Turqia prish simbolin e miqësisë me Armeninë
Prishja e një statuje të madhe në Turqi, e cila i ishte dedikuar pajtimit me Armeninë, ka nisur tashmë, pak muaj pasi kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, e ka cilësuar atë si fanatizëm. Statuja 30 m e lartë, e cila paraqet dy njerëz që i japin dorën njëri-tjetrit, ishte ndërtuar në malin e qytetit turk, Kars, afër kufirit me Armeninë me urdhër të bashkisë. Ajo simbolizonte fundin e shumë dekadave armiqësi dhe dyshimi mes dy popujve. Statuja e humanitetit do 10 ditë që të shkatërrohet. Artisti që e krijoi, turku Mehmet Aksoy tha se do ta rindërtojë atë. Erdogan në janar tha se statuja fyente një faltore të shek. XI që ndodhej aty pranë. Qyteti Kars dikur kishte një komunitet të madh armen, i cili u zhduk në vitin 1915, në një aksion që shumë historianë e quajnë genocid. Por Turqia nuk e pranon këtë term.