Kadare: Krijimi i dy shteteve shqiptare, fitore për kombin
Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka deklaruar se beson fort në pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve dhe se kjo mund të ndodhë vetëm pasi të kërkohet ndjesë.Në një intervistë për Radio Kosovën, Kadare është shprehur se procesi i pajtimit duhet të bazohet në vendosjen e drejtësisë. Sipas tij, krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan është një fitore e jashtëzakonshme për shqiptarët. E ardhmja e popujve të Ballkanit është në këtë rajon dhe vullneti i tyre do të bëjë që të shkojnë drejt pajtimit dhe sqarimit të gjërave. Sigurisht që pajtimi ka një kriter bazë dhe ai është vendosja e drejtësisë dhe kërkimi i ndjesës, tha Kadare, i cili shtoi se kërkimi i ndjesës nuk është diçka sentimentale, por e domosdoshme. Në historinë e popujve, njohja e krimit dhe kërkimi i ndjesës është ai që përcakton fatin e mëtejshëm midis kombeve, midis popujve, midis fqinjëve dhe kjo gjë do të ndodhë në Ballkan, se sbën, është shprehur ai gjatë intervistës në RK. Pretendenti shumë herë për Nobel-in në letërsi tha se në këtë rast, e vërteta është në anën e shqiptarëve dhe pikërisht për këtë populli shqiptar nuk ka pse të ketë frikë nga gjykimi dhe e vërteta. Kadare ka kritikuar reagimin e qeverisë së Kosovës dhe asaj në Shqipëri për raportin inkriminues të Dik Martit. Ai tha se iu dha rëndësi shumë e madhe pjesës së propagandës dhe retorikës, e cila nuk duhej të na kapte në befasi. Gjëja e parë që duhej bërë, kur doli raporti i Dik Martit, ishte se duhej thënë : ejani menjëherë të hetoni. Madje, Shqipëria dhe Kosova bashkërisht, duhej të nxisnin hetimet, jo të kishin frikë prej tyre. Sepse nuk është as patriotizëm, as korrekte, që ti të tmerrohesh nga hetimi dhe të thuash nuk pranoj të hetohem. Prandaj, do të ishte logjike, dinjitoze, në mbrojtje të interesave shqiptare, nxitja e hetimit.
Kadare ka komentuar edhe tezat dhe opsionet që përmenden për shkëmbime territoresh apo bashkim të trojeve shqiptare. Sipas tij, krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan, ka shkaktuar traumë në të gjitha rrethet antishqiptare në Ballkan. Kjo kërkesë që vazhdon tani, gjithmonë e moderuar, pa ndonjë trysni të madhe, është mençuri e shqiptarëve që të mos nguten për diçka që ska arsye që të nguten. Ishte një fitore e jashtëzakonshme krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan. Një mrekulli nga ato që ndodhin shumë rrallë në botë. Nga një shtet i tkurrur, Shqipëria papritmas shpërthen një komb me dy shtete. Dhe mos kujtoni që kjo nuk ka shkaktuar një traumë psikike në të gjitha rrethet antishqiptare në Ballkan, tha ai.
Sa për ndikimin e fuqive perëndimore në zhvillimin e shteteve të shqiptarëve dhe sa realisht janë ato të pavarura nga ky ndikim, Kadare tha se Nuk ka asnjë shtet që mund të thotë se unë jam i pavarur qind për qind. Unë bëj çka më thotë koka nuk ka të tillë. BE-ja, është një strukturë federative, shtetërore, e cila ka disiplinën e saj, standardet e saj, dhe nuk pranon asnjë sovranitet që të mos ketë asnjë lidhje me të. Ka ligje politike, ekomomike, ushtarake të përbashkëta. Europa, quhet sot, Europa e kombeve, deklaroi ai. Kadare ka folur edhe për shumë çështje të tjera kombëtare në RTK.
Tahiri
Kryenegociatorja kosovare në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, tha se Prishtina ka pranuar negociatat me Serbinë, me kushtin që ato të trajtojnë vetëm çështje teknike. Duke folur për gazetën serbe Blic, Tahiri ka vlerësuar se deri tani përfaqësuesi i Beogradit në bisedime është treguar konstruktiv. Shefi i ekipit negociator serb deri tani është treguar shumë konstruktiv, duke u fokusuar në gjetjen e zgjidhjeve të problemeve teknike. Kjo jep arsye për optimizëm, theksoi Tahiri. Ajo ka shtuar se, deklaratat e negociatorit serb për statusin nuk rrezikojnë bisedimet, për sa kohë ato u përmbahen kornizave të parashikuara.
Oli Rehn
Ish-komisioneri për zgjerimin e BE-së, Olli Rehn, sipas “Wikileaks”, në takimin me ish-ambasadorin amerikan në Finlandë, Merilin Ver, ka parashikuar që Rusia nuk do të mbështesë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit për pavarësinë e Kosovës, njoftohet në kabllogramin e Ambasadës Amerikane nga Helsinki. “Nëse zgjidhet problemi i Kosovës, Serbia do të lirohet nga barra e mbështetjes në Rusi dhe menjëherë mund të përshpejtojë rrugën drejt BE-së”, ka thënë Rehn. “Qëndrimi rus ndaj Kosovës ka të bëjë vetëm me interesat e Rusisë”, citohet ai në kabllogramin e 20 korrikut, 2007.