E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforme ne Marok mbreti therret referendum

Mbreti Mohamed i Marokut nuk ka pritur që pranvera arabe të vijë edhe në vendin e tij, pasi ka propozuar ndryshime kushtetuese dhe ka thirrur qytetarët e vet t’i votojnë në referendum. Votimi, që përfaqëson të parin referendum kushtetues nën mbretërimin 12-vjeçar të Mohamed, përshkruhet nga gazetat marokene si një takim me historinë.

Ndryshimet i japin më shumë kompetenca kryeministrit dhe parlamentit, dhe analistët shprehen se referendumi ka të gjitha gjasat të fitojë, edhe pse pjesëmarrja e ulët konsiderohet një qëndrim popullor për ndryshime më të thella. Në fakt, edhe në Marok shpërthyen protestat pas shkëndijës që dha Tunizia. Gjatë shkurtit, disa javë manifestime nxorrën në rrugë mijëra njerëz.

Organizatorët e këtyre protestave u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre përmes facebook e rrjeteve të tjera sociale, të mos dalin në referendum. “Refuzojmë atë që na ofrohet, pasi ndryshimet lënë sërish një lojtar të vetëm në fushë”, i tha agjencisë reuters, koordinatori i lëvizjes opozitare.

Gjithsesi, partitë kryesore dhe liderët fetarë apeluan për votimin pro propozimeve të Mbretit. Reformat e vendosin sërish atë kryetar të shtetit, por premtojnë pavarësi të gjyqësorit, luftë ndaj korrupsionit, lirinë e shprehjes dhe barazinë gjinore si dhe caktimin e gjuhës berbere si gjuhë zyrtare së bashku me arabishten.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›