E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, reshjet e shiut bllokojnë për dy orë rrugën nacionale

Reshjet e shumta të shiut të rëna në rrethin e Bulqizës janë bërë shkak edhe për bllokimin e rrugës nacionale Peshkopi-Tiranë. Gjatë ditës së mërkurë, vërshimi i ujërave ka përmbytur këtë rrugë në fshatin Fushë-Bulqizë të po kësaj komune, ku aktualisht kryhen punime për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Bllokimi nisi rreth orës 15.30 minuta, kur nga vërshimi i ujërave të Përroit të Kaculit, ku firma tenderuese e Rrugës së Arbrit po ndërton një urë të re, përmbytet rruga duke u bërë e pakalueshme për automjetet. Si rezultat i këtij bllokimi është krijuar një radhë e gjatë makinash, në dy kahet e rrugës, me gjatësi prej rreth 1 kilometër, ku është dashur ndërhyrja e policisë rrugore për shmangien e rrëmujës së krijuar. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar makineri dhe punonjës të firmës tenderuese për të mundësuar zhbllokimin e rrugës. Udhëtarëve, përfshi edhe gra e fëmijë që ktheheshin nga Tirana, u është dashur të presin për gati 2 orë deri në lirimin e rrugës, kur ekskavatorët që punuan për lirimin e saj krijuan një rrugë provizore kalimi, e cila ka qenë e tillë edhe në ditën e djeshme. Ndërkohë punimet në Rrugën e Arbrit që po vazhdojnë prej gati një viti, kanë krijuar rrezik rrëshqitjeje të tokës edhe në segmente të tjera, siç është ai te vendi i quajtur Kthesa e Muharremit në fshatin Krajkë, apo te Përroi i Sofroçanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›