Marrëveshja shtrihet edhe në 9 vende
Hapësira "Shengen" mbërrin në aeroportet e 9 shteteve të tjera evropiane. Pas eliminimit të kontrolleve në tokë e det, tani "Shengen" shtrihet edhe në udhëtimet ajrore, duke bërë të mundur që shtetasit e këtyre vendeve të mund të hyjnë e të dalin në aeroporte pa treguar pasaportën e tyre përpara autoriteteve doganore. Sllovenia, Malta, Republika Ceke, Sllovakia, Hungaria, Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania i shtohen kështu listës prej 15 vendesh evropiane që e kishin fituar më parë këtë status. Këto vende iu bashkuan Bashkimit Evropian në vitin 2004. Hyrjet e radhës në listën e hapësirës "Shengen" parashikohet të jenë Zvicra, që mund të aderojë brenda këtij viti, Qiproja, Lihtenshtejni, Rumania dhe Bullgaria. Marrëveshja e firmosur në vitin 1985, e që mban emrin e vendit ku u nënshkrua, përfshinte fillimisht vetëm 5 vende. Sot numri i shteteve aderuese ka arritur në 24, por shumë shpejt mund të arrijë në 30.