Agjentët e FBI-së arrestojnë dy vëllezër
Dy vëllezër nga Shkodra, Fatbardh Shtiza, 30 vjeç, dhe Vrion Shtiza, 36 vjeç, janë arrestuar pasditen e djeshme nga agjentë të FBI-së dhe Policia e Shkodrës, pasi kërkoheshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas Policisë së Shkodrës, kërkesa nga FBI-ja ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër paraditen e djeshme dhe menjëherë është organizuar një operacion, në të cilin kanë marrë pjesë edhe agjentët e ardhur nga përtej Atlantikut. Dy vëllezërit janë arrestuar në banesën që kishin me qira në qendër të qytetit, pranë bashkisë. Në momentin që janë prangosur nga policia, ata nuk kanë bërë rezistencë dhe në banesë nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Në lidhje me aktivitetin e tyre, drejtues të Policisë së Shkodrës pohuan se ata nuk ishin persona me precedentë penalë, apo në listën e personave problematikë. Gjithashtu, Policia e Shkodrës sqaron se Fatbardh dhe Vrion Shtiza kanë jetuar për tetë vjet në SHBA, në Nju Xhersi, ku edhe kanë kryer aktivitetin e tyre kriminal. Prej disa muajsh dy vëllezërit janë kthyer në qytetin e tyre të lindjes, ku dhe kanë hapur një sallë lojërash fati.