E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, shuhet presidenti i Interit, Xhaçinto Faketi

Ish-kapiteni i përfaqësueses së Italisë dhe i Interit të Milanos, Xhacinto Faketi është ndarë dje nga jeta, bëri të ditur të hënën klubi i Serisë A. 64-vjecari Faketi, i cili ishte aktualisht president i Interit, ka vuajtur nga një sëmundje e rëndë për disa javë radhazi, para se të ndërronte jetë. Një figurë popullore dhe e respektuar gjerësisht në futbolli italian, Faketi ishte kapiten i asaj skuadra të Interit të madh, të mbiquajtur "Grande Inter", e cila pati një sukses të konsiderueshëm në vitet 1960-të. Ai fitoi katër tituj të kampionit të Italisë dhe dy të kampionit të Evropës me Interin, me fanellën e të cilit ai luajtur plot 476 ndeshje në Serinë A.
Faketi luajti 94 ndeshje me fanellën e skuadrës përfaqësuese të Italisë, në 70 prej të cilave ai mbajti shiritin e kapitenit, duke fituar kurorën e Kampionatit Evropian të 1968-s dhe duke u shpallur nënkampion i botës në Botërorin e 1970-s. Pasi kreu detyra të ndryshme te Interi, pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, ai u zgjodh president i klubit në janar të 2004-s, duke u bërë i pari lojtar që kryen këtë detyrë në historinë e Interit. "Ai ishte një figurë e madhe, si në fushën e blertë, ashtu edhe jashtë saj", - deklaroi dje për Faketin ish-shoku i tij i skuadrës te Interi dhe përfaqësuesja e Italisë, Sandro Macola.
"Ai ishte një shok i mrekullueshëm skuadre dhe një figurë autoritare në gjirin e saj, sepse ishte gjithnjë gati të luftonte deri në fund, - shtoi Macola. - Faketi ishte thjesht madhështor." Ndërkaq, Xhani Rivera, një nga legjendat e rivales bashkëqytetase të Interit, Milani, gjatë viteve më të mira të Faketit, kishte gjithashtu fjalët më të mira për një kundërshtar dhe mik të cmuar. "Ai ishte një person i mrekullueshëm, madje shumë më tepër në nivelin njerëzor sesa në atë sportiv, - tha Rivera. - Ne kaluam shumë vite bashë dhe vazhduam të takoheshim rregullisht edhe pasi e lamë futbollin, sepse marrëdhëniet tona ishin shumë të forta."
Kurse Dino Zofi, kapiteni i Italisë, kampione e botës më 1982-shin, shtoi: "Kam kujtime të paharrueshme me Xhacinton. Sepse kemi luajtur për shumë vjet së bashku në skuadrën përfaqësuese. Ishte një njeri i mrekullueshëm dhe nuk kishte asnjë mundësi për të mos e pëlqyer si karakter", - tha ish-portieri i Juventusit. "Ai ishte kapiteni i brezit tonë", - ish-sulmuesi i Italisë, Xhixhi Riva, tashmë një drejtues në Federatën Italiane të Futbollit. "Ai ishte një njeri i ndershëm, i cili, fatkeqësisht, na la shumë shpejt, - vijoi Riva. - Ne kishim një marrëdhënie të shkëlqyer, sepse ai e dinte që mund të mbështetej tek unë, ashtu sikundër unë mund të mbështetesha te ai. Unë kam humbur një mik dhe një shok në shumë aventura të mrekullueshme."

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›