E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca e “këputur”, Spanja thyen tabunë ndaj “Gjelave”

KIEV-Spanja ka mposhtur 2-0 Francën, duke thyer tabunë të cilës i druheshin përpara startit të ndeshjes. Në Donjeck, kanë qenë kampionët në fuqi të Evropës dhe të botës ata që janë kualifikuar për në gjysmëfinale, duke konfirmuar pritshmëritë se ata mbeten ende një ekip i pamposhtur, megjithë luhatjet në sfidat me Italinë e Kroacinë. Ndaj Francës, gjërat kanë qenë më të lehta se ç’pritej për skuadrën e Del Boskes, e cila nuk kishte fituar kurrë kundër saj në ndeshjet zyrtare. Mbrëmë gjithçka ka rrjedhur ndryshe, ndonëse me një lojë nën ritmin e zakonshëm dhe me shumë pasime të gabuara. Ishte Ksabi Alonso, mesfushori i Realit të Madridit, heroi i “demave”. Ai realizoi të dy golat e takimit, duke nxjerrë jashtë kompeticionit francezët, të cilëve u është dashur të vuajnë gabimin e bërë ndaj Suedisë. Ajo disfatë e papritur bëri që “Gjelat” të përballeshin direkt me një ekip si Spanja, kampione në fuqi e kontinentit dhe e botës.
Surprizat
Takimi ka nisur me shumë surpriza në formacion, sidomos nga ana e Loran Blank. Tekniku francez kishte lënë në stol Nasri e Menez, duke hedhur në fushë Maluda e Kabaj, ndërkohë që mungonte edhe Alu Diarra. Në krahun tjetër, tekniku Del Boske kishte lënë në stol Fernando Torres, duke i besuar nga minuta e parë Çesk Fabregas, një zgjedhje që nuk funksionoi aq mirë ndaj Italisë.
Starti
Ndeshja ka nisur ashtu siç lehtë mund të parashikohej, me futbollistët e Spanjës që pasojnë pafund në pritje të momentit të përshtatshëm dhe me francezët që shikojnë qarkullimin e topit sa në njërin cep të fushës në tjetrin. Për të dhënë një indicje, nga starti i ndeshjes deri në fundin e pjesës së parë, spanjollët kishin realizuar 340 pasime, kundrejt 170 të transalpinëve. Ndeshja zhbllokohet në minutën e 19-të, kur Zhordi Alba tërheq zvarrë Metju Debushi dhe kroson në qendër, aty ku Ksabi Alonso ka mposhtur portierin Hugo Loris me kokë. Deri në fund të pjesës së parë, reagimi i francezëve ka qenë i “trishtueshëm”, me asnjë goditje në portën e Kasijas.
Pjesa e dytë
Në pjesën e dytë, dy trajnerët nisën shumë shpejt të ndryshonin vendosjen taktike në fushë. Për rastin e parë të Francës duhej pritur minuta e 60-të, kur Riberi krosoi në zonë dhe Debushi goditi mbi traun e portës me kokë. Blank ka luajtur edhe kartat Nasri e Menez, duke nxjerrë jashtë Debushi e Maluda, ndërkohë që Del Boske nxorri David Silvën dhe Fabregas, për Pedron e Fernando Torres. Kur Blank vendosi të luajë edhe kartën e fundit, duke hedhur në fushë Zhiru, duheshin 15 minuta nga përfundimi. Megjithatë, “Gjelat” nuk krijuan dot asnjë mundësi, duke e lënë Spanjën të kontrollonte lojën qetësisht. Në minutën e fundit, Revejer rrëzon në tokë Pedron në zonë dhe për arbitrin Ricoli është penallti. Ksabi Alonso nuk fal përballë Loris, duke i dhënë Spanjës kualifikimin në gjysmëfinale, ku do të ndeshet me Portugalinë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›