E Diel, 1 Nëntor 2026

Si janë VIP-at shqiptarë të artit, parë më nga afër?

“Të fshehtat” e vogla të artistëve dhe shkrimtarëve tanë...

Petrika GROSI
VIP-at në jetën e tyre private, intimitet dhe atë që quhet “jeta e përditshme”, nuk janë ata persona të cilët dashur pa dashur, jemi mësuar të shohim nën një klishe fikse, pasi kemi krijuar nga një imazh në mendjet tona për secilin prej tyre, duke qenë në kontakt me veprat, prononcimet publike, etj. Jemi munduar të tregohemi sa më realistë kësaj here dhe të sjellim për lexuesin e gazetës “Albania” profile ndryshe të VIP-ave shqiptarë të artit, letrave e të teatrit. Por si janë ata më konkretisht disa nga këta VIP-a, të parë në një këndvështrim tjetër, atë të dëshirës, pasionit apo dhe të ndonjë zakoni pa të cilin nuk bëjnë dot?...

Ismail Kadare, shkrimtari anti-teknologji

Me të panjohurit nuk afrohet lehtë, sikundër kur miqësohet, di të tregohet tepër i dashur. Pika e tij e dobët është padyshim mbesa që mban emrin e një prej personazheve të Kadaresë, Doruntinës. Kadare mund të thuhet se e urren teknologjinë. Ka problem të merret me celularët, me regjistrimin e numrave, etj. Mund të pijë e shumta një gotë verë, cigarja dhe alkooli nuk janë të preferuara nga shkrimtari ynë i madh.

Dritëro Agolli, gjithmonë pas qejfit

Dritëro Agolli është një tip tepër popullor. Ai pret këdo që ka dëshirë ta takojë nëse e ka këtë mundësi. Ndonëse tashmë në moshë madhore, me halle pleqërie e sëmundje, Dritëroi nuk ka hequr dorë nga të shijuarit e pijeve. Gjithmonë siç i thonë fjalës, atij “i djeg xhani” për njëcikë verë të kuqe ose raki të mirë. Edhe Dritëroi nuk është se i ka mirë marrëdhëniet me teknologjinë dhe zhvillimet e saj. Madje celular Agolli nuk mban fare. Gjithsesi, me këto punë merret e shoqja, Sadija.

Zhani Ciko i do korçarët

E ka qejf atë të shkretin lokal poshtë Operas, teksa zbret shkallët që të çojnë poshtë në podrumin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Gjithashtu, maestro Ciko i ka qejf korçarët. Pra është pak lokalist. Për Zhanin ana njerëzore vjen e para, pastaj renditen aspektet e tjera, kjo edhe kur flitet për punën. Me Rudinën, bashkëshorten e tij dhe të ëmën hanë drekat sëbashku në shtëpinë e tyre të vogël e të ngrohtë pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në kryeqyet. Me humor, batuta e buzëqeshje, është po ai Zhani që të gjithë kemi parë edhe te “Ethet e së Premtes”.

Ndriçim Xhepa i dashuruar me bebin

Dobësia e tij e vetme për momentin është fëmija i vogël, të cilën Çimi e do shumë. Aktori Xhepa është një tip që revoltohet shpejt kundrejt padrejtësive apo hipokrizive, por në anën tjetër, humori nuk i mungon asnjëherë. Edhe ai hyn te pëlqyesit, apo admiruesit e verës së mirë, sidomos asaj të kuqe.

Roland Trebicka nuk ngjan me Jovan Bregun...

Nuk është në jetën e përditshme ai karagjozi i “Pallatit 176”, Jovan Bregu, e as si Lipja i “Tetë persona +”. Përkundrazi, Rolandi zakonisht është aq serioz, sa ndonjëherë të merr malli ta shikosh duke qeshur dhe thua me vete: “Të jetë vallë ky Jovan Bregu”?

Ardit Gjebrea, fiks ai i ekraneve!

Gjithë mjalt e sheqer, siç paraqitet në ekranin e televizionit gjatë spektakleve të ndryshme, ashtu Arditi shfaqet edhe në realitet sa i takon komunikimit. Gjithmonë ndonjë projekt i madh që “nuk mund të tregohet për mometin” fshihet pas tij. Veç muzikës ai është tip sportiv dhe ka një sens të veçantë humori.

Cekja i Beratit mes pijeve e femrave të bukura

Gallatë nëpër telefilma e komedi, e gallatë në realitet. Ky është Sejfulla Myftari, apo i njohur për publikun e gjerë me pseudonimin “Cekja i Beratit”. Femrat e bukura dhe pija janë gjithmonë të pëlqyera nga Cekja. Fundja, burri që është burrë nuk bën dot pa to. Në shoqërinë e tij shpesh janë femra të bukura e seksi, me të cilat aktori ka pasur bashkëpunime të ndryshme, por edhe ka ngrënë dreka e darka... Këtu mjafton të përmendim shoqen e tij, Çiljetën.

Moikom Zeqo nuk lexon më!

Kohët e fundit Moikom Zeqo ka hequr dorë nga leximi i librave letrarë, me përjashtim të ndonjë rasti. Ai mendon se nuk ka më çfarë të nxejë në këtë drejtim. Edhe me mediat, te të cilat dikur dilte disa herë në ditë nëpër intervista e lajme Zeqo nuk i ka punët mirë. Thotë shpesh se e ka humbur interesin dhe nuk lexon më gazeta si dikur. Pasioni i tij për arkeologjinë dhe historinë gjallon ende, madje edhe më shumë se më parë.

Marjana Kondi, gruaja dhe nëna...

Aktorja në jetën e përditshme pëlqen të jetë një nënë e mirë, amvisë dhe bashkëshorte ideale. Ndonëse nëpër rolet e telefilmave apo të komedive ajo interpreton shpesh femrën mendjelehtë, është krejt e kundërta në realitet. I pëlqen shumë të gatuajë.

Diana Çuli, gjithmonë në lëvizje

Nga pamja e jashtme mund të duket pak e ftohtë, por është tip shumë i ndjeshëm. Shkrimtarja gjithmonë është e angazhuar me punët e politikës, letërsisë dhe problemet e femrës shqiptare. Ajo merr pjesë në disa shoqata të ndryshme dhe mund të jetë një nga femrat në karrierë, më aktive në këtë drejtim.

Agim Qirjaqi nuk e ndan kapelen
Ende nuk e dimë arsyen sepse aktori nuk e ndan asnjëherë nga koka atë kapelen e tij, ndoshta thjesht një hobi, apo ashtu mendon se është moda?!...

Agim Hushi, ëndrra e tenorit për politikën

Tenori është gjithmonë i interesuar krahas muzikës për politikën shqiptare dhe zhvillimet në të. Ai madje mori guximin që në fushatën elektorale të vitit 2005, të sfidonte direkt në Kavajë kryeministrin aktual Sali Berisha. Mesa duket, Hushi e ka fiksim të bëhet qoftë edhe njëherë të vetme deputet, por deri tani kjo mbetet thjesht një ëndërr.

26 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›