E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fqinjët: Si jetonim derë më derë me punishten e minave-celular

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 07-03-2011 12:33

Tiranë Kanë jetuar “derë më derë” me eksplozivë e mina të telekomanduara, por rrezikun e kanë mësuar vetëm prej televizorit. Fqinjët e Endri Hametajt, të cilët banojnë në një pallat pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë shprehin habi kur i pyet për historinë e Hametajt, shtëpia e të cilit ishte kthyer në një punishte minash, një pjesë e të cilave, të përdorura për atentate të bujshme në Tiranë. “Familja e tij jeton prej 10 vitesh në SHBA, ndërsa Endri jetonte mes Tiranës dhe Gjermanisë. Shkonte herë pas here atje për të blerë makina, të cilat më pas i shiste, por edhe këtë punë e kishte lënë. Thoshte se njerëzit tashmë ikin vetë jashtë shtetit për t’i blerë makinat” - thotë një fqinj i tij për MAPO-n. E vetmja ngjarje që ka zgjuar kureshtinë e banorëve ishte mësymja e forcave të policisë në pallatin e tyre, dy ditë më parë. Nga punonjës të policisë kanë mësuar se Endri Hametaj ishte plagosur në këmbë nga shoku i tij Artan Hasani dhe se në apartament ishte gjetur një arsenal i tërë municionesh e pajisjesh, për prodhim bombash të telekomanduara. “Ngjarjen e morëm vesh më së shumti nga gazetat dhe televizionet, pasi ditën e ngjarjes pamë vetëm një numër të madh policësh, pa mësuar asgjë se ç’kishte ndodhur. Në të vërtetë, Endrin nuk e shihnim shpesh në pallat. Rrallë përshëndeteshim nëpër shkallë. Jam habitur nga ajo që mora vesh, pasi familja e tij ishte shumë e nderuar, i ati inxhinier, ndërsa e ëma arkitekte. Ata ikën në Amerikë me lotari prej 10 vitesh. Fillimisht iku dhe Endri, por më pas u kthye dhe tha që do fillonte shkollën” – tregon njëri prej fqinjëve, duke shtuar se nuk kishte dëgjuar krisma mbrëmjen e së premtes. Gjatë bisedës mësojmë se i arrestuari i dytë, për punishten e minave me sahat, Artan Hasani banonte në pallatin përballë. Një çift të moshuarish, të cilët banojnë përballë Hametajt, thonë se e kishin parë dy ditë të shkuara duke zbritur shkallët me qenin e tij. “Dy ditë përpara ngjarjes e pashë nëpër shkallë që po zbriste, bashkë me qenin e tij. Kisha gati dy muaj pa e parë dhe menjëherë e pyeta e merakosur se ku kishte qenë, se na kishte bërë merak. Ai m’u përgjigj duke më thënë se kishte dy javë që kishte ardhur, por pa na dhënë asnjë detaj tjetër”, – tregon e moshuara. Të moshuarit tregojnë dhe momentin kur kishin mbërritur forcat e policisë dhe kishin trokitur në derën e tyre. “Ka qenë mëngjes, kur dëgjuam që po trokisnin në derë. Dola për të parë kush ishte dhe përpara më dolën disa policë, të cilët më pyetën nëse kishte njeri te shtëpia e Endrit. I thashë se nuk dija gjë, pasi ai vinte dhe ikte herë pas here. Ata më pyetën nëse kisha dëgjuar krisma, por për hir të së vërtetës ne nuk kishim dëgjuar gjë, pasi dhoma jonë e gjumit është nga ana tjetër. Kur dola nga dera, pashë disa vazo lulesh të hedhura në tokë dhe dheu i shpërndarë gjithandej. Policët më pyetën nëse dija gjë për vazot, por i thashë që deri në darkë ato ishin në rregull. Sipas policëve, mësova se dy të rinjtë mund të jenë zënë mes tyre dhe kanë rrëzuar vazot. Aty mora vesh gjithashtu që Endri ishte plagosur në këmbë, por përsa i përket asaj që ishte gjetur brenda në shtëpi, arrita ta merrja vesh vetëm nga mediat“, – shton fqinja e familjes Hametaj. Ndërkohë, Policia e Tiranës është duke hetuar implikimin e Endri Hametajt dhe Artan Hasanit në disa atentate me mina-celular në kryeqytet. Ende nuk dihet nëse roli i dy të rinjve ishte shitja e minave, apo edhe përfshirja në krime, ndërsa dëshmitë e tyre pritet të zbardhin skemën e kësaj ngjarjeje.

Arsenali në shtëpinë e Hametajt

Dy armë zjarri pistoletë tip Berete, të prodhimeve të huaja

Mbajtëse fishekësh me 14 copë fishekë të calibrit 9 mm

35 copë fishekë të modeleve të ndryshme

Dy krehër pistolete, me caliber 9 mm

Një silenciator që përdoret për armët pistoleta.

20 copë kapsollë elektro-detonatore

3 kg lëndë eksplozive

8 copë bateri 1.5 voltëshe,

22 aparate celula së bashku me karta Sim,

Një sasi parash prej 5000 euro.

Pesë orë dore të llojeve të ndryshme.

Një kompjuter i markës IBM.

17 disqe CD me pamje filmike të ndryshme

Një pajisje e llojit AVI, së bashku me një mekanizëm metalikë me lupë,

Pranga hekuri, dhe tabelë ndalim qarkullimi,

22 karta sim të Kompanive telefonike Vodafon, AMC e Igel Mobile.

16 bateri të lidhura me fije teli të kapsollave detonatore.

Pinca, kaçavida, dylbi, aparat fotografik, etj

Pajisje elektronike në formë radio me antenë

Pulte elektronike të komandimit në distancë.

Pajisje elektronike për ndërprerje valë telefonike,

Si dhe thika metalike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›