E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë-Irlandë nuk riluhet

Xhovani Trapatoni nuk kishte dyshim: Irlanda duhet ta vërë zemrën në paqe. FIFA në fakt e ka refuzuar kërkesën e Federatës Irlandeze për ripërsëritjen e ndeshjes së të mërkurës kundër Francës. Në një vendim të publikuar në faqe, FIFA shpjegon se "rezultati i takimit nuk mund të ndryshohet dhe ndeshja nuk mund të përsëritet. Siç është cituar qartë në rregullat e futbollit, gjatë ndeshjes vendimet janë marrë nga arbitri dhe këto vendime janë përfundimtare". Pra, gjesti i Tierri Henri është pjesë e incidenteve të hasura në një lojë futbolli. Në fund, kapiteni i "Bleus" mirëkuptohet: ishte nën presionin e kualifikimit të Francës dhe reagimi i lojtarit, që nuk mundej të bënte ndryshe (e pranoi menjëherë, para gjyqtarit, se e kishte prekur topin me dorë dhe prandaj të anulohej goli). Ky është sensi i diskutimit të Arsen Venger, që ka qenë trajner i "Titit", kur francezi ishte tek Arsenali dhe vazhdon ta konsiderojë beniaminin e tij edhe tani që luan te Barcelona. Jo vetëm. Sikurse thotë trajneri, Henri e ka marrë përgjegjësinë e tij të "prekjes me dorë". "Do të duhej ta kishte pranuar menjëherë, por nuk e ka bërë, e dimë, me presionin që i ishte imponuar ndeshjes. Megjithatë, nëse do të ishim nga ana tjetër, goli i shënuar do të ishte vërtet i vështirë për t‘u pranuar. Sigurisht, do të kishim dashur të kualifikohemi në një tjetër mënyrë dhe jo nga dera e pasme, si Portugalia". Por, për trajnerin e Arsenalit përgjegjësi i vërtetë i kësaj rrëmuje është gjyqtari. Këtu, Venger ka bërë kërkesë për të përdorur moviolën në fushë: pamjet vizive do të kishin "zbuluar" të vërtetën në një situatë të tillë. "I gjithë stadiumi e pa prekjen me dorë, pranoi Venger, por jo gjyqtari. Pas ndeshjes dola me ‘Titin‘, i cili e dinte që kishte bërë një veprim jokorrekt, por i takonte drejtuesit të ndeshjes të ndalte lojën dhe sigurisht jo lojtarit. Në praktikë u kualifikuam falë një gabimi të gjyqtarit". Edhe Devid Bekham deklarohet në krah të Henrit: "Tierri nuk është një mashtrues. E njoh si lojtar dhe si person, nuk mendoj se donte të mashtronte ndonjë. Është vërtet gjynah të shikosh eliminimin e Irlandës, sepse ka një tifozeri të madhe, por janë gjëra që ndodhin në futboll". Pyetjes se si do të sillej nëse do të gjendej në vend të Henrit, futbollisti i Kombëtares angleze nuk lëkundet: "Kush mund ta dijë? Po luan në ‘play-off‘-in botëror, nuk e ke idenë e asaj çfarë ndodh. Kam luajtur në ndeshje të mëdha dhe kam bërë gjëra që, duke parë në të kaluarën, e kam kuptuar se ishin të gabuara". Megjithatë, sipas ekonomistëve, të intervistuar nga e përditshmja e njohur angleze "The Sun", mungesa e kualifikimit të Irlandës për në Botërorin 2010, do t‘i kushtojë tokës së smeraldeve një humbje përtej 110 milionë eurosh, ndërsa për llogari të arkave francezëve, pjesëmarrja në Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut do të sjellë 1.1 miliardë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›