Homazhe Selman Rizës në 100-vjetorin e lindjes
Ditën e diel, nga ora 11:00-13:00, Akademia e Shkencave organizon në selinë e saj, homazhe pranë arkivolit të eshtrave të gjuhëtarit të njohur Selman Riza. Në vitin që shënon edhe 100-vjetorin e lindjes, eshtrat e prof. Selman Rizës do të rivarrosen në Kosovë, sipas porosisë së lënë prej tij. "Mbetjet e një jete së truer, padallim gjithë bashkëkombasvet të mi dëshironj të më prehen atje ku kam lindur: në Kosovën shqiptare", ka shënuar më 23 dhjetor të vitit 1973 Selman Riza. Ai ka lindur më 21 dhjetor të vitit 1909 në Gjakovë. Mësimet fillestare i kreu në mejtepin e xhamisë së "Haxhi Ymerit", ndërsa i vazhdoi në mejtepin "Ruzhdie". Dëshira për t‘u shkolluar në gjuhën shqipe e detyroi të largohet nga Gjakova që në moshën 13-vjeçare. Në vitin 1922 u nis në këmbë për në Tiranë, ku menjëherë u regjistrua në shkollën "Naim Frashëri". Në vitin 1925, Selman Riza vazhdon mësimet në Liceun e Korçës dhe në vitin 1932, Ministria e Arsimit i dha një bursë për të ndjekur studimet në Universitetin e Tuluzës në Francë. Janë të njohura kontributet e Selman Rizës në fushën e gjuhësisë, marrëdhëniet gjuhësore të shqipes me rrethin e gjuhëve indoeuropiane dhe ballkanike, për prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës së tij, për gramatikën historike të shqipes, për studimet tekstologjike të autorëve të vjetër shqiptarë, për shqipen standarde, për konceptet teorike të tij mbi gjuhën, për vendin e tij në studimet albanologjike etj.