E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca i ribashkohet NATO-s

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka bërë të ditur se Franca do t'i ribashkohet komandës ushtarake të NATO-s pas një shkëputje prej 43 vjetësh. Presidenti Sharl de Gol doli nga aleanca në vitin 1966 për të theksuar pavarësinë franceze. Sarkozi, i cili e bëri këtë njoftim në një konferencë ushtarake në Paris, prej kohësh ka argumentuar pro kthimit të plotë të Francës në këtë organizatë. Duke folur në konferencë, Presidenti Sarkozi tha se kishte ardhur koha që Franca të rikthehej. Ai u shpreh se nuk kishte kuptim që vendi, anëtar themelues i NATO-s të mos thoshte fjalën e vet në strategjinë ushtarake të organizatës. "Franca nuk mund të qëndrojë pa lëvizur në një botë që ka ndryshuar në mënyrë radikale. Vendi ynë nuk kërcënohet më nga pushtime ushtarake, ndoshta për të parën herë në historinë e tij. Tashmë janë materializuar të tjerë kërcënime, si terrorizmi apo armët e shkatërrimit në masë. Sot Francës i nevojitet një diplomaci e fortë, aleatë të fortë dhe të sigurt dhe aleati ynë i parë janë demokracitë perëndimore", është shprehur Sarkozi. Vendimi i Sarkozisë është përshëndetur dhe nga vetë aleanca. Zëdhënësi i NATO-s Xhejms Apaturai tha se kjo përfaqëson një fitore të trefishtë: Për vetë Francën; për NATO-n, si dhe për Bashkimin Europian.Megjithatë, shumë nga e majta franceze dhe disa anëtarë të partisë së tij të së djathtës së qendrës janë kundër idesë. Parlamenti francez do të votojë për këtë çështje javën tjetër. Franca është një nga vendet themeluese të NATO-s në vitin 1949, por më 1966, gjenerali Sharl de Gol njoftoi SHBA-të se vendi i tij do të tëhiqej nga strukturat komanduese. Pavarësisht kësaj që nga viti 1995, Franca ka marrë pjesë në disa misionë ushtarake në botë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›