Mitrovicë, serbët provokojnë shqiptarët
Rikthehet tensioni në Mitrovicë. Në mbrëmjen e së enjtes, në lagjen e boshnjakëve në Mitrovicën veriore janë dëmtuar 7 vetura, kryesisht me targat e Kosovës. Një incident tjetër po në këtë lagje është raportuar nga një nxënëse e shkollës së mesme, e cila thotë se është sulmuar fizikisht nga disa serbë. Edhe për këtë rast nuk ka të arrestuar. Ndërkaq, sipas zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës, incidenti i ndodhur në veri u shkaktua nga ekstremistët serbë me tendencë mesazh kundër EULEX-it. "Drejtuesit komunalë në Mitrovicë e dënojnë incidentin e shkaktuar nga ekstremistët serbë, që ka ndodhur të mërkurën mbrëma në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, ku është sulmuar një vajzë shqiptare, mandej janë dëmtuar disa vetura të pronarëve shqiptarë dhe një e UNMIK-ut", thuhet në një deklaratë të zyrës së shtypit të komunës. Nënkryetari i komunës, Ismajl Smakiqi, tha se "ky incident është bërë me tendencë që të jepet një mesazh kundër vendosjes së EULEX-it në veri të Kosovës". Incidente të tilla të shkaktuara nga ekstremistët serbë në prag të vendimeve dhe ngjarjeve me rëndësi janë të njohura për opinionin e brendshëm dhe të jashtëm", ka shtuar ai. Nënkryetari Smakiqi kërkoi nga strukturat e sigurisë, sidomos nga KFOR-i, që të shtojnë praninë në lagjet e banuara me shqiptarë në veri, në mënyrë që të parandalohen incidentet dhe provokimet. Në të njëjtën kohë ai kërkoi nga banorët që të jenë gjakftohtë dhe mos të bien pre e provokimeve të këtyre grupeve ekstremiste dhe të strukturave paralele serbe, të cilët kanë për qëllim përshkallëzimin e situatës, thuhet në njoftimin nga Komuna e Mitrovicës. Pas incidentit ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim, Thaçi, i cili theksoi se misioni i EULEX-it do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës dhe këtë nuk mund ta pengojë askush. Duke iu referuar incidentit të mbrëmshëm në Mitrovicë, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se "nuk do të ketë pengesë që do të mund të ndalojë zgjerimin e EULEX-it në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe veriun.