Zgjedhjet serbe, votohet edhe në disa zona të Kosovës

Sot në Serbi zhvillohen zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale. Serbia do të vendosë sot nëse do të vazhdojë rrugën e integrimit evropian duke mbështetur demokratët e Boris Tadiç, apo do të rrëshkasë drejt radikalëve nacionalistë që përfaqësohen me Tomisllav Nikoliç.
Pavarësisht nga rezultati mes dy kandidatëve kryesorë, duke parë rezultatet e sondazheve, duket se Ivica Daçiç, njeriu që është bërë protagonist duke arrestuar shqiptarë kohët e fundit, dhe partia e tij socialiste do të vazhdojnë të kenë pozita të forta, si pala e tretë e domosdoshme.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës paraqiten në këto zgjedhje me një listë të tyren, duke shpresuar të nxjerrin një deputet në parlamentin e ri serb.
Të gjitha 90 vendvotimet e OSBE-së në Kosovë janë hapur sot deri në ora 08:15, thuhet në një komunikatë të OSBE-së. OSBE ka mundësuar që personat me të drejtë vote në Kosovë të ushtrojnë të drejtën për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.
Disa vendvotime në Kosovë, në rajonin e Prishtinës, për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe, janë hapur për mbi 1 orë me vonesë për shkak të ardhjes me vonesë të materialeve zgjedhore, raportojnë mediat serbe. Zëdhënësi i OSBE-së, Nikola Gaon, i ka deklaruar agjencisë serbe Tanjug, se përveç rajonit të Prishtinës, vendvotimet e tjera në Kosovë janë hapur me kohë.
Në afërsi të vendvotimeve, sipas medieve serbe, shihet prezenca e policisë lokale, e cila është e detyruar të ruaj rendin dhe qetësinë, ndërsa para vendvotimeve duket flamuri i OSBE-së.