Franca: S`dimë asgjë për bisedimet mes rebelëve dhe Libisë

Franca nuk ka marrë pjesë në kontaktet direkte të mbajtura në Paris mes rebelëve të Libisë dhe përfaqësuesve të regjimit të Muammar Gaddafi-t.
“Nëse ka pasur kontakte direkte, ne jo vetëm që nuk kemi marrë pjesë në to, por as kemi qenë në dijeni”, ka deklaruar Bernard Valero, zëdhënës i qeverisë.
Lajmin për këtë kontakt e bëri të ditur dje i dërguari i Kremlinit për Libinë, Mikhail Marghelov, i cili nënvizoi se presidenti Nicolas Sarkozy ishte informuar për rezultatet e bisedimeve.
Libia vazhdon të ndodhet nën bombardimin e forcave të NATO-s. Palët e përfshira në konflikt shprehen të interesuara për një zgjidhje politike, por ajo duket ende larg.
I biri i Gaddafi-t, Saif al Islam, propozoi dje mbajtjen e zgjedhjeve në Libi, i bindur se ato do të tregonin mbështetjen që i ati ka nga populli libian.