E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca dhe Italia kërkojnë reformë në Schengen

Liderët e Francës dhe Italisë thanë se marrëveshja e Schengen-it të hapjes së kufijve në Europë duhet të rishikohet. Lëvizja nga Presidenti Nikolas Sarkozi dhe kryeministri Silvio Berluskoni erdhi pasi ata u takuan për të diskutuar debatin e fundit mbi dyndjen e emigrantëve nga Afrika e Veriut në Europë. Italia ka zemëruar Francën duke dhënë viza për mijëra emigrantë, duke i lejuar ata të udhëtojnë përmes zonës Schengen të Europës. Shumë janë larguar nga trazirat e Afrikës Veriore dhe mes tyre janë mijëra tunizianë që shpresojnë tu bashkohen kushërinjve në Francë. Berluskoni dhe Sarkozi po përballen me presion të brendshëm nga partitë e krahut të djathtë për të evituar emigracionin e gjerë. Dy liderët i kanë shkruar bashkërisht zyrtarëve më të lartë të BE-së, duke kërkuar hetimin e marrëveshjes. Situata në lidhje me migracionin në Mesdhe mund të transformohet me shpejtësi në një krizë që do të minonte besimin që bashkëkombësit tanë kanë në principin e lirisë së udhëtimit brenda Schengen-it, shkruhet në letër, sipas agjencisë gjermane DPA. Është e nevojshme të ekzaminohet mundësia për të rivendosur përkohësisht kontrollin brenda kufijve [Schengen] në rastin e vështirësive përjashtuese, shkruhet në letër. Duke folur në një konferencë për shtyp në Romë pas takimit të tyre, Berluskoni tha se as Italia e as Franca nuk donin që kjo marrëveshje të merrte fund. Por në rrethana përjashtuese, ne besojmë se duhet të ketë variacione në marrëveshjen Schengen dhe ne kemi vendosur të punojmë mbi këtë së bashku, tha ai. Sarkozi shtoi se marrëveshja Schengen duhet të reformohet që të mbijetojë. Ne kemi euron, ne kemi reformuar ekonominë europiane, në do të donim të shikonim të njëjtën gjë në Schengen, tha ai. Marrëveshja do të duhet të negociohet për vite të tëra dhe nuk do të jetë një proces i thjeshtë.

Mbështetje guvernatorit italian

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka mbështetur Guvernatorin e Bankës së Italisë, Mario Dragi, si pasardhës të Zhan-Klod Trishet në krye të Bankës Qendrore Europiane, duke e quajtur atë një njeri me cilësi. Mbështetja nga Sarkozi pasoi sinjalet nga zyrtarë gjermanë se Dragi, 63 vjeç, është bankieri i tyre i preferuar. Franca do të jetë shumë e lumtur të mbështesë një italian për presidencën e BQE-së. Do të jetë një sinjal shumë i mirë për Italinë, e cila ka dyshime mbi rolin dhe pozicionin e saj brenda Europës. Vendimmarrësja kryesore, Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, nuk e ka treguar ende preferencën e saj. Por ndihmësit e saj njoftuan se Gjermania, si ekonomia më e fuqishme e Europës, nuk insiston më që presidencën e BQE-së, me zyrat qendrore në Frankfurt, duhet ta marrë një gjerman.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›