E Diel, 1 Nëntor 2026

Fqinjët e rinj të Kosovës

Kosova duhet të përgatitet që të ketë përfitime strategjike nga dy qeveritë e sapoformuara në shtetet fqinje, në Serbi dhe Maqedoni. Përderisa marrëdhëniet diplomatike me Shkupin janë të arritshme, çështja kryesore në axhendë me Beogradin duhet të jetë ndalimi i programit të ndarjes, që ishte favorizuar nga administrata e kaluar serbe. Anëtari dhe ish-ministri i Financave i Partisë Demokratike (DS), Mirko Cvetkoviç, do ta drejtojë qeverinë e re të përbërë nga DS, partia G17+, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) dhe katër formacione më të vogla. Pa Vojislav Koshtunicën në udhëheqje, Serbia tani ka një mundësi që të ecë përpara. Me gjithë të kaluarën e tyre të turpshme, socialistët hyjnë në qeveri për të marrë pak besim nga ndërkombëtarët, si një Parti normale Socialdemokrate që është zhveshur nga njolla e Millosheviçit. Ka mundësi që udhëheqësi i SPS, Ivica Daçiç, të bëhet zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme. Qëndrimi pro-evropian i partisë është mirëseardhur nga BE, megjithatë, veprimet e saj gjatë mandatit do të jenë të mbikëqyrura. Zgjedhja e Cvetkoviçit si kryeministër do të mund të dëshmohej e frytshme për pjesëmarrjen e Serbisë në organizata ndërkombëtare dhe për përparimin drejt anëtarësimit në BE. Ai është një ekonomist i trajnuar, me përvojë në Bankën Botërore dhe i jep vëmendje më të madhe të ardhmes sesa të kaluarës. Koalicioni i ri do të vazhdojë ta kundërshtojë publikisht pavarësinë e Kosovës, por vrulli i tij ka gjasa të ngadalësohet, pasi Cvetkoviç nuk do të donte ta pengonte rrugën e Serbisë drejt BE. Menjëherë pas formimit të qeverisë, BE mund të bëjë të ditura kushte të rëndësishme që të demonstrojë seriozitetin e saj për stabilizimin e rajonit. Mbi të gjitha, Beogradi duhet ta ndalë përkrahjen e fshehtë që i jep ndarjes së Kosovës, nëse do që të përparojë më tej drejt hyrjes në bashkësi. Nuk mund të kemi riprodhime të nacionalistëve të vjetër, sikurse ministri në shkuarje i qeverisë së Serbisë, Sllobodan Samarxhiç, i cili kishte deklaruar se krijimi i strukturave të reja paralele nënvizon se Kosova mbetet pjesë e Serbisë. Serbët në veri të Kosovës kohët e fundit me përkrahjen e Beogradit kanë krijuar Kuvendin e tyre, që do të pajtohej me ligjet e Serbisë dhe i cili do të refuzonte institucionet e Kosovës. UNMIK dhe BE e kanë shpallur Kuvendin si jolegjitim, por duken konfuzë sa i përket përgjigjes së tyre të radhës. Ata si duket e kuptojnë se rreziku i ndarjes është rritur, por nuk kanë një strategji efektive që t’i kundërvihen kësaj. Koha më e mirë për dërgimin e një porosie të qartë Beogradit do të ishte në ditën e inaugurimit të qeverisë së re të Serbisë. Maqedonia i jep një mundësi Prishtinës që të kërkojë njohje rajonale, edhe pse kryerja e punëve me koalicionin e ri në Shkup do të jetë e vështirë. VMRO, fituesi më i madh i zgjedhjeve, ka vendosur ta fusë Bashkimin Demokratik për integrim (BDI) në koalicionin e ri në vend të Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), duke krijuar kështu shumicën prej dy të tretave në parlament. Sipas disa raporteve të besueshme, trysnia politike ndërkombëtare ka luajtur një rol jetik në vendimin e VMRO, pasi PDSH shihet si më “mendje-pavarur” dhe më pak e “lakueshme” sesa BDI. Uashingtoni dhe Brukseli nuk duan një trysni të shtuar të kërkesave të shqiptarëve, në kohën kur Shkupi ballafaqohet me aspiratat e tij euroatlantike dhe është bllokuar nga mungesa e përparimit drejt NATO-s dhe BE. Megjithatë, një qasje e tillë mund të dëshmohet si shkurtpamëse, pasi ka gjasa të mëdha që BDI ta shohë se përkrahja më e madhe po i zhduket, nëse nuk është e aftë t’i përmbushë kërkesat e shqiptarëve për njohjen e Kosovës, lëvizjet e shpejta drejt hyrjes në NATO, si dhe amendamentet për ligje të ndryshme vendore për rritjen e të drejtave grupore të shqiptarëve. Siç raportohet, njohja formale e Kosovës nga Shkupi nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së arritur me VMRO dhe udhëheqja e BDI ka vendosur ta ulë zërin në kërkesat e saj për më shumë të drejta për shqiptarët. Partia mund të jetë, thjesht, e kënaqur të jetë përsëri në qeveri dhe të përfitojë nga postet dhe të mirat e tjera, të cilat do të shtohen pa pasur nevojë që të adresohet ndonjë axhendë specifike. Kryeministri, Nikola Gruevski dhe udhëheqësi i BDI, Ali Ahmeti, kanë deklaruar se prioritetet e qeverisë së re do të jenë NATO dhe integrimi në BE, por pikërisht kjo është hapësira, ku gjasat janë shumë të mëdha që ata të dështojnë. Nuk ka pasur lëvizje para për anëtarësim që prej Samitit të NATO-s në Bukuresht, kur anëtarësimi i Maqedonisë ishte refuzuar për shkak të vetos greke. Gjasat janë të mëdha që marrëdhëniet maqedonase-greke të përkeqësohen edhe më tej, pasi VMRO nuk është e gatshme ta ndërrojë Kushtetutën dhe ta ndërrojë emrin e Maqedonisë me një mbiemër gjeografik apo të përkohshëm. Ndërkohë, Athina ka forcuar pozitën e saj që nga koha e Samitit, duke fituar përkrahje të gjerë në BE për kërkesën e saj për riemërimin e Maqedonisë, gjë që mund të shihet edhe nga vizita e fundit e presidentit francez, Sarkozy, në Athinë. BDI ka vendosur të pajtohet me pozicionin e VMRO sa i përket çështjes së emrit, që do të thotë se nuk mund të pritet ndonjë iniciativë kreative nga ana shqiptare në qeverinë e re dhe kurrfarë progresi ndërkombëtar. Kjo do të mund të armiqësonte komunitetin shqiptar me qeverinë në Shkup, që do të mund të dëshmohej destabilizuese për Maqedoninë. Koalicioni ndërmjet VMRO dhe BDI mund të jetë i përkohshëm dhe disa besojnë se BDI mund të ketë presione që të largohet nga koalicioni brenda disa muajsh, në mënyrë që ta ruajë kredibilitetin te votuesit. Mosnjohja e Kosovës, dështimi i anëtarësimit në NATO, mungesa e progresit drejt anëtarësimit në BE dhe pamundësia që të lëvizet axhenda shqiptare përpara, mund të rezultojnë në humbje të konsiderueshme të popullaritetit për partnerin e koalicionit. Në këto rrethana, Prishtina duhet të jetë e vendosur e jo provokative. Në një kohë kur Shkupi ka presione nga të gjitha anët, Kosova duhet t’i zgjasë dorën fqinjit jugor, duke nënvizuar së njohja e statusit të pavarur do t’i heqë presionet nga komuniteti shqiptar në Maqedoni dhe kjo do ta ndihmojë stabilizimin e rajonit. Përveç angazhimit në demarkacionin e kufirit dhe gatishmërisë që të nënshkruajë traktatin ndërshtetëror, Prishtina mund të jetë një aleat i vlefshëm, duke theksuar rëndësinë e integritetit dhe stabilitetit të Maqedonisë për të gjitha vendet fqinje, duke përfshirë këtu edhe vetë Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›