E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca e forcuar

Franca është kthyer në shkallën më të lartë të futbollit evropian me dy përfaqësues në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, për herë të parë nga viti 2004, pasi Bordeaux mposhti Olympiakosin, ndërsa Lyon e befasoi Real Madridin.

“Tani jemi në mesin e shteteve të mëdha në Evropë”, tha presidenti i Bordeaux, Nicolas de Tavernost, për të përditshmen sportive franceze L’Equipe, pasi ekipi i tij mposhti Olympiakosin 3-1 për triumf me rezultat të përgjithshëm 3-1. Trajneri Laurent Blanc është pajtuar me presidentin e tij, por shtoi se Franca duhet të forcojë për një periudhë të gjatë pozitën e saj në mesin e klubeve elite të kontinentit.

“Ju mund të mendoni, për shkak të ekipeve të kualifikuara për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve dhe të tjerave që janë duke u paraqitur mirë në Europa League, se futbolli francez është në shkallë të mirë”, tha Blanc. “Por, për ta dëshmuar këtë, ne duhet të shohim se si zhvillohet kjo në vazhdim dhe të shohim nëse mund të ndodhë përsëri dhe të presim paraqitjen e vazhdueshme të ekipeve franceze në çerekfinale”, shtoi ai.

Gjashtë vjet më parë, Lyon ishte eliminuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga fituesi i atij edicioni Porto dhe Blanc është i kujdesshëm për shanset e Bordeaux në rrethin tjetër.

“Në mesin e tetë çerek-finalistëve shtatë kërkojnë të takohen me ne. Më lejoni t’ua kujtoj se objektivi ynë ka qenë kalimi i rrethit të parë”, u shpreh ai. Asnjë ekip francez nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve prej kur Marseille mposhti Milanin 1-0 në finalen e vitit 1993.

Lyon kishte detyrë të vështirë kur u tërhoq si kundërshtar me Real Madridin, por ata eliminuan nëntë herë kampionin e Evropës javën e kaluar, duke barazuar 1-1 në Madrid pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë.

Franca ka dy ekipe në çerekfinale, po aq sa Anglia dhe një më tepër se Gjermania, Spanja, Italia dhe Rusia. Bordeaux dhe Lyon janë mbështetur fuqimisht te disa prej futbollistëve të tyre më të mirë si plejmejkeri Yoaan Gourcuff, i cili është duke shkëlqyer në Bordeaux, ndërsa sulmuesi argjentinas Lisandro Lopez është motivues i madh për Lyonin.

“Sonte është për jetë dhe përtej varrit. Ne nuk mund të largohemi nga ky stadium pa dhënë gjithçka nga vetja. Mos u pendoni. Me fat!” kishte shkruar Lisandro në një tabelë në zhveshtoren e stadiumit të Realit, Santiago Bernabeu.

Ndërsa goli i Gourcuffit nga goditja e lirë kundër Olympiakosit u krahasua me legjendën franceze Zinedine Zidane. “Kur ai është në gjendje të udhëheqë lojën, gjithë ekipi ndihet mirë”, tha sulmuesi i Bordeaux, Marouane Chamakh, i cili shënoi golin e fitores 2-1 të mërkurën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›