E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca investon në trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë

Ambasadorja e Francës në Prishtinë, Maryse Daviet takoi ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ku tregoi rreth gatishmërisë së Ministrisë Franceze të Ekonomisë dhe Financave për mbështetjen e projekteve mjedisore në Kosovë.

Sipas ambasadores Daviet, qeveria e vendit të saj është e interesuar që të financojë në tërësi një projekt për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Prishtinës, ku do të përfshihet studimi i fizibilitetit për gjendjen e ujërave të zeza e gjithashtu edhe planet e ndërtimit të impianteve dhe operimit të tyre. Sipas saj, me këtë projekt do të forcohet partneriteti ndërmjet Qeverisë franceze dhe asaj të Kosovës.

Duke përmendur angazhimin e Qeverisë së Francës në nivel botëror për promovimin e teknologjive të gjelbra, ministri Gashi u shpreh i gatshëm të ndihmojë në planet e Qeverisë franceze me njohuritë teknike nga Ministria e Mjedisit për implementimin e këtij projekti në Prishtinë.

Ministri Gashi dhe Ambasadorja Daviet u morën vesh që gjatë javës së ardhshme të fillojnë procedurat e aplikimit për grante në Ministrinë Franceze të Ekonomisë dhe Financave./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›