E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtrigat dhe shtriganët e Meksikës

Për të vrarë një njeri, shpjegon Alehandro Galjegos Garsia, gjithçka nevojitet është një kukull e veshur me të zeza, pak spango, një kockë njeriu dhe një bretkosë. Oh, duhet gjithashtu edhe leja e djallit, e vetë atij, e cila mund të merret në shpellën e një kodre ku thuhet se është shfaqur.

Duke marrë për të mirëqenë se i ke të gjitha këto, bashkë me lejen e mbretit të errësirës, thjesht të duhet ta lidhësh kukullën pas kockës, ta fusësh me zor në gojën e bretkosës fatkeqe dhe t‘i shpiesh të gjitha në një varrezë, duke recituar fjalët e duhura. "Njeriu që i drejtohet magjia do vdesë brenda 30 ditëve", thotë Galjegos sikur të bëhej fjalë për riparimin e karburatorit të një makine (meqë ra fjala, edhe bretkosa pas kësaj shkon në botën tjetër).

48-vjeçari Garsia është shtrigan profesionist, një prej të shumtëve që punojnë në qytetin Katemako të shtetit Verakruz. Si pjesa më e madhe e kolegëve të tij përzien traditat evropiane dhe vendase në punën e vet, një lloj i veçantë okultizmi të cilin e ka trashëguar nga i ungji.

Në dyshemenë e dhomës së tij të punës bie në sy një statujë e virgjëreshës Mari dhe një kryq i madh. Në një kënd është vizatuar një yll me gjashtë cepa, me një patkua në njërin krah dhe një kryq të Shën Andresë në tjetrin. Në tavolinën e tij vërehen qirinj të cilët u dedikohen shenjtëve të ndryshëm, pranë të cilëve janë vendosur foto njerëzish. Disa janë foto burrash apo grash që gjenden aty në mënyrë që të bien në dashuri me klientët që i kanë sjellë. Të tjerat janë fotografi grash që duan të kenë fëmijë. Të tjera akoma janë foto të sëmurësh, me patologji nga më të ndryshmet, nga astma te kanceri.

Nën tavolinë mban kuti të mbushura me barishte, degë e rrënjë, që përdoren rëndom nga këta magjistarë gjatë aktivitetit të tyre. Për problemet e dashurisë përdor lakuriqë nate, ndërsa për kurimin e sëmundjeve gjarpërinj me zile. Përdor vajra të nxjerra nga hardhuca e breshka, gjuhë të thara të një lloji të caktuar peshku, lëkurë kojote, vezë, pula, ujë të shenjtë nga kisha dhe ujë të zakonshëm nga liqeni pranë të cilit gjendet qyteti. Njeh mirë një duzinë bimësh lokale dhe karakteristikat e tyre dhe mban gjithnjë pranë dhëmbët e një gjarpri helmues.

"E gjitha kjo ngjitet në kohët më të lashta", shpjegon. "Ka pasur shtriga e magjistarë përpara mbërritjes së spanjollëve. Këtu përzihet gjithçka, madje edhe Zoti".

Katemako është qytet që njihet në gjithë Meksikën për magjistarët e vet, aktivitet që tërheq një mori turistësh të huaj. Në qytet, të premten e parë të marsit, çdo vit mbahet gjithashtu edhe Kongresi Ndërkombëtar i Shtrigave.

Gjatë këtij evenimenti, në hyrjen e një shpelle ku thuhet se shfaqet djalli, mbahet mesha e zezë. Në dritën e diellit nxirret një yll i stërmadh me gjashtë cepa - e quajnë Ylli i Davidit. Politikanët duken atë ditë për të marrë hajmali. Besimtarët mbysin qytetin në kërkim të pastrimit të shpirtrave.

Sandra Lusia Aguilar, një shitëse 25-vjeçare, ka udhëtuar 22 orë me autobus për të marrë pjesë në meshën e zezë. Pak ditë më pas gjendej në zyrën e një shtrigani të njohur të quajtur "Korbi", me shpresën se magjia e tij do t‘i kthente ish të dashurin.

"Kam jetuar me të pesë vjet dhe brenda një nate iku me një tjetër", tregon. "Dua të kthehet tek unë. Më poshtëroi sa s‘ka më dhe tani dua ta poshtëroj unë".

Korbi është një burrë hollak dhe quhet Hector Betaza Domingez. Thotë se vijnë ta takojnë nga e gjithë Meksika dhe nga të gjitha qytetet e mëdha amerikane ku banojnë meksikanë. Shumica e tyre kërkojnë thjesht "una limpia" (një të pastruar) nga shpirtrat e këqij. Por një pjesë e mirë e klientëve janë njerëz me zemra të thyera nga dashuria.

Pyetjes ku e ka mësuar këtë zanat, Betaza, i cili e konsideron veten "mjeshtër të shkencave okulte", i përgjigjet jo fort qartë duke mërmëritur se edhe e ëma praktikonte magji. "Këtë nuk e mëson", shpjegon. "Është diçka që e ke në gjak".

Jo të gjithë janë të bindur. Prifti Tomás Alonso Martínez ka detyrën aspak të lakmueshme të predikimit të fesë në një qytet ku të gjithë flasin për shtriga e djaj. "Është një farsë", thotë, "gënjeshtër, mashtrim kokë e këmbë". Gjatë pesë vjetëve të qëndrimit në Katemako shpjegon se ka parë me sytë e vet gjithfarë trillesh për t‘u zhvatur para njerëzve naivë.

Një nga rrengjet më të thjeshtë është bindja e dikujt se i është bërë magji dhe se i duhet të paguajë për t‘i shpëtuar. Një tjetër është t‘i bindësh njerëzit se janë shumë të sëmurë, për t‘u ofruar më pas edhe kurën e duhur.

"E veshin veten me fuqi që nuk mund t‘i kenë", shpjegon prifti. "Problemi më i madh në rastin e këtyre gënjeshtarëve është se ka shumë njerëz që u besojnë. Kushdo mund të dalë e të thotë se është magjistar".

Gjithsesi edhe At Martinezi pranon se praktikat shtrihen që në të shkuarën pre-hispanike. Përdorimi i shenjtëve katolikë u është shtuar traditave vendase duke krijuar një lloj sinkretizmi.

Kjo ndërthurje shfaqej shumë qartë kur Galiegos kryente pak ditë më parë një ritual pastrimi. Klienti ishte një shofer taksie i quajtur Santos Luna Kruz, i cili kërkonte të mbrohej nga konkurrentët ziliqarë. I zhveshur nga mesi e lartë, shoferi u vendos në qendër të Yllit të Davidit. Në secilin prej cepave digjeshin qirinj. Në njërën anë qe vendosur një kryq i Shën Andresë, ndërsa në tjetrën një patkua kali. Përballë kishte ca gota ujë të cilat duhet të thithin shpirtrat e këqij. Galiegos e spërkati me ujë të shenjtë, hudhër e amoniak. Pastaj, duke recituar lutjen katolike "në emër të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë", e duke përmendur emrat e shumë shenjtëve, mbajti për disa çaste vezë mbi kokën e shoferit për t‘ia lëvizur më pas nëpër trup.

Pastaj bëri disa herë kryqin me dhëmbët e gjarprit në fytyrën e shoferit, në kraharor e në bark. Më pas mori një pulë të gjallë dhe ia kaloi klientit mbi kokë. Në fund mbushi gojën me ujë të shenjtë dhe ia shfry në fytyrë, duke e goditur njëherësh me degë e rrënjë.

Kur gjithçka përfundoi, 34-vjeçari Luna, kaloi gishtërinjtë mes flokëve. "Ndihesha shumë keq para se të vija këtu, por tani ndihem shumë më mirë", tha. "Ndihem sikur më largoi nga trupi vibrimet negative".

Galiegos tregon dy vezët e thyera përgjatë ritualit. "Vezët thyen pasi thithin brenda dhimbjen e këtij të riu", shpjegoi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›