Franca, gati për "frenat" e NATO-s
Perspektiva e kthimit të Francës në komandën ushtarake të NATO-s pas më shumë se katër dekadash largim, po prek balancat e marrëdhënieve transatlantike. SHBA po përpiqet të joshë Francën dhe ta shndërrojë atë në një partner të ri në lidership, duke lënë në plan të dytë Britaninë dhe Gjermaninë. Sipas diplomatëve dhe analistëve, Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka gjithsesi gjasa ta anashkalojë çështjen e riintegrimit gjatë Samitit të aleancës me 26 vende anëtare, javën e ardhshme, në Bukuresht. Sarkozi lajmëroi vitin e shkuar se Parisi do të donte të rikthehej në strukturën ushtarake, ku mungonte që prej vitit 1966, kur gjenerali Sharl Dë Gol shkëputi marrëdhëniet, duke dhënë kështu sinjalet e para të një progresi të dukshëm në politikat e përbashkëta mbrojtëse të BE-së. "Sarkozi tregoi sinjale hapjeje që pasi u pa qartë se po tentonte të bëhej miku numër një i Amerikës", thotë Nik Uitnej, nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, në Paris. "Ai siguroi përfitimet e para sapo hapi gojën dhe tha ‘unë e dua Amerikën‘ dhe ‘pse të mos riintegrohemi plotësisht në NATO?‘". Diplomatët e NATO-s, ndërkohë thonë se Sarkozi, ka vendosur si objektiv vitin 2009 për rikthim. Diplomatët evropianë dhe amerikanë, thonë se Uashingtoni po punon në mënyrë diskrete me Kryeministrin britanik, Gordon Braun, që ta bindë atë të bashkëpunojë me nismën për integrimin francez, që politikëbërësit e Shteteve të Bashkuara nuk e konsiderojnë më si një kërcënim për NATO-n. "Kthimi i Francës në komandën e NATO-s është një çmim i madh dhe ne duam ta ndihmojmë Presidentin Sarkozi ta realizojë këtë", tha një zyrtar amerikan. Ndërkohë, ambasadorja amerikane në NATO, Viktoria Nuland, në fjalimet e saj të mbajtura në Londër dhe Paris, ka bërë të qartë se Uashingtoni nuk ka më probleme me politikat evropiane të sigurisë dhe të mbrojtjes. Çështja është e ndjeshme në Britani, ku euroskeptikët mbeten ashpërsisht kundër çdo ideje për krijimin e një ushtrie evropiane. Gjatë vizitës në Londër, javën e shkuar, Sarkozi nuk përmendi aspak në publik dëshirën e Francës që BE-ja të fuqizojë aparaturat e saj të planifikimit ushtarak. Lideri francez pritet të ilustrojë vlefshmërinë e vendit të tij për Aleancën, duke lajmëruar në Bukuresht për dërgimin e rreth 1 mijë trupave shtesë si përforcim për NATO-n në Afganistan. Një zyrtar i lartë i NATO-s, vuri re se lëvizja e Sarkozisë vjen në një kohë kur forcat e armatosura të Britanisë janë të mbi angazhuara dhe Braun do të donte të reduktonte veprimtarinë jashtë vendit, ndërsa Gjermania ka probleme të brendshme në lidhje me rolin e saj ushtarak. "Francezët mund të ofrojnë trupa të reja, tani, kur ne kemi nevojë për to", thotë diplomati i NATO-s. "Kjo ka rëndësi të madhe". Në anën tjetër, Londra krenohet me një marrëdhënie speciale me SHBA-në, por ish-kryeministri Toni Bler, është bërë shumë jopopullor në vend, për shkak të rolit në pushtimin e Irakut, ndaj Braun ka preferuar një profil më të ulët në çështjet e jashtme. Sarkozi, në anën tjetër, ka bërë hapa gjigandë për ta ripozicionuar Francën në një rang të lartë, që pasi mori pushtetin, vitin e shkuar, nga golisti Zhak Shirak, i cili kishte tentuar ta kthente vendin në NATO në 1995-ën, por e kishte braktisur idenë, sepse nuk kishte mundur të rrëmbente një post të lartë komandues nga Uashingtoni. Presidenti i ri, ka rrezikuar brenda në Francë, pasi pjesa më e madhe e formacioneve politike është e lidhur me nocionin e një France të pavarur, apo të një politike të jashtme evropiane, që nuk pajtohet me çdo lloj ndërvarësie nga Shtetet e Bashkuara. Shiraku kishte udhëhequr kundërshtinë ndërkombëtare ndaj pushtimit amerikan të Irakut, në 2003, duke shkaktuar një çarje të thellë në marrëdhëniet ndëratlantike. Në kundërshtim me të, Sarkozi është afruar me Uashingtonin, duke marrë një qëndrim më të ashpër ndaj programit bërthamor të Iranit, duke mbrojtur sanksione më të ashpra e duke ndaluar kompanitë franceze të energjisë të bëjnë investime në Republikën Islamike. Një zyrtar gjerman, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Sarkozi gëzon tani një liri më të madhe për të vepruar në skenën botërore, diçka që Gordon Braun nuk e kërkon ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk do ta arrinte kurrë për shkaqe historike, "Kjo e bën Sarkozinë shumë tërheqës për amerikanët", thotë ai. Francezët në fakt janë më pak të predispozuar të pranojnë çmimin që duhet paguar për t‘u rikthyer në komandën ushtarake të NATO-s. Për të arritur barazinë me Britaninë apo Gjermaninë, Parisi duhet të ofrojë 700-1000 zyrtarë që do të punonin në zyrat qendrore të NATO-s dhe të paguante një pjesë të mirë të buxhetit të përbashkët të aleancës.