E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca i hap rrugën Shqipërisë në BE

Franca ka ratifikuar dje Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë, duke afruar finalizimin e kësaj faze, për t‘ia lënë aktin final fqinjit tonë jugor, Greqisë. Senati francez ka votuar dje në mënyrë unanime Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë, duke çuar kështu në 24 numrin e vendeve anëtare të BE-së, që kanë përmbyllur të gjitha procedurat e ratifikimit të marrëveshjes. Votimi i Dhomës së Lartë të legjislativit francez u krye me anë të një seance solemne, ku ishin prezent sekretari i Shtetit, si edhe ambasadori shqiptar në Paris, Ylljen Aliçkaj. Kërkesa për ratifikimin e marrëveshjes u prezantua nga sekretari i Shtetit, në prani edhe të ambasadorit tonë në Francë, Ylljet Aliçka, të cilit iu përcollën edhe vlerësimet maksimale për arritjet e dukshme të Shqipërisë. Pas Francës, ratifikimi i MSA-së pritet të përfundojë edhe nga Parlamenti grek, ndërmarrje kjo që do t‘i japë fund gjithë procesit të ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare. Kjo, sepse dy vendet e reja të BE-së: Rumania dhe Bullgaria, nuk kanë të drejtë vote. Pas fazës së ratifikimit, do të hyjë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e nënshkruar mes BE-së dhe Shqipërisë më 12 qershor të vitit 2006. Në këtë çast, qeveria shqiptare ka të drejtë të aplikojë për statusin e vendit kandidat. Të gjithë reflektorët e qeverisë shqiptare janë drejtuar tani nga Parlamenti i Greqisë, i cili ka rastin ta mbyllë këtë proces, duke ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Në fakt, autoritetet e larta të Athinës zyrtare kanë bërë të ditur se vullneti politik i të gjithë klasës politike greke është për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian, ndaj, sipas të gjitha gjasave, do të jetë një detaj pak më shumë se "teknik".

Takimi

Ndërkaq, dje në Bruksel ka nisur takimi i nivelit të lartë mes qeverisë shqiptare dhe Komisionit Evropian, për të shqyrtuar hapat e integrimit. Delegacioni shqiptar drejtohej nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe ai i KE-së nga Dirk Lange, kreu i zyrës për Shqipërinë. Takimi BE-Shqipëri vazhdon edhe sot, ku do të mblidhen Task Forca Konsulative (CTF) dhe Komiteti i Përbashkët (Joint Committee). Në përfundim të takimit do të ketë një deklaratë me konkluzionet. Dje në Bruksel dhanë një konferencë për shtyp, ministrja Bregu dhe Dirk Lange, shef i njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit të KE-së. Komisioni Evropian ka ngritur theksin te reforma në drejtësi, ku është kërkuar që të zbatohen të gjitha standardet evropiane. Lange ka përmendur si shumë të rëndësishëm ligjin për administratën gjyqësore, për avokatët, noterët, ligjin për përmbarimin, ndryshimet ligjore për prokurorinë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë etj. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi para komisionit se buxheti i 2009-ës për gjyqësorin ka një rritje të konsiderueshme rreth 3 herë më shumë, duke treguar se në kuadër të zbatimit të kriterit politik dhe standardeve evropiane, qeveria shqiptare ka si prioritare reformën në drejtësi.

Një pikë tjetër që u diskutua ishte plotësimi i standardeve për shpërndarjen e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, bazuar në rekomandimet e grupit konsultativ të fundit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›