E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqaj jashtë futbollit "Familja, më e rëndësishmja

Arjan Beqaj përveç faktit të qenët një ndër futbollistët e njohur në Kosovë, Shqipëri dhe në Qipro, është edhe një familjar shumë i mirë. Jeta e tij brenda dhe jashtë futbollit është e lidhur ngushtë me bashkëshortet e tij dhe dy fëmijët, të cilët i konsideron si një nga gjërat më të rëndësishme për të. "Familja ka qenë gjithmonë një mbështetje e madhe për mua, rrëfehet portieri i Anorthosis Farmagusta. Është gjëja më e rëndësishme që kam në jetë. Pas 6 viteve në radhët e Ofit të Kretës, është e natyrshme që dikush të dashurohet me një vajzë vendase. Bashkëshorten e quajnë Meri. Jemi njohur në atë kohë, kemi dy kalamaj, vajzën e quajnë Lina dhe djalin që quhet Hektor. Goca është 4 vjeç e gjysmë dhe çuni 2 vjeç e gjysmë. Familja është e pakrahasueshme me asgjë tjetër". I lindur në Prizren, si shumë kosovarë të tjerë, për të realizuar ëndrrën e tij të impenjimit në futbollin profesionist, ai iu drejtua shtetit amë në vitin 1994, ku u aktivizua në radhët e Partizanit për tre sezone. Tashmë është i dyzuar në zgjedhjen e tij për të bërë tifo mes skuadrës së qytetit të vendlindjes, Liria, dhe Partizanit. "Ekipi i zemrës time në Kosovë është Liria, ndërsa Shqipëri, Partizani. Me Partizanin kam luajtur për 2 vjet e gjysmë në Shqipëri, është ekipi i preferuar i imi në kampionatin shqiptar. Më vjen keq që në këtë sezon luan në Kategorinë e Parë", thotë në mbyllje Beqaj.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›