Fundi i botës është afër? Ndoshta...
Tash nuk e kam idenë, nëse iranianët janë tërësisht të sinqertë, kur thonë se programi i tyre nuklear është vetëm për qëllime civile ose, nëse në fakt kanë ndërmend të shkojnë pas hapave të Izraelit, të cilët janë zotëruesit e të vetmes armë nukleare në Lindjen e Mesme.
Do të kisha menduar se interesi i të gjithëve në Lindje të Mesme (dhe në fakt i tërë botës), do të ishte të jetë një zonë e lirë nga nuklearet. Një gjë që e di, është se gjatë viteve të kaluara një numër i gazetave të Britanisë kanë qenë më se të gatshme të flasin për kërcënimin e armëve të supozuara të Iranit, ndërsa kanë heshtur për rrezikun e atyre të Izraelit.
Një gazetar, i cili rregullisht shkruan për temën e Iranit dhe kërkesës së tij të supozuar për armë nukleare, është Con Coughlin, ekzekutiv i lartë në grupin “Telegraph”. Vetëm javën e kaluar ai shkroi një tekst për “Daily Telegraph” me titull, “Irani ka rifilluar projektin e bombës - A, thotë Perëndimi”.
I shikoj burimet në shkrimin e tij dhe në shumë shkrime të ngjashme për Iranin, të cilët paraqiten vetëm si “zyrtarë” të paemëruar dhe “ekspertë perëndimorë të mbrojtjes”.
Në shtator të vitit 2003, pas okupimit të Irakut dhe pak muaj pas fjalimit “Misioni i përfunduar” të Bushit, një shkrim nga i njëjti Con Coughlin po na thoshte: “Irani jo vetëm që po punon shumë për të zhvilluar një bombë atomike, por, i lënë rehat me mënyrat e veta, mund të arrijë qëllimin e deklaruar të tij që të ketë arsenal nuklear brenda dy viteve. E kuptoni? “Brenda dy viteve”. Dhe përvetësimi i armëve nukleare ishte “qëllimi i deklaruar” i iranianëve. Kjo ishte në vitin 2003. Sërish, burimet ishin paraqitur si “ekspertë të armëve” dhe sërish ishin të paemëruar.
Vetëm pas një viti doli edhe një shkrim tjetër alarmues nga Coughlin, me titullin “Pesë Bomba-N afër duarve të Iranit, gjersa Perëndimi gënjehet”.
Sa afër ishte në fakt “afër duarve”në kohë reale këtë herë nuk u tha, por me sa duket, duhet të ketë qenë shumë, shumë afër, nëse shkrimi i mëhershëm i Coughlinit në vitin 2003 ishte korrekt. Implikimi qartazi ishte se Perëndimi duhet të mos sillej vërdallë më, dhe ... paj, mendoj se e dini vetë çka pastaj.
Në janar të vitit 2006, Coughlin na informoi për një orar të korrigjuar. Tani neve na u tha se Irani “mund të bëhet nuklear brenda tri viteve”. Ja çka kishin për të thënë burimet e tij: “Burimet nga inteligjenca thonë se Irani do të fillojë vendosjen e uraniumit të konvertuar në 164 centrifuga, në Natanz këtë javë. Kjo do të krijojë mundësinë që të krijohet uranium i pasuruar me kualitet të mjaftueshëm për prodhim të armëve nukleare brenda tri viteve. Vlerësimet e mëhershme të kohës minimale të nevojshme për këtë kanë qenë prej pesë e deri në dhjetë vite.” “Burimet e inteligjencës”, si duket, nuk i kanë lexuar raportimet e vetë Coughlinit.
Dhe në janar të vitit 2007, Coughlin raportoi për bashkëpunimin në rritje në mes Iranit dhe Koresë Veriore në fushën e armatimit nuklear dhe ai na dha edhe një orar të frikshëm: “Vlerësimet e inteligjencës për kohën që do t’i duhej Teheranit që të prodhojë armë nukleare, dallojnë. Por zyrtarët e mbrojtjes që monitorojnë bashkëpunimin në rritje në mes Koresë Veriore dhe Iranit, besojnë se iranianët do të jenë në gjendje të testojnë pajisje me gradë të ulët, më pak se gjysmë kiloton, brenda 12 muajve.”
Brenda 12 muajve. Dhe ky shkrim ishte botuar para 18 muajve. Llogariteni vetë. Mbaj mend se Con Coughlin ka shkruar shkrime të tilla për Iranin së paku që nga fillimi i viteve ’90, por tregimet e mëhershme nuk i gjeta të arkivuara në faqen e internetit të “Telegraph”-it. Cilat janë burimet e tij në fakt dhe sa janë të besueshme ato? Si lexues të thjeshtë të gazetës ne nuk kemi si ta dimë këtë me të vërtetë. Por libri i shkëlqyeshëm i Nick Davies-it, “Flat Earth News”, përmban një fragment që nxjerr në shesh Coughlinin dhe lidhjet e afërta që ai i ka kultivuar me MI6 gjatë viteve. Në vitin 2002, “Sunday Telegraph” pagoi një padi të bërë nga Saif al-Islam Gadafy, i biri i udhëheqësit të Libisë, për shkak të një shkrimi të vitit 2005, ku e patën akuzuar për përfshirje në një mashtrim të madh të parave në Lindje të Mesme.
“Sunday Telegraph” pranoi se akuzat e shkruara për Saif al-Islamin ishin të pavërteta. Autori i këtij artikulli origjinal ishte, ia qëlluat, askush tjetër pos Con Coughlin dhe në librin “Flat Earth News” thuhet se Coughlin në fakt kishte marrë tregimin nga burimet në MI6.
Andaj, si do t’ia bëjmë për t’i vënë mashtruesit tanë të paguajnë për çapkënllëqet e tyre? A ju kujtohet shembulli depresiv i Sir John Scarlettit-it, i cili për mëkatet e tij në aferën famëkeqe të manipulimit të dosjes së Irakut u dënua duke...ëm...u promovuar si kryetar i MI6? Pra, kjo do t’ua tregojë qejfin apo jo?