E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa kompromis mes VMRO-së dhe BDI-së

Nga Express më 02 korrik 2011 në ora 13:20

Negociatat për formimin e qeverisë së Maqedonisë ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së janë bllokuar përkohësisht, për shkak të mungesës së kompromisit për ndarjen e drejtorive.

Siç kanë theksuar burime të afërta me palët negociatore, VMRO-DPMNE nuk dëshiron që ti jap BDI-së njërën nga Drejtoritë e Ministrisë së Brendshme, gjegjësisht Drejtorinë e Sigurimit Publik, por edhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike ose Drejtorinë e Doganave.

VMRO-DPMNE kërkon që kuadrot shqiptare të jenë në poste më të favorshme në sektorë dhe nivele tjera të MPB-së, por nuk dëshiron të lëshojë kryesimin e këtyre drejtorive.

Dy partitë pritet nesër të zhbllokojnë negociatat dhe të gjejnë ndonjë kompromis, për të kompletuar marrëveshjen e koalicionit, që parimisht është arritur midis dy partive dhe po udhëhiqen negociatat midis grupeve negociatore partiake.

VMRO-DPMNE deri tani nuk pranon ofertën dhe kërkesën e hapur akoma nga BDI që të nënshkruhet Marrëveshje prioritare për zgjidhjen e kërkesave, një marrëveshje e stilit të asaj të “majit të vitit 2007”, të arritur mes BDI dhe VMRO, ku zotohej kryerja e disa detyrimeve nga ana e VMRO-DPMNE, e cila kishte në koalicion PDSH-në.

Marrëveshja e BDI-së përfshin mbylljen e rasteve të Hagës përmes interpretimit të Ligjit për amnisti nga ana e parlamentit, zgjidhjen e statusit të UÇK-së, fonde të barabarta zhvillimore dhe investime për zonat shqiptare si dhe projekte tjera.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›