E Diel, 1 Nëntor 2026

Menaxheri në kërkim, vodhi 15 mln lekë të kompanisë

Tiranë Menaxheri i një rrjeti supermarketesh në Tiranë është shpallur në kërkim nga efektivët e Policisë së Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur kasafortën e supermarketit të cilin menaxhonte, duke marrë prej andej shumë prej 15 milionë lekësh të vjetra. Burime zyrtare nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se, pas punës hetimore, të kryer nga specialistët e Komisariatit Nr.2, nën drejtimin e shefit të këtij komisariati, kryekomisarit Erzen Breçani, është arritur të dokumentohet e gjithë ngjarja dhe të shpallet në kërkim 25-vjeçari Dritan Islamaj, me detyrë menaxher. Nga hetimet e kryera deri më tani nga efektivët e Komisariatit 2, është arritur të provohet se Islamaj, duke përfituar nga detyra që mbante, ka hyrë në orët e para të ditës në ambientet e supermarketit dhe pasi ka hapur kasafortën, ka marrë prej andej shumën prej 15 milionë lekësh të vjetra, e cila ishte dhe xhiro ditore e këtij supermarketi. Menjëherë pas ngjarjes, Islamaj ka humbur gjurmët dhe nuk është kthyer më në punë. Kanë qenë vetë punonjësit e këtij supermarketi, të cilët pasi kanë parë kasafortën e zbrazur, kanë njoftuar menjëherë policinë. Efektivë të shumtë policie, kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe pasi kanë kryer të gjitha veprimet, kanë arritur të provojnë se autori i kësaj grabitje është Dritan Islamaj, i cili tashmë është shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e tij. Th.Samarxhiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›