Franca i shet armatim Rusisë, NATO-ja e shqetësuar

Franca
është pajtuar ti shesë Rusisë një luftanije të tipit Mistral, pavarësisht
dëshirave të anëtarëve të tjerë të NATO-s. Gjeorgjia, tashmë e ka kundërshtuar
një shitje të tillë, duke theksuar çështjen e shqetësimit më të gjerë për
stabilitetin rajonal
Zyrtarë të Mbrojtjes bënë me dije se Franca ka rënë dakord që ti shesë Rusisë
anije luftarake të avancuar dhe, nga ana tjetër, po merr në konsideratë
kërkesën për shitjen e tre luftanijeve të tjera.
Dhe, nëse procesi i shitjes përfundon, atëherë kjo do të jetë marrëveshja e
parë e shitjes së armatimeve mes Rusisë dhe vendeve anëtare të NATO-s.
Lajmi i shitjes së luftanijes ka rritur shqetësimin te vendet anëtare të
NATO-s, si dhe të fqinjëve rusë, veçanërisht të Gjeorgjisë, e cila ishte në
luftë me Rusinë në 2008-ën.
Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, e aprovoi shitjen e luftanijes Mistral
pas disa muaj bisedimesh.
Xhak de Lazhugi, përfaqësues i Agjencisë Franceze të Armatimit, DGA, tha se
zyrtarët e flotës detare ruse kanë parashtruar një kërkesë për tri anije të
tjera dhe kjo kërkesë e tyre po shqyrtohet.
Kryetari i Komitetit Parlamentar të Gjeorgjisë për Integrim Evropian, Dejvid
Darshiashvili, thotë se plani i shitjes së luftanijeve do të ndikojë në gjithë
rajonin, ndaj duhet të diskutohet nga vendet anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit
Evropian.
Kjo blerje e planifikuar është vërtet një çështje shqetësuese për vendet
fqinje të Rusisë dhe mendoj se duhet të jetë çështje e shqetësimit më të gjerë,
në kontekstin e stabilitetit rajonal, të balancës dhe të sigurisë.
Dhe, kjo duhet të jetë temë e diskutimeve për vendet anëtare të NATO-s dhe të
Bashkimit Evropian, tha kryetari i Komitetit Parlamentar të Gjeorgjisë për
Integrimin Evropian, i cili shtoi se ai pret që shumë vende në rajon do ta
kundërshtojnë.
Në duart e Rusisë, kjo nuk është vetëm një armatim i zakonshëm, ashtu siç
është për çdo vend paqësor, që shqetësohet për sigurinë dhe mbrojtjen e tij.
Mendoj se kjo marrëveshje do të ketë kundërshtime dhe këto kundërshtime nuk do
të jenë vetëm nga ana jonë, tha Darshiashvili.
Lituania i shkroi Francës në nëntor duke i kërkuar sqarime rreth kësaj gjëje
dhe detaje në lidhje me municionet që përmban anija.
Anija luftarake Mistral arrin të ankorohet në brigjet detare dhe të vendosë
trupat në tokë, gjë që i mungon marinës ruse.
E gjatë 200 metra, kjo anije arrin të mbajë në bord 16 helikopterë ushtarakë
dhe dhjetëra automjete të blinduara.
Vitin e kaluar, kreu i flotës ruse tha se një anije e tillë si Mistral, duhet
ti mundësonte Rusisë veprime më efikase në Detin e Zi, gjatë luftës Gjeorgji
Rusi.
Ai tha se anijes franceze i duheshin 40 minuta për të bërë atë gjë që flotës
ruse në Detin e Zi iu desh ta bënte për 26 orë.
Ministri francez i Mbrojtjes, Herve Morin, mbajti një takim në Paris me
sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates, i cili shprehu shpresën që
Franca të kontribuojë në stabilitetin evropian.
Morin tha: Është e kuptueshme që për disa vende të Evropës Qendrore dhe
Lindore, plagët janë ende të hapura, por shtoi se Franca dëshiron që të
ketë një marrëdhënie besimi në rritje me Rusinë.
Ndërsa, Robert Gates theksoi se ai, së bashku me Morin, kanë diskutuar shitjen
dhe kanë shkëmbyer këndvështrime të mira në këtë drejtim.
Në Uashington, zëdhënësi i Pentagonit, Xhef Morel, tha se miqtë dhe aleatët e
SHBA-së në Evropën Lindore janë të nervozuar rreth kësaj gjëje, veçanërisht
Gjeorgjia dhe kjo me të drejtë.
Ai, shtoi se ata u frikësohen këtyre anijeve, pasi kjo i jep kapacitete shtesë
Rusisë të kërcënojë edhe një herë Gjeorgjinë. /rfe/