shqipëri nuk t’i ofron askush”. Por, si shqiptarë që jemi, nuk kemi ngurruar të dimë siç ndodh rëndom me çiftet e martuar, se a do të ketë Orgesa së shpejti ndonjë plan për të shtuar familjen me një bebe të bukur. Ja si na përgjigjet vetë Orgesa, pa thënë as “po” e as “jo”: “Le të shohim, ato janë punët e Zotit!”

Orgesa, si po ecën "kurbeti"? Duket se po bën qejf, shëtitje në Paris, Amsterdam etj. I kemi parë të gjitha nga ato që poston ti në rrjetet sociale.

Fjala "kurbet" e thënë në vitin 2011 të tingëllon shumë e vjetër, e lashtë, dhe në njëfarë mënyre denigruese, por meqenëse është shndërruar në një zhargon kurbetçinjsh mund të them "O sa mirë me ken në kurbet".

I ke ndjekur këto ngjarjet e fundit me protesta, që i ke shoqëruar me vargjet e rilindasve tanë, si Pashko Vaso?

I kam ndjekur nga kanalet e huaja dhe e vetmja ndjesi që kam është tmerri. Do t’i shkonin shumë vargjet "O Shqipëri, e mjera Shqipëri", sepse mua në atë moment ashtu më erdhi ngjarja, si mjerim.

Ç'impakt të kanë krijuar, thua shyqyr që jam larg, apo jo?

Nuk them shyqyr që jam larg, sepse do kthehem në qershor dhe do jetë si zakonisht, Shqipëria ime e mjerë, por mjerim i domosdoshëm.

Çfarë bëhet andej nga Zvicra, ndonjë gjë që vlen të përmendet?

Gjeneva, ku ne ndodhemi, është një kanton frëngjisht folës i Zvicrës, është vend internacional, sepse ka shumë organizata të huaja, përfshi këtu United Nations etj., dhe ndesh me njerëz nga e gjithë bota. Pra, është një qytet nga i cili nuk të vjen të ikësh kurrë.

Fotot e tua tregojnë se me shoqëri nuk jeni keq, duket se jeni ambientuar shpejt.

Shoqëria mua nuk më mungon asnjëherë, për aq kohë sa dimë gjuhë të huaja dhe kemi sens humori. (Qesh)

Sigurisht që angazhimet aty nuk janë kaq të mëdha sa këtu, ku kishit radio, tv, performanca live etj. A ke kohë të gatuash p.sh., apo me këtë pjesë merret më shumë Mentori, bashkëshorti yt?

Kam kohë të gatuaj, të merrem me sport, të shkoj në kursin e frëngjishtes, të bëj shopping dhe fundjavave të dal me miqtë. Domethënë, kam kohë për çdo gjë.

Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria, veç mamit, babit, motrës, mbesave etj., byrekut shqiptar etj., etj.?

Më mungojnë shumë të gjithë ata të sipërpërmendurit, edhe pse flasim shumë shpesh, na merr malli edhe për shoqërinë, por jo për showbizz-in shqiptar.

Nga muzika ç’thuhet në Gjenevë? A aspiron të futësh këmbët aty apo i ke sytë nga Shqipëria?

Këtu ka shumë mundësi të cilat në Shqipëri nuk t’i ofron askush, kam një projekt të rëndësishëm, jam duke punuar për albumin tim të parë dhe të parë në gjuhën angleze, kështu që pres përfundimin e tij për të parë rezultatet.

Të shohim kaq aktive në rrjetet sociale. Si e gjen kohën për t'i bërë të gjitha dhe për t'i shoqëruar ngjarjet si përherë, me një sens të paparë humori?

Facebooku është gjëja e vetme që më mban të lidhur ngushtë me Shqipërinë, dhe humori im nuk është diçka e paparë, por është thjesht një mënyrë për ta marrë jetën më lehtë, pa asnjë kompleks.

Së fundmi, pyetja që ti me siguri e pret. Tani që je e martuar, do të bëni ndonjë bebe të bukur si vetja?

Le te shohim, ato janë punët e Zotit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›