E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, qeveria e re betohet përpara presidentit

Anëtarët e qeverisë së re greke bënë betimin para Presidentit të Republikës Karolos Papulias, në Pallatin presidencial. Ministrat sipas traditës janë betuar mbi Biblën dhe para presidentit se do t`i shërbejnë vendit të tyre me besnikëri dhe më të gjitha energjitë. Pas kësaj ceremonie kryeministri Papandreu do të kërkojë votëbesim në parlament, procedurë, që mendohet të zgjasë deri të martën e javës tjetër.
 

Më herët Kryeministri grek Jorgo Papandreu shpalli emrat e rinj në qeverinë greke, me qëllim tejkalimin e krizës politiko-ekonomike në vend. Papandreu ndryshoi ministrin e financave, Jorgos Papakonstantinu, i cili ishte dhe ndërtuesi i programit kontestues për kursim, ndërsa në vend të tij ka emëruar Evangelos Venizelos, ministrin e deritanishëm të mbrojtjes. Papakonstantinu megjithatë do të ngelet në kabinetin qeveritar, në detyrën e ministrit të Ambientit Jetësor. Ndryshime ka pësuar edhe ministria e jashtme, ku Papandreu shkarkoi ministrin e deritanishëm Dimitris Drucas, ndërsa në vend të tij ka emëruar Stavros Lambrinidis, i njohur deri tani si evrodeputet i partisë PASOK në Parlamentin Evropian. Në detyrën e ministrit të mbrojtjes është emëruar Panos Bedlitis.

Papandreu me këto ndryshime po tenton të sigurojë mbështetje në Parlament për programin qeveritar për kursim, që parasheh ulje të rrogave, rritje të tatimeve, ulje të numrit të të punësuarëve në administratë si dhe privatizim të kompanive publike. Miratimi i qeverisë së re do të jetë edhe një votë "pro" ndaj planit afatmesëm që cilësohet si tepër jetik dhe si kusht për ndihmën nga FMN dhe BE. Siç bëjnë të ditur mediat vendase shteti grek disponon para vetëm për një muaj dhe arkëtimi sa më i shpejtë i këstit të pestë të ndihmës është rruga e vetme për funksionimin normal të tij.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›