E Diel, 1 Nëntor 2026

Francë, Berisha: BE objektiv madhor, opozita e bllokoi 2 vjet

FRANCE- Kryeministri Berisha, në ditën e fundit të vizitës së tij në Francë, u prit në një takim nga Kryeministri i Republikës Franceze, zoti Francois Fillon.
Kryeministri Berisha e siguroi homologun Fillon se integrimi europian përbën objektivin madhor të qeverisë së tij dhe gatishmërinë për të ndërmarrë të gjitha reformat dhe masat e nevojshme në këtë drejtim.

Duke e njohur me situatën politikë të Shqipërisë, Berisha theksoi se, “pas dy vjet bllokimi të jetës politike nga opozita, i cili dëmtoi interesat e vendit, ajo pranoi ofertat politike të bëra nga mazhoranca gjatë dy viteve dhe tashme situata politike dhe jeta parlamentare janë normalizuar”.

Sipas tij, një sërë reformash me rëndësi për procesin e integrimit europian, përfshirë atë zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, kanë filluar të zbatohen.

Ndërsa kryeministri Fillon, i cilësoi marrëdhëniet politike mes të dy vendeve si shumë të mira. Në vijim, ai shprehu interes për fushat e bashkëpunimit me interes dypalësh. Të dy kryeministrat u ndalën tek energjia e rinovueshme, projektet për transportin publik në Tirane, modernizimi i administratës publike, projektet në bujqësi dhe pastrimi i ujërave si fusha me interes për investime apo ku Franca mund të ofroje ekspertizë dhe asistencë.

Në takim u bisedua edhe për situatën në veriun e Kosovës dhe atë në rajon. Kryeministri Berisha, theksoi, se ruajtja e kufijve aktualë dhe fokusimi tek integrimi europian janë vitale për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha: Kryeministër? Deri kur shqiptarët të më thonë, Lamtumirë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›