Franca: Me Italinë, jo për hakmarrje

Nga Altin B. Kodra
Lojtarët kryesorë të përfaqësueses së Francës kanë këmbëngulur se ata nuk do të hyjnë në fushë për hakmarrje të mërkurës, kur të presin në fushën e tyre Italinë, në një ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Euro 2008-s, vetëm dy muaj pasi u mundën përballë "Axurrëve" në finalen e Botërorit 2006. Të dyja skuadrat do të përballen sërish me njëra-tjetrën në Paris, në ndeshjet eliminatore të Grupit B, ndërsa në sfond nuk është davaritur ende ai ngadhënjim i Italisë, pas goditjes së 11-metërshave, më 9 korrik 2006 në Berlin.
"Nuk e fshin dot të shkuarën, pasi askush dhe asgjë nuk na bën dot ta harrojmë atë finale, - tha mbrojtësi Lilian Turam. - Edhe nëse fitojmë të mërkurën, nuk e kthejmë dot Kupën e Botës në duart tona." I të njëjtit mendim ishte edhe sulmuesi i Arsenalit, Tierri Hanri, i cili shtoi: "Këtu nuk bëhet fjalë për hamkarrje, sepse, kur të vijë në Paris, Italia nuk do të diskutojë titullin e kampiones së botës. Një veprimtari e ri ka nisur tashmë, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me atë të mëparshme dhe, e vetmja gjë që ka rëndësi është që të marrim të 3 pikët e mundshme, sepse, në këtë grup të vështirë, cdo pikë është e cmuar."
Grupin B e plotësojnë, përvec Francës dhe Italisë, edhe Ukraina, Skocia, Gjeorgjia, Lituania dhe Ishujt Faroe. Gjithsesi, në ndeshjen e së mërkurës në "Stade de France", do të mungojnë dy protagonistët kryesorë të finales së Berlinit. Franca do të jetë pa numri 10 të saj, Zinedin Zidan, të tërhequr nga futbolli, i cili i shtangu tifozët francezë, duke u ndëshkuar me karton të kuq për shkak të asaj goditjeje të paparë me kokë që i bëri në gjoks Marko Materacit. Por edhe ky i fundit u dënua me dy ndeshje pezullim nga Komiteti Disiplinor i FIFA-s, i cili gjykoi se mbrojtësi i Interit e kishte provokuar dhe fyer Zidanin në kohën shtesë të finales.
Ndërkohë që lojtarët e Francës nuk e kanë mohuar se do t'ju mungojë ish-organizatori i tyre, ata kanë treguar gjithashtu se po mësohen të jetojnë edhe pa të. Një fitore në miqësoren kundër Bosnje-Hercegovinë në gusht u pasua nga ai fillim me fitore i fushatës eliminatore të Euro 2008-s, në atë ngadhënjim të rëndësishëm për moralin, 3-0, që arriti ndaj Gjeorgjisë vendase në Tbilisi fundjavën e shkuar. Trajneri Rajmond Domenek e ka braktisur skemën e sofistikuar, 4-2-3-1, të përdorur vecanërisht për Zidanin, dhe iu rikthye asaj tradicional 4-4-2, në të cilin detyra e organizimit të lojës ndahet midis dy-tre mesfushorëve. "
"Ajo që ne arritëm në Botërorin e këtij viti na ndihmoi të rifitonim besimin në vetvete, që na mungoi aq shumë në atë të 2002-shit dhe Evropianin e 2004-s, - tha Hanri. - Tashmë ne po luajmë sërish si një skuadër dhe ekziston një solidaritet për t'u admiruar në gjirin e skuadrës. Cdo lojtar luan për shokun e tij të skuadrës dhe anasjellas. Gjithsesi, përballja me Italinë nuk është e njëjtë me përballjen e ndonjë përfaqësuesje tjetër, pasi gjithmonë kjo ka qenë shumë e vecantë për ne. Por unë e kam kapërcyer zhgënjimin tim, sepse, kur luan futboll, mësohesh të humbasësh edhe kur nuk e meriton atë."
Sulmuesi Luis Saha, i cili shënoi golin e dytë të Francës në Tbilisi, dhe mesfushori Klod Makelele, janë në dyshim, për shkak të dëmtimeve në kavilje, por Domeneku, si gjithnjë i kujdesshëm, la të nëkuptohej se ai do të priste deri në përfundim të seancës stërvitore të të martës, për të vendosur përsa i përket 11-shes së parë. Ndërkaq, homologu i tij në pankinën e Italisë, Roberto Donadoni, nuk ka arritur të fitojë në asnjë prej dy ndeshjeve që ai e drejton këtë skuadër, që pas Botërorit 2006, kur e trashëgoi nga paraardhësi i tij, kampioni i botës, Marcelo Lipi.
Një skuadër "Axurre" e dorës së dytë, u mund 0-2 në fushën e vet përballë Kroacisë në miqësoren e gushtit, ndërsa të shtunën, Italia nuk shkoi dot më larg se një barazim 1-1 në fushën e vet përballë Lituanisë, të parë ndeshje eliminatore të vlefshme për Euro 2008-n. Donadoni është kritikuar përsa i përket përzgjedhjes dhe taktikave të tij, që kanë bërë të ndryshojë skema e Lipit, dhe ka lënë të kuptohet se mund të bëhen disa ndryshime. "Skema nuk ka edhe aq rëndësi, pasi e rëndësishme është që skuadra është kompakte dhe e ngjeshur, - tha ai.
--------------------------------------
Francë - Itali
Të mërkurën, ora 21:00, në Stadiumin "Stade de Francë" (Paris)
Përbërjet e mundshme:
Franca: Gregori Kupe; Vili Sanjol, Lilian Turam, Uilliam Galas, Erik Abidal; Frenk Riberi, Klod Makelele, Patrik Vieira, Florent Maluda; Tierri Hanri, Luis Saha.
Trajner: Rajmond Domenek.
Itali: Xhanluixhi Bufon; Xhanluka Zambrota, Fabio Kanavaro, Andrea Barzalji, Fabio Groso; Simone Perrota, Xhenaro Gatuzo, Andrea Pirlo, Daniele De Rosi; Antonio Kasano, Filipo Inzagi.
Trajner: Roberto Donadoni.
Gjyqtar: Herbert Fandel (Gjermani)