Franca regjistron viktimën e parë nga E.Coli
Autoritetet kanë regjistruar vdekjen e parë nga shpërthimi bakterial E.coli në Francë.
Zyrtarët shëndetësorë në Bordo, thanë se një grua 78 vjeçe ka vdekur të shtunën në mëngjes.
Ajo ishte hospitalizuar në Bordo, që nga 24 qershori me sindromin hemolitik uremik- një gjendje e rrallë e veshkave, nga e cila po vuajnë viktimat e prekura rëndë prej shpërthimit bakterial.
Që nga muaji maj, e deri më tani nga bakteri vdekjeprurëse E.Coli kanë vdekur rreth 50 njerëz, kryesisht nga Gjermania.
Më shumë se 4.100 njerëz në Evropë dhe Amerikën veriore janë infektuar.
Në ndërkohë, autoritetet gjermane dolën me një tjetër teori për origjinën e bakterit vrasës që tronditi Gjermaninë e mbarë Europën.
Burimi i Escherichia Coli-t enterohemorgjik, mund të kenë qenë sipas tyre farat e një bime të importuar nga Egjipti.
Në këtë përfundim ka dalë Instituti Federal Gjerman për vlerësimin e riskut, BfR, i cili konfirmon kështu rezultatet e një studimi të përbashkët të dy qendrave shëndetësore evropiane, asaj për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe Autoritetit Evropian për Sigurinë e Ushqimit.